1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Demonstruesit sulmohen nga policia - Përleshje në rrugët e kryeqytetit të Malajzisë

9 Korrik 2011

Në rrugët e kryeqytetit të Malajzisë Kuala Lumpur ka patur këtë të shtunë (9.7.) përleshje mes protestuesve dhe policisë. Një aleancë opozitare kishte bërë thirrje për protesta që kërkojnë reformën zgjedhore.

https://p.dw.com/p/11sBD
Pamje nga Kuala Lumpuri
Pamje nga Kuala LumpuriFotografi: CC/Christopher Chan

Në drejtim të turmës u hodh gaz lotsjellës, u përdorën shkopinjtë e gomës dhe kamionët që hedhin ujë me presion shpërndanë demonstruesit e mbledhur sot në mesditë (09.07.) në afërsi të stadiumit të pavarësisë Merdeka, në Kuala Lumpur. Mijëra policë kishin rrethuar që nga mesnata gjithë kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur. Të gjitha rrugët hyrëse edhe linjat hekurudhore u bllokuan. Ndërkohë janë arrestuar rreth 650 demonstrues. Reformasi - reforma bërtisnin ata fort para se të futeshin në përdorim ujëhedhësit.

Pamje nga protestat e vitit 2009 në Malajzi
Pamje nga protestat e vitit 2009 në MalajziFotografi: AP

Gjithë mëngjesin policia kontrolli kalimtarët në qendrën e qytetit pothuajse të boshatisur. Edhe Omar Moktar Bin Abdullah është kontrolluar nga forcat policore.

"Policia kryen punën e saj. Ajo na tha që ne duhet të largohemi nga këtu. Por ne jemi të shqetësuar se ata mund të qëllojnë në çdo moment."

Grupi Besih 2.0 i cili angazhohet për më shumë demokraci dhe një sistem të drejtë zgjedhor në Malajzi kishte bërë thirrje për sot për zhvillimin e një demonstrate të madhe në Kuala Lumpur. Në demonstratë priteshin të merrnin pjesë deri në 100 mijë njerëz. Shefi i policisë malajziase Ismael Omar, vlerësoi se protesta mund të rrezikonte rendin dhe qetësinë në kryqytet prandaj nuk dha lejen e nevojshme për zhvillimin e protestës.

Megjithatë në qendër të Kuala Lumpurit u mblodhën mijëra demonstrues, në mesin e tyre shumë gra të mbuluara të cilët nuk deshën t'iu bindën paralajmërimeve të policisë. Sipas reporteres së kanalit të lajmeve Channel News Asia policia reagoi shpejt dhe me ashpërsi:

Në foto, Anwar Ibrahim
Në foto, Anwar IbrahimFotografi: AP

" Këtu në Qendrën Tregtare vetëm ca metra larg Sheshit të pavarësisë gjendja është absolutisht kaotike. Vazhdimisht policia qëllon me gaz lotësjellës që prej se mijëra demonstrues u grumbulluan përkundër ndalimit për ta bërë një gjë të tillë. Kjo gjendje është e padurueshme. Mua mu desh të largohem. Helikopterët fluturojnë pandërprerë mbi kryeqytet."

Gjatë përleshjeve me policisë thuhet të jetë plagosur edhe lideri i opozitës Anwar Ibrahim.

Sipas planifikimeve vitin e ardhshëm në Malajzi do të ketë zgjedhje. Grupi "Bersih 2.0" - Bersih do të thotë "pastërti" kritikon blerjen e përhapur të votave dhe kërkon akses të lirë tek mediet më të rëndësishme të vendit si dhe fushata më të gjata elektorale.

Malajzia që nga shpallja e pavarësisë në vitin 1957 qeveriset nga aleanca partiake Fronti Kombëtar. Kryeministri Najib Razak edhe pse mund të mburret me sukseset e arritura ekonomike megjithatë ndodhet nën presion për shkak të konflikteve të vazhdueshme etnike dhe fetare në Malajzi.

Autor: Udo Schmidt / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama