1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ungarn EU Medien

8 Janar 2011

Për Komisionin Evropian nuk do të jetë i lehtë debati me Hungarinë për ligjin e kontestuar të mediave të këtij vendi. Jo vetëm për faktin se kryeministri hungarez Viktor Orban vepron me shumë taktikë.

https://p.dw.com/p/zv4K

Viktor Orban ka gjetur një taktikë të mençur: "Po, po qe se ka rezerva të justifikuara, ne do ta ndryshojmë ligjin për mediat." Kështu ai nuk e bllokon Komisionin Evropian, por kërkon thjesht dhe në mënyrë prekëse dëshmi për kritikat.

Por pikërisht gjetja e këtyre dëshmive nuk është e kollajtë, sepse fundamenti mbi të cilin lëviz Komisioni Evropian është i hollë. Juristët e KE-së duhet të lexojnë të 200 faqet e ligjit për mediat dhe të provojnë nëse nenet e tij bien ndesh me rregulloren evropiane të vitit 2007, e cila përcakton të drejtat e dëgjuesve dhe teleshikuesve.

Për ta theksuar edhe njëherë, kjo rregullore nuk përcakton lirinë e mediave, por të drejtat e dëgjuesve dhe teleshikuesve. Sa zigzage duhet të bëjë Komisioni për të futur vlerat e përbashkëta në BE dhe para së gjithash për t'i ruajtur ato?

Treffen Orban Barroso Ungarn
Barroso dhe kryeministri hungarez Viktor Orban biseduan për ligjin hungarez të mediaveFotografi: picture-alliance/dpa

Pika tjetër: Marrëveshja e Lisbonës. Aty shkruhet: Kush i shkel idealet e Unionit, atij mund t'i hiqet e drejta e votës - në rastin më ekstrem. Edhe për këtë duhen gjetur fillimisht provat. Kjo nuk është aq e lehtë, sepse ligji sapo është miratuar. Se si do të zhvillohet kjo histori, dihet: Juristët e BE-së do të kontrollojnë, mbikëqyrësit në Hungari do të disiplinohen, dhe gjashtë muajt e presidencës do të ikin fluturimthi. Dhe kur stafeta evropiane t'i jepet Polonisë, atëherë nuk do të kujtohet kush për Hungarinë. Orban pastaj mund të kuptojë: Ligji u shpëtua, imazhi po ashtu, dhe pas kësaj autoriteti hungarez i mbikëqyrjes së mediave fillon seriozisht nga puna.

Për të penguar këtë ka dy shpresa: Parlamenti Evropian dhe shefat e shteteve dhe qeverive evropiane. Mjaft eurodeputetë duan ta rrëzojnë ligjin hungarez. Ata kanë pak në dorë për ta bërë këtë, po të kujtojmë që mjaft europarlamentarë konservatorë duan ta mbrojnë qeverinë po ashtu konservatore të Budapestit.

Mbeten shefat e qeverive dhe shteteve të BE-së. Edhe ndër ta ka disa që duan ta mbrojnë Orbanin, si për shembull Berlusconi. Kryetari i qeverisë italiane qëndron në pushtet, sepse i ka në dorë mediat italiane dhe e ka kufizuar lirinë e shtypit.

Përmbledhtazi - kohë jo të mira për lirinë e shtypit në Evropë. Por po qe se eurodeputetët dhe qeveritë nuk arrijnë të mbrojnë lirinë e mediave në Evropë, atëherë ata nuk duhet të habiten me pakënaqësinë e evropianëve ndaj BE-së. Pikërisht në çështje të tilla krijohet zhgënjimi.

Autor: Christoph Prössl

Redaktoi: Arapi/Ajazaj