Evropa po e vëzhgon Ukrainën
5 Maj 2012Kryeministri i Ukrainës, Nikolai Asarov, kërkoi nga Perëndimi që të mos pranojë në mënyrë jokritike raportet në lidhje me keqtrajtimet e supozuara ndaj politikanes së opozitës, Julia Timoshenko. Çdo informatë duhet të shqyrtohet me saktësi, shkruan Asarov në shërbimin e internetit Facebook. Hetimet e ditëve të kaluara i kanë hedhur sipas tij poshtë si të pavërteta pohime të tilla.
Julia Timoshenko ka rënë dakord që të trajtohet nga ana mjekësore në vendlindjen e saj, por nga një mjek gjerman. Ish-kryeministrja vuan nga një shkarje e diskut ndërruazor dhe sipas të dhënave të saj, ndodhet që prej dy javësh në grevë urie për t'i detyruar autoritetet që të lejojnë trajtimin e saj mjeksor jashtë burgut. Disa mjekë dhe diplomatë gjermanë e kanë vizituar të premten (04.04.12) në burg ish-kryeministren Timoshenko.
Ndërkohë debati mbi qëndrimin ndaj Ukrainës në lidhje çështjen e udhëheqëses së opozitës Julia Timoshenko, e cila ka më shumë se dy javë në grevë urie po vazhdon.
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, tha se "Është e qartë se këtu bëhet fjalë për një proces shumë serioz dhe unë e mirëpres që gjithnjë e më shumë vende evropiane po e mbështesin qëndrimin gjerman ndaj këtij rasti. Unë nuk e kam fjalën për një bojkot të Kampionatit Evropian të Futbollit apo për ndonjë thirrje për bojkot, por unë jam i interesuar që t'i vihet në ndihmë zonjës Timoshenko; kjo është edhe detyra ime si ministër i Jashtëm."
"Qeveria federale gjermane pret nga Ukraina jo vetëm një zgjidhje të çështjes Timoshenko, por respektimin e të drejtave të njeriut në qëndrimin e saj ndaj të gjithë opozitës, tha ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich (CSU), për gazetën "Bild am Sonntag". Ai i përshëndeti deklaratat për bojkotimin e Kampionatit Evropian të Futbollit në Ukrainë. Ukraina e di se "Evropa është duke e vëzhguar Ukrainën dhe për këtë debati i tanishëm është mjaft i dobishëm dhe lidhet me shqetësimin tonë." - tha Friedrich.
Autor:dpa/ Esat Ahmeti
Redaktoi: Aida Cama