1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Daciq në Kosovë, përcjell mesazh paqeje

Bekim Shehu19 Tetor 2013

Kryeministri i Serbisë Ivica Daciq, gjatë vizitës së tij në komunën e Gracanicës, tha se ka ardhur të përcjell mesazhin e paqes të një jete të përbashkët. Ivica Daciq e viziton Kosovën me leje të qeverisë në Prishtinë.

https://p.dw.com/p/1A2bw
Kryeministri i Serbisë Ivica Daciq
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, po qëndron në Kosovë, në komunën e Gracanicës e banuar më shumicë serbe, komunë kjo jo larg Prishtinës. Vizita në Kosovë e kryeministrit të Serbisë, është lejuar nga qeveria e Kosovës, pasiqë është cilësuar me karakter fetar edhe pse po realizohet në kohën e fushtës zgjedhore për zgjedhjet lokale të tre nëntorit, në të cilat pritet të marrin pjesë edhe serbët e Kosovës.

Kryeministri serb Daciq, vizitoi Manastirin e Gracanicës, vizitë të cilën e cilësoi tejet të rëndësishme: “Ne dëshirojmë të përçojmë mesazhin e paqes dhe mesazhin e një jete të përbashkët. Vizita ime këtu tregon dhe është është mesazh se Serbia kujdeset për popullin e saj, për qytetarët e saj. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Gjithçka tjetër, është çështje e politikës ditore. Me rëndësi është që serbët të jenë të bashkuar”, citojnë mediat lokale serbe kryeministrin Ivica Daciq.

Vizita në Kosovë e kryeministrit të Serbisë, Ivica Daciq, po realizohet në masa të rrepta të sigurisë nga policia e Kosovës. Vizita e kryeministrit të Serbisë, u realizua pothuaj në të njetën kohë kur subjekti politik “Iniciativa Qytetare Serbe”, mbante tubim elektoral për zgjedhjet lokale të tre nëntorit. Kjo iniciativë e ka përkrahjen e qeverisë së Serbisë, ndonëse Daciq, sipas mediave lokale serbe, nuk mori pjesë në tubim.

“Nuk më takon që të marr pjesë në tubime partiake, por është e qartë se kë mbështet Serbia. Unë nuk mund të votoj, sepse janë zgjedhje lokale dhe unë nuk kam vendbanim në Kosovë”, u shpreh kryeministri i Serbisë.

Vizitën në Kosovë të kryeministrit të Serbisë Ivica Daciq e ka lejuar qeveria e Kosovës, për faktin që siç tha një ditë më parë kryeministri i Kosovës Hashim Thaci, kjo vizitë ka karakter religjioz. ´“Unë konsideroj se nuk ka asnjë arsye që të mos lejohet një vizitë e tillë. Kosova është shtet modern dhe i pavarur dhe ne i ndajmë vlerat e përbashkëta civilizuese perëndimore. Prandaj, duke qenë një popull i civilizuar dhe i qytetëruar, ne duhet të kemi mirëkuptim edhe për vlerat religjioze dhe ato humanitare edhe të popujve tjerë, në këtë rast edhe të qytetarëve serbë, të cilët janë pjesë e vlerave kulturore dhe religjioze të Kosovës”, tha një ditë më parë kryeministri Thaci.

Kosova dhe Serbia në prill të këtij viti arritën marrëveshje për normalizim të raporteve. Dhe pikërisht në linjën e permirësimit të raporteve e sheh kryeministri kosovar, vizitën në Kosovë të homologut të tij serb Ivica Daciq. “Kosova ka edhe detyrime shtetërore kundrejt marrëveshjeve të arritura në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe lirinë e lëvizjes” shprehet kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci.