1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debati për burkan bllokon integrimin

Gero Schließ18 Gusht 2016

Debati për të ndaluar mbulimin e plotë të grave në Gjermani vazhdon. Por ai e shmang vëmendjen nga thelbi i problematikës së integrimit, thotë sociologu Ludger Pries në intervistë me DW.

https://p.dw.com/p/1Jjse
Zuwanderungsmagnet Deutschland
Fotografi: Ludger Pries

Deutsche Welle: Zoti Prof. Pries, për temën e integrimit është shkruar shumë kohët e fundit. Cili është parimi që ndiqni në librin që keni botuar tani "Migrimi dhe Mbërritja"?

Ludger Pries: Në debatin për refugjatët dhe migrimin në dekadat e fundit ne e kemi mbajtur pak parasysh një aspekt të rëndësishëm: që këtu vijnë njerëz me përvojat dhe me biografitë e tyre dhe sfondin e tyre kulturor. Ne kemi pritur që të gjithë të asimilohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Por për përvojat e tyre jetësore ne thuajse nuk jemi interesuar fare. Kjo kalon si një fill i kuq në të gjithë historinë e imigrimit - që nga të dëbuarit dhe refugjatët pas Luftës së Dytë Botërore deri në punëtorët mysafirë dhe gjermanët etnikë të riatdhesuar.

Çfarë do të thotë kjo për trajtimin e më shumë se një milion refugjatëve, që kanë ardhur tani tek ne?

Ne duhet t'u mundësojmë atyre në dialog jo vetëm mbërritjeje e ardhjeje fizike, por edhe personale, social-kulturore. Kjo në një kohë kur përvojat vetjake të kohës kur kanë ardhur këtu mund t'i përcjellin edhe ata që jetojnë prej brezash këtu ose që jetojnë gjatë këtu. Si përshembull ata me origjinë turke ose njerëz të besimit islam, ose edhe brezi i dytë i gjermanëve etnikë të riatdhesuar. Për këtë ende ka nevojë të flitet shumë.

Ç'pamje konkrete mund të ketë kjo?

Shumë prej refugjatëve janë të traumatizuar dhe është e vështirë që të fillosh bisedë me ta. Po të organizosh tryeza të rrumbullakta në nivel lagjeje ose komune, mund t'i bësh më lehtë refugjatët që të flasin. Këtu bën pjesë edhe që t'i afrosh ata me njerëz që kanë pasur përvoja të ngjashme si refugjat dhe si i porsambërritur.

Gjermanët shqetësohen se do të përsëriten atentatet me sfond islamist. Sa me gjasa e konsideroni këtë?

Shumica e refugjatëve të ardhur këtu vitin e fundit kanë kaluar përvoja traumatike. Në persona të veçantë kjo mund t'i shtojë gjasat për t'u tërhequr nga aktet e dhunës ose ato terroriste. Por kjo mundësi është e madhe edhe tek jo-refugjatët, që kanë probleme specifike psikike, siç e dimë nga shumë vrapime në amok dhe atentate terroriste në shumë vende. Edhe njëherë: integrimi bëhet vetëm përmes adaptimit dhe pranimit. Po t'i shohim të gjitha rastet e atentateve terroriste të katër javëve të fundit në Gjermani, atëherë ne e shohim fare qartë se pikërisht kjo ishte me rëndësi qendrore për dështimin personal të këtyre njerëzve.

Si e vlerësoni në këtë kuadër diskutimin aktual në Gjermani për një ndalim eventual të mbajtjes së burkas ose kërkesën që të eleminohet nënshtetësia e dyfishtë?

Politikanët ndodhen nën presion të madh që të bëjnë diçka. Nga kjo shpesh merren vendime që nuk të çojnë larg. Këtë shoh edhe në diskutimin për ndalimin e burkas dhe në çështjen e nënshtetësisë së dyfishtë. Nënshtetësia e dyfishtë ka rëndëssi, sepse shumë njerëz ndihen pjesë e qarqeve të ndryshme kulturore. Atentatorët e Parisit ose të Brukselit nuk kishin nënshtetësi të dyfishtë, por nuk ishin të integruar ose të pranuar. Prandaj eleminimi i nënshtetësisë së dyfishtë nuk do t'i zgjidhë problemet që kemi përpara. Ndoshta një pjesë e debatit të mikpritjes u zhvillua në mënyrë disi naive. Por për këtë shkak ne nuk duhet të kalojmë tani në ekstremin tjetër dhe të përqafojmë kërkesa, të cilat në mënyrë definitive nuk i zgjidhin problemet tona.

Përsa i përket ndalimit të burkës duhet thënë: liria e ushtrimit të fesë kanë një peshë të madhe tek ne. Kufijtë e mbajtjes së simboleve fetare në publik, në veprime zyrtare para gjyqit ose në shkolla duhet të diskutohen në mënyrë shumë të diferencuar. Që të shohësh në ndalimin e plotë të burkas ndonjë zgjidhje, kjo të çon krejtësisht në rrugë të gabuar.

Këto diskutime bllokojnë integrimin. Në fund ato tërheqin vëmendjen nga problemet e mirëfillta, pikërisht nga detyrat e lidhura me procesin e mbërritjes në një vend dhe me integrimin, të cilin duhet ta bëjë e gjithë shoqëria.