Demokrati Barack Obama apo republikani John McCain
4 Nëntor 2008Për shkak të interesimit të madh në 30 shtete federale qendrat e votimit janë hapur para kohe, me qëllim që të mos krijohen radhë tepër të gjata. Këtë të martë zgjedhësit po vendosin se cili do të jetë presidenti i 44 i superfuqisë botërore: Demokrati Barack Obama, presidenti i parë me ngjyrë, apo republikani John McCain, presidenti më i moshuar në historinë e SHBA-ve.
Parë nga sondazhet parazgjedhore dhe rezultatet e para të votimeve, Obama është në epërsi të dukshme. Këtë e pranon edhe vetö Karl Rove, figura më eminente e fushatave parazgjedhore republikane: "Sondazhi i fundit ku John McCain ishte në epërsi, daton nga pesë shtatori. Ndërkohë që ka pasur 251 sondazhe të tjera."
Por shtabi i McCainin nuk dorëzohet. Ai ka bërë hulumtimet e veta nëpër shumë shtete dhe pohon se dallimi mes Obamës dhe McCainit po zvoglohet nga dita në ditë. Në fakt ka edhe disa të panjohura shumë të rëndësishme. Si do të votojnë të pavendosurit? Si kanë votuar miliona njerëz që shfrytëzuan të drejtën e votimit të parakohshëm?"
Demokratët thonë se shumica prej tyre kanë zgjedhur Obamën, por për republikanët kjo do të thotë se në ditën e votimit, Obama do të fitojë më pak vota. Ish-senatori i Tenesit Fred Thompson, pohon se republikanët ende nuk kanë humbur.
"Johni është më i forti në fazën përfundimtare. Gjithmonë ishte ashtu, prandaj nuk kanë të drejtë ata që i bienë vizë para kohe. Johni tani është në elementin e tij dhe është shumë larg humbjes. Zgjedhjet ende nuk janë vendosur."
Në fushatën e republikanëve janë futur edhe zëvendëspresidenti Dick Cheney, guvernatori i Kalifornisë Arnold Schwarzenegger dhe të tjerë, të cilët e kritikojnë Obamën për plane socialiste.
"Para katër dekadash kam ikur nga Evropa, sepse socializmi atje i ka rrënuar të gjitha shanset për ngritje", thotë Schwarzenegger.
Përkundër këtyre pozimeve, demokratët janë në epërsi. Shefi i shtabit zgjedhor të Obamës, David Plouffe shpjegon: "Eshtë një përparësi e madhe kur njeriu i merr gjërat në duar të veta. Në shtetet si Indiana, Karolina Jugore apo Florida ekipi i McCainit ishte tepër arrogant. Ata kanë fjetur gjumë, sepse kanë menduar se ne nuk kemi shance për fitore. Sa i përket fushatës dhe organizimit, ne jemi dy te muaj përpara."
Megjithatë, shtabi zgjedhor i Obamës ka vendosur të jetë i përqendruar deri në momentin e fundit, sepse edhe në zgjedhjet e vitit 2004 kandidati i tyre John Kerry, kishte përparësi në sondazhe. Mjaftoi botimi i një videoje të udhëheqësit terrorist Osama bin Laden dhe George Bushi u rizgjodh në këtë post.
Presidenti më i ri amerikan ka qenë Teodor Ruzvelti, i cili u zgjodh në vitin 1901 në këtë post kur ishte më pak se 43 vjeç. Në SHBA ekzistojnë edhe parti të tjera, por që prej vitit 1860 e deri më sot, të gjithë presidentët kanë qenë ose nga radhët e Partisë Demokratike ose asaj Republikane. Tradita do të ruhet edhe kësaj radhe, por ngjarja më e rëndësishme e vitit do të sjellë një risi: Presidenti i ri do të jetë me ngjyrë, apo do të jetë presidenti më i moshuar në historinë amerikane.