1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Daçiq: "Për Kosovën duhet luftuar me mjete diplomatike..."

Intervistën e zhvilloi Bahri Cani8 Qershor 2008

Intervistë me kryetarin e Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq.

https://p.dw.com/p/EFhe
Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq
Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica DaçiqFotografi: AP

Sllobodan Millosheviqi fajësohej për krime lufte në Kosovë dhe Kroaci dhe genocid në Bosnje-Hercegovinë. Vetëm vdekja e shpëtoi nga dënimi për krimet e bëra në vitet 90-ta, kur shtyllën më të madhe mbështetëse kishte Partinë socialiste. Nga vdekja e Millosheviqit kaluan vetëm disa vite, e socialistët sërish janë bërë ndër faktorët më të rëndësishëm në Beograd. Pa këtë parti nuk mund të krijohet shumica parlamentare - qoftë ajo e bllokut nacionalist apo pro-evropian.

Lideri i socialistëve Ivica Daçiq, konsiderohet tani një prej bartësve të shpresave serbe, për proceset integruese evorpiane. Këto ditë e kanë kontaktuar atë shumë burrështetas perëndimorë, me shpresë se do të futet në koalicion me Partinë Demokratike të Presidentit Boris Tadiq. Mirëpo ai fillimisht ka zhvilluar dhe po zhvillon negociata me radikalët dhe Partinë demokratike serbe, të kryeministrit në detyrë, Vojisllav Koshtunica.

Deutsche Welle: Cilat janë prioritetet e socialisteve për krijimin e qeverisë?

Ivica Daçiq: Parimi i parë është mbrojtja e interesave kombëtare dhe shtetërore. Parimi i dytë janë integrimet evropiane dhe i treti është drejtësia sociale, që na dallon nga të gjitha partitë e tjera.

Deutsche Welle: Deri ku keni mbërritur në negociatat me radikalët dhe demokratët e Koshtunicës? Jeni afër koalicionit qeveritar?

Ivica Daçiq: Ne jemi dakorduar mbi parimet kryesore për krijimin e qeverisë. Kemi hartuar pesë parime, ndërsa grupet e punës janë duke shqyrtuar mundësitë për realizimin e kërkesave tona sociale dhe ekonomike. Jemi duke bërë edhe analizën juridike për realizimin e Marrëveshjes së stabilizim – asociimit me BE-në. Hapi tjetër do të jetë harmonizimi i qëndrimeve brenda koalicionit, sepse në koalicionin tonë janë tri parti: Partia Socialiste, Serbia Unike dhe Partia e Pensionistëve. Pa pëlqimin e këtyre tri partive, nuk mund të krijohet shumica parlamentare në Serbi. Këtë e them për shkak se brenda koalicionit tonë ekzistojnë mendime të ndryshme për disa çështje.

Deutsche Welle: Këto dallime brenda koalicionit kanë dalur këto ditë shumë hapur në opinion. Lideri i Serbisë Unike, Dragan Markoviq Palma i ka shpallur të dështuara negociaotat me radikalët dhe Koshtunicën, për shkak të qëndrimit antievropian të Koshtunicës dhe ka kërkuar fillimin e negociatave me demokratët e Tadiqit. Ndryshe ai kërcënon me bllokimin e negociatave dhe krijimin e shumicës parlamentare...

Ivica Daçiq: E thashë edhe më parë se ka dallime. Serbia Unike kërkon ratifikimin e Marrëveshjes së stabilizim-asociimit me BE-në. Ndërkohë që edhe dy partitë tjera mendojnë se nuk do të ishte mirë që hapi i parë i Qeverisë së re të jetë anullimi i marrëveshjes me BE-në, sepse ky nuk është mesazh i mirë për Evropën. Këto ditë do të ulemi së bashku dhe do të vendosim, nëse ka mundësi për krijimin e shumicës parlamentare apo jo.

Deutsche Welle: Ekspertët e Partisë demokratike serbe edhe një herë kanë kundërshtuar marrëveshjen me BE me shpjegimin se në këtë dokument duhet të thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë. Palma kërkon anullimin e bisedimeve me Koshtunicën, ju kërkoni të mos anullohet marrëveshja me BE... do të thotë koalicini me Koshtunicën është i pamundur?

Ivica Daçiq: Të gjithë partitë e koalicionit tonë janë kundër anullimit të Marrëveshjes me BE, ndërsa Serbia Unike është për miratimin e saj. Ne do të përpiqemi të gjejmë një qëndrim të përbashkët, sepse ndryshe, në këtë moment nuk do të ketë shumicë parlamentare në Serbi.

Deutsche Welle: Kjo shumicë mund të krijohet me bllokun proevropian të presidentit Tadiq. Jeni ju të gatshëm për bisedime të tilla?

Ivica Daçiq: Socialistët duan të jenë korekt: përderisa vazhdojnë negociatat me këto parti, ne nuk kemi biseduar dhe nuk do të bisedojmë me askend tjetër. Këto ditë do të kërkojmë përgjigje konkrete nga bashkëbiseduesit. Ndryshe, do të gjendemi para dilemës: zgjedhje të jashëzakonshme apo negociata me Partinë Demokratike.

Deutsche Welle: Për çfarë do të vendosni ju, nëse vie deri tek kjo situatë: zgjedhje apo negociata me bllokun pro-evropian?

Ivica Daçiq: Shpresoj se bisedimet me Partinë demokratike serbe do të përfundojnë me sukses. Për ne është me rëndësi që brenda koalicionit të kemi një qëndrim të përbashkët rreth krijimit të shumicës parlamentare.

Deutsche Welle: Sa real është rreziku për përçarjen e koalicionit tuaj, sepse Serbia Unike ka kërkuar ndërprerjen e bisedimeve me radikalët dhe Koshtunicën?

Ivica Daçiq: Përçarja nuk është e mundur dhe nuk do të ndodhë. Për këtë arsye edhe duam të marrim një qëndrim të përbashkët: të gjithë apo asnjë. Në koalicionin tonë kemi një marrëveshje sipas së cilës partitë anëtare mund të bisedojnë dhe bashkëpunojnë me të tjerat, por pa Partinë socialiste nuk mund të futen në koalicione.

Deutsche Welle: Çështja e Kosovës dhe raportet me Evropën ishin gjatë fushatës parazgjedhore dy prej temave më të rëndësishme. Ato duken ndër prioritetet kryesore edhe në negociatat për krijimin e qeverisë së re. Kryeministri në detyrë, Vojisllav Koshtunica dhe ekspertët e partisë së tij e kanë shpallur të papranueshme Marrëveshjen për stabilizim - asociim me BE, me shpjegimin se pranimi i saj do të thoshte njohje e pavarësisë së Kosovës. Po cili është qëndrimi i Partisë Socialiste ndaj Kosovës dhe raproteve me shqiptarët?

Daçiq: Mendojmë se Serbia duhet të vazhdojë luftën diplomatike për mbetjen e Kosovës në kuadër të Serbisë. Ky problem nuk mund të konsiderohet i zgjidhur deri sa nuk kemi një vendim të KS të OKB. Prandaj edhe Qeveria e re duhet të vazhdojë luftën diplomatike, t'u mundësojë serbëve të mbetur atje që të kenë një jetë normale dhe ta ndjejnë veten pjesë të këtij shteti. Në skenën ndërkobmëtare duhet vazhduar aktivitetetet diplomatike ndaj institucioneve dhe organizatave ndërkobmëtare. Ndërkohë që duhet theksuar se pavarësinë e Kosovës e kanë pranuar vetëm 40 shtete.

Deutsche Welle: Është e vërtetë që Kosovën e kanë njohur rreth 40 shtete, por pavarësia e Kosovës është shpallur vetëm para tre muajsh. Megjithatë, më i rëndësishëm në këtë moment është fakti që paraardhësi i juaj Sllobodan Millosheviq, ka përdorur ushtrinë, policinë dhe të gjitha aparatin e dhunës kundër shqiptarëve në Kosovë. Ju e thatë se angazhoheni për zgjidhjen e problemit me mjete politike. A do të thotë kjo se ju e përjashtoni mundësinë e përdorimit të dhunës dhe luftëerave të reja në Kosovë?

Ivica Daçiq: Nuk është e rëndësishme se çfarë përjashtojë unë apo jo. Me rëndësi është që bashkësia ndërkombëtare të garantojë sigurinë, në bazë të rezolutës 1244, e cila edhe më tej është baza e funksionimit të Kosovës. Sipas kësaj rezolute, Unmiku dhe Kfori janë ato të cilat garantojnë sigurinë. Ne presim që ta realizojnë këtë detyrë. Serbia do të respektojë këtë rezolutë, por për Serbinë do të ishte një sfidë tepër e madhe në qoftë se vie deri tek përdorimi i dhunës kundër serbëve në Kosovë.