1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Republikanët janë problemi!"

Michael Knigge/Eliana Xhani 2 Tetor 2013

Në SHBA shumë autoritete shtetërore janë prej të martës (1.10.) të mbyllura: ka nisur një vit i ri buxhetor, ndërkohë që politikanët nuk kanë mundur të bien dakord për buxhetin. Intervistë me politologun James Davis.

https://p.dw.com/p/19sRl
Politologu James Davis
Fotografi: picture-alliance/dpa

Politologu amerikan James Davis shpjegon përse republikanët janë fajtorët për bllokimin e buxhetit dhe çfarë do të thotë një "shutdown" i qeverisë për SHBA-në dhe botën.

DW: A u habitët që kriza e buxhetit në SHBA shpërtheu vërtet dhe "government shutdown" u bë realitet?

James Davis: Nuk besoj se u habita shumë. Të gjitha shenjat e ditëve të fundit tregonin në drejtimin e një shutdown. Duket se krahu i djathtë i partisë Republikane, pjesa Tea Party e kësaj partie, nuk është e gatshme për kompromis në këtë çështje. Ata mendojnë se me anë të bllokimit të buxhetit dhe pezullimit të punës së qeverisë, do të bëjnë në një farë mënyre të mundur kthimin mbrapsht të reformave në shëndetësi, miratimin e të cilave Presidenti Obama e arriti në mandatin e tij të parë. Dhe presidenti nuk është aspak i gatshëm të bëjë kompromis në këtë pikë. Pra të gjitha shenjat tregonin në atë drejtim.

Kush e ka fajin? Vetëm Partia Republikane? Dhe kush përfiton nga shutdown?

Mendoj se fajtore është Partia Republikane. Origjina e problemit është në polarizimin e kësaj partie: është një parti e cila ka një krah të djathtë që nuk është më i gatshëm të mbështesë liderët e partisë.

Me zëdhënësin e Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner, kemi një njeri që druhet mos humbasë punën e tij dhe për këtë arsye nuk është i gatshëm të prezantojë projektligjet e Senatit në Dhomën e Përfaqësuesve. Ndërkohë ato ndoshta do të kalonin atje, pasi demokratët do të votonin pro dhe ka mjaft republikanë të moderuar, të cilët do të ishin të gatshëm të jepnin votat e tyre në mënyrë që qeveria të ishte dhe më tej e aftë të punonte.

Republikani John Boehner
Republikani John BoehnerFotografi: Reuters

Çfarë do të thotë konkretisht i ashtuquajturi shutdown për punonjësit e sektorit publik dhe qytetarët amerikanë?

Rreth 800.000 punonjës të shtetit tani mund të rrinë në shtëpi. Shumë zyra do të mbeten të mbyllura. Kjo do të thotë: të gjitha shërbimet që qytetarët marrin nga shteti nuk do t'i marrin më me përjashtim të disave që janë shumë të rëndësishme. Besoj se ushtarët pak a shumë do të vazhdojnë të paguhen. Misione si ai në Afganistan apo të tjerë, nuk do të marrin fund menjëherë sepse nuk do ketë më para për to. Por qytetarët në jetën e përditshme do t'i ndiejnë pasojat kur pagesa të ndryshme do të vijnë me vonesë apo në spitale të caktuara që financohen nga shteti, puna do të ngadalësohet.

Këto pasoja do të ndihen dhe unë besoj se kjo është ajo që do Presidenti Obama. Ai thjesht do që qytetari amerikan të kuptojë se për çfarë i paguan taksat dhe që përfytyrimet e krahut të djathtë të republikanëve janë thjesht të marra. Shteti nuk mund të financohet pa para.

Çfarë mesazhi dërgon në botë dështimi i buxhetit të SHBA-së?

Një mesazh shumë negativ. Sytë janë drejtuar nga Uashingtoni dhe pyetja është se çfarë vendi është ky. Në fund të fundit është pikërisht ky vend që predikon në gjithë botën demokracinë dhe kërkon të marrë një rol drejtues, ndërkohë që nuk është në gjendje as të miratojë një buxhet të vetin.

Capitol
Sinjal negativ për opinionin ndërkombëtar - Kongresi në SHBA nuk bie dakord për buxhetinFotografi: Reuters

A mund të ketë pasoja për politikën e jashtme dhe të sigurisë të SHBA-së, pra ambasadat dhe strukturat ushtarake nëpër botë?

Strukturat ushtarake do të kursehen por konsullatat dhe ambasadat me siguri do të jenë të prekura. Kur para gati 20 vjetësh patëm diçka të ngjashme, rreth shtatë milionë kërkesa për vizë nuk u përpunuan në kohë dhe këtë do ta ndiejnë edhe turistët apo sipërmarrësit, të cilët ndoshta presin për një vizë.

Pyetja më e rëndësishme tani është: çdo të ndodhë pas kësaj?

Kjo është një pyetje e mirë. Unë do thoja se dikur republikanët do të kapitullojnë. Mendoj se pokeri politik do të vazhdojë edhe ca ditë dhe dikur zëdhënësi Boehner do të kuptojë se duhet të bëjë diçka për ta thyer këtë bllokadë. Atëherë do të kemi një buxhet kompromisi dhe një numër të mjaftueshëm republikanësh liberalë që do të bashkohen me demokratët për ta kaluar atë.

James Davis është drejtor i Institutit për Shkenca Politike dhe profesor për politikë ndërkombëtare në Universitetin St. Gallen.