1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debati mbi të drejtën e fjalës në Parlament

17 Prill 2012

Kufizimi i së drejtës së fjalës ka provokuar kritikë të ashpër. Do t'i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, kërcënojnë deputetët. Ata druajnë se janë në rrezik liria e deputetëve dhe thelbi i demokracisë.

https://p.dw.com/p/14f2A
Fotografi: dapd

Nuk do të lejojmë që të na e bëjnë këtë, shfryjnë deputetë të të gjitha fraksioneve. Ata druajnë minimin e parlamentarizmit dhe degradimin e Bundestagut në një organ të miratimit të organizuar. Mirëpo, nuk është ky kuptimi i demokracisë së gjallë, thonë ata.

E drejta e fjalës për deputetët në Bundestag është e rregulluar qartë. Në paragrafin 35 janë përcaktuar forma dhe koha e një debati parlamentar. "Një folës i vetëm", thuhet në të, nuk lejohet të flasë në një fjalim "më shumë se 15 minuta". Po qe se kalohet kjo kohë fjalimi, "presidenti t'ia ndërpresë fjalën pasi ta ketë paralajmëruar një herë." Për një kufizim të mëtejshëm, për shembull për refuzim parimor a shkurtim të së drejtës së fjalës nuk gjen gjë deri tani në rendin e punës të Bundestagut Gjerman.

Debati mbi shpëtimin e euros

Me sa duket partitë qeveritare dhe Partia Socialdemokrate (SPD) duan ta ndryshojnë këtë tani. Shkak për këtë ishte debati mbi shpëtimin e euros, gjatë të cilit kryetari i Bundestagut Norbert Lammert (CDU) ua dha fjalën edhe atyre parlamentarëve nga radhët e Partisë Demokristiane (CDU) dhe të Partisë Liberale (FDP), të cilët u shprehën kundër politikës së mbështetur nga qeveria. Derisa Norbert Lammert e arsyetoi vendimin me kokë të vet duke vënë në dukje të drejtën e fjalës së çdo deputeti, dy partitë argumentuan me të drejtën e fraksioneve për ta përcaktuar vetë listën e folësve.

Fraksionet e qeverisë dhe të SPD-së donin që në të ardhmen të lejoheshin të flisnin në plenum vetëm ai deputet, i cili është caktuar ta bëjë këtë prej fraksionit. Kështu (kjo ishte llogaria) do të mund të influencoheshin më lehtë në të ardhmen debatet delikate dhe do të mund të mbylleshin në përputhje me mendimin e fraksionit shumicë.

Kryetari i Parlamentit Norbert Lammert u qortua ngaqë u dha fjalën disa deputetëve gjatë debatit për euron
Kryetari i Parlamentit Norbert Lammert u qortua ngaqë u dha fjalën disa deputetëve gjatë debatit për euronFotografi: picture-alliance/dpa

Detyrim fraksioni

Zyrtarisht në Gjermani nuk lejohet të ketë "detyrim fraksioni", pasi një arritja e një sjelljeje të tillë të njësuar brendapërbrenda një fraksioni konsiderohet si antikushtetuese. Prandaj veprimi i bashkërenduar emërtohet "disiplinë fraksioni". Kësaj disipline i nënshtrohen shumica e deputetëve, sepse nëpërmjet mosmarrjes parasysh në zgjedhjet e radhës partitë kanë në dorë një mjet trysnie të fortë. 

Deputeti liberal Frank Schäffler ishte njëri prej atyre devijuesve, të cilët shfrytëzuan të drejtën e tyre të fjalës gjatë debatit mbi euron. Të hënën e 16.04.2012 ai u ankua se "rendi parlamentar në Gjermani" nuk parashikon që, "deputetët thjesht të ngrenë dorën dhe të flasin." Me këtë kritikë ai nuk ishte i vetëm, pasi në të gjitha fraksionet u ndie qëndresë kundër rregullimin të ri të planifikuar të së drejtës së fjalës në Bundestag.

Liria e deputetit

E drejta e fjalës bën pjesë te pjesët përbërëse të domosdoshme të demokracisë parlamentare, për këtë pajtohen kritikuesit e një rregullimi të ri. Në qoftë se ajo do të kufizohej (thotë për shembull Jens Bertrams nga Lajpcigu në blogun e tij „Wahrenhaus“) "liria e deputetit do të kishte pjesërisht mbivendosje". Atëherë ligjet do të shpjegoshin nga folësit e specializuar të fraksioneve. Më pas deputetëve do t'u kërkohej miratimi dhe ligji do të diskutohej dhe vendosej në plenum nga një listë folësish, e kontrolluar prej udhëheqjes së fraksionit. Kjo nuk ka më gati asgjë të përbashkët me një demokraci të gjallë dhe me rezultat të papërcaktuar, thotë Betrams.

Për deputetin e CDU-së Klaus-Peter Willsch kjo është e papranueshme: "Unë nuk do të lejoj të më hiqet e drejta që të them atë që më dikton ndërgjegjja ime." Shefat e fraksioneve t'i japin fund keqpërdorimit të Parlamentit si objekt i "inskenimit të tyre", vijon ai. Pyes veten nëse e ka radhën të vijë "ndalimi i publikimit apo arresti shtëpiak? (thotë Willsch). Në qoftë se vendoset rregullimi i ri i së drejtës së fjalës prej udhëheqjeve të fraksioneve, atëjerë nuk e përjashtoj ankimin në Gjykatën Kushtetuese në Karlsruhe thotë ai dhe mbështetet prej parlamentarit ekologjist Hans-Christian Ströbele.

Paralajmërohet tërheqje

Protesta masive bëri me sa duket që të hënën pasdite fraksionet qeveritare dhe ai i SPD-së të paralajmëronin se do ta rishikonin edhe një herë projektin. Udhëheqësi i grupit të punës së CDU-së në Parlament, Peter Altmeier, tha në Berlin se mendonte "që do të gjehet një rregullim në mirëkuptim, i cili i kushton rëndësi të madhe së drejtës së çdo deputeti për të folur dhe bën të mundur aftësinë e Parlamentit për të funksionuar.

Edhe FDP-ja po distancohet nga ndryshimi i theksuar i së drejtës së fjalës në Bundestag. Do t'u afrohemi kritikuesve dhe "do gjehet një zgjidhje me mbështetje të gjerë", tha udhëheqësi i grupit të punës të FDP-së në Parlament Jörg van Essen.

Autor: Matthias von Hellfeld / Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica