1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

De Maizière: E papranueshme që shqiptarët pretendojnë përndjekjen politike

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë deklaroi në Tiranë se azilkërkuesit shqiptarë do të mbahen në strukturat e para të pritjes, që brenda 3 javësh të merret vendimi i refuzimit për kërkesën e tyre.

Thomas de Maizière u rikthye në Tiranë pas rreth katër muajsh, por tha se homologun shqiptar ishte në kontakt të vazhdueshëm, në takime ndërkombëtare apo në komunikim të drejtpërdrejtë. Ai njoftoi se nga 1 janari 2016 Gjermania do të atashojë një oficer ndërlidhës në sektorin e luftës kundër krimit të organizuar. De Maizière e përshkroi luftën kundër kriminalitetit dhe kundër korrupsionit si mjaft të rëndësishme, “sepse krimi i organizuar dhe kriminaliteti janë si një formë tumori në shoqëritë tona”. Ministria e Brendshme gjermane ka në planet e saj të javëve në vijim sjelljen e një eksperti nga Zyra Federale e Krimeve, i cili sipas Thomas de Maizière, do të këshillohet e konsultohet se si mund të formësohet në mënyrë sa më profesionale dhe efektive të mundshme lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

De Maizière: E sigurt është që të gjithëve do t'u refuzohet aplikimi për azil

Temë kryesore për të cilën Ministri Federal i Punëve të Brendshme të Gjermanisë ka biseduar në Shqipëri ishte dhe ajo e azilkërkuesve, për të cilën ai artikuloi qartë se ishte e papranueshme që shtetas nga Shqipëria pretendonin tek autoritetet gjermane se ishin të përndjekur politikisht. “Shqipëria është një vend i origjinës i sigurt, Shqipëria ka një sistem demokratik, ndaj nuk ka arsye pse të pretendohet që këtu ekziston përndjekje politike”.

Numri i azilkërkuesve me dokumente shqiptare identifikimi të cilët kanë aplikuar pranë autoriteteve gjermane është rreth 50 mijë vetë. Në muajt e fundit shifrat kanë rënie, por sipas Thomas de Maizière, ende kuotat janë shqetësuese, ku ai ju referua muajit të kaluar me 4 mijë kërkesa për azil.

“Shpesh shqiptarët vijnë në Gjermani duke qenë plotësisht të qartë për arsyet për të cilat ata kanë ardhur atje. Ata shprehen se e dinë të gjithë që nuk ia vlen të përmendet arsyeja e përndjekjes politike, por sepse ata janë aty për të kërkuar punë dhe për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës. E sigurt është që të gjithë këtyre do t'u refuzohet aplikimi për azil. Është thënë në Shqipëri se ekzistojnë disa faktorë që i tërheqin shtetasit shqiptarë që të shkojnë drejt Gjermanisë. Sikurse mund të jenë, që në momentin e mbërritjes atje ata do të marrin mbështetje financiare, do t'u jepet punë, do t'u jepet shtëpi. Asnjëra nga këto nuk është e vërtetë. Krejt në të kundërtën në jemi përpjekur kohët e fundit, pra të reduktojmë të gjithë këta faktorë që nxisin shqiptarët në këtë lëvizje të tyre, sikurse është të zëvendësojmë asistencën financiare me shërbime, të përshpejtojmë procedurat”.

Sajmir Tahiri dhe Thomas de Maiziére

Sajmir Tahiri dhe Thomas de Maiziére

Ministri Federal i Punëve të Brendshme të Gjermanisë shpjegoi shkurtazi procedurën me kërkesat për azil nga Shqipëria: do të priten fillimisht në strukturat e para të pritjes, në mënyrë të tillë që brenda tre javësh të merret vendimi i refuzimit për azilkërkimin e tyre.

Tahiri: Pjesa më e madhe e azilkërkuesve rezidentë nga Greqia

Saimir Tahiri përmendi në bashkëpunimin mes dy vendeve sidomos sektorin e forcave speciale të policisë shqiptare, si dhe departamentin e krimit të organizuar. Ai e ka informuar homologun e tij De Mazière mbi masat e marra ndaj fluksit të azilantëve nga Shqipëria për në Gjermani, si dhe procesin e ndërgjegjësimit konstant duke i bërë të ditur qytetarëve se praktikisht mundësitë për të fituar azil në vendet e Bashkimit Evropian në mënyrë të veçantë në Gjermani janë zero.

Sipas të dhënave që njoftoi ministri Tahiri, daljet nga kufiri shqiptar nga pikat e kalimit kufitar të Republikës së Shqipërisë janë vetëm 0.6% më shumë krahasuar me ato të një viti më parë, gjë që, sipas tij, do të thotë, se bazuar në të dhënat që disponohen, pjesa me e madhe e azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani janë shqiptarë prej kohësh rezident në Greqi. Saimir Tahiri nënvizoi se për frenimin e kërkesave për azilkërkim po kërkohen rrugë konkrete për incentiva të ligjshëm, që do të bënin të mundur punësimin e ligjshëm të shtetasve shqiptarë në Gjermani.

“Kjo do të thotë që nga njëra anë ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me njëri- tjetrin për të frenuar azilkërkimin e paligjshëm dhe nga ana tjetër për të zhvilluar programe adekuate për punësimin e ligjshëm të shtetasve shqiptarë në Gjermani, dhe bashkëpunimi intensiv ndërmjet dy vendeve do të zhvillojë mundësi reale për të siguruar punësim të ligjshëm në Gjermani”.

Enton Abilekaj nga News24

Enton Abilekaj nga News24

Ngjallja e shpresës për qytetarët

Drejtori i Lajmeve në Televizionin News 24, Enton Abilekaj i lidh kërkesat për azil me situatën ekonomike dhe sociale të vendit, ku sipas tij qeveria është penguese për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Të pashpresët nuk largohen dot nga Aeroporti i Rinasit për arsyen e vetme se janë të varfër, thotë ai për Deutsche Welle-n.

“Nuk marrin dot as pasaportat biometrike, nuk mund të marrin dot as autobusin nëse nuk marrin borxh. Kjo është shumë më tepër seç mund të kërkojnë autoritetet gjermane nga ato shqiptare. Mendoj se po shkelen të drejtat e njeriut për të ndaluar emigrimin. Megjithatë ende ka shumë që i hyjnë aventurës: katër mijë qytetarë vetëm në muajin tetor. Autoritetet gjermane nuk mund të kërkojnë më shumë masa për ndalimin. Ato duhet të kërkojë nga homologët shqiptarë ndalimin e politikës së nxitjes së emigrimit, ndalimin e qeverisjes së keqe, plaçkitjen e mëtejshme të atyre që nuk kanë më çfarë të japin, korrupsionin, arrogancën që vret shpresën”.

Publicisti Armand Plaka, ndjekës i afërt i marrëdhënieve shqiptaro-gjermane, mendon se përballë fluksit për azilim, autoritetet, por dhe shoqëria në përgjithësi duhet të ngjallin shpresën për qytetarët, për të vijuar përpjekjet për më shumë punësim e standarde jetese. Të merren masa e të mos lejohet manipulimi i qytetarëve nga njerëz që duan thjesht të përfitojnë duke i premtuar atyre parajsën, thotë Plaka për Deutsche Welle-n.

Armand Plaka

Armand Plaka

“T'u bëhet mese e qartë se rruga që kanë zgjedhur është e gabuar, pasi nuk u siguron asgjë veç iluzioneve. Kjo dhe pse Shqipëria është përfshirë në listën e vendeve të sigurta të origjinës. Lëvizja me shpresëdhënëse në këtë aspekt, efektet e të cilës do mund të shihen ndoshta pak vite më vonë, është edhe riorientimi drejt arsimit profesional, shoqëruar me raste konkrete bashkëpunimi me palën gjermane, për përthithjen e kontigjenteve të mirëtrajnuara e të afta, të cilat do mund të përkthehen në terma afatgjatë jo vetëm në perfitime materiale. Gjithashtu janë për t'u inkurajuar edhe disa lëvizje lehtësuese ligjore nga pala gjermane që lidhen me tregun gjerman të punës, të cilat sidoqoftë duhen konkretizuar, pasi mund të keqinterpretohen e të mos arrijnë objektivat e synuara”.