1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Media

Dënohet sulmi ndaj gazetarit hulumtues Parim Olluri

Bekim Shehu
17 Gusht 2017

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bën thirrje organeve të rendit për ndriçimin sa më të shpejtë të rastit. Përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare e vendore dënojnë dhunën ndaj gazetarëve.

https://p.dw.com/p/2iPE0
Kosovo Hauptstadt Pristina
Fotografi: picture-alliance/dpa

Përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe të institucioneve të Kosovës kanë dënuar sulmin ndaj gazetarit Parim Olluri, drejtor i gazetës online "Insajderi", i njohur për shkrimet e tij kundër korrupsionit në Kosovë.

Parim Olluri u rrah nga persona të panjohur natën e së mërkurës në Prishtinë, kur po shkonte në shtëpi së bashku me gruan e tij. Ai mori lëndime trupore dhe së bashku me gruan u trajtuan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), thotë se "Gazetarët duhet të jenë të lirë të shprehin mendime të ndryshme pa frikë nga dhuna apo lëndimet fizike”.

Freedom House: Kërcënimet ndaj gazetarëve janë rritur gjatë viteve të fundit

Organizata për të drejtat e njeriut "Freedom House" në raportin e tyre të fundit për vitin 2017, konstaton se "mediat në Kosovë janë pjesërisht të lira”, dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë rritur gjatë viteve të fundit. Vitin e shkuar një granatë dore u hodh në oborrin e transmetuesit publik RTK dhe më pas edhe në shtëpinë e drejtorit gjeneral të RTK-së.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga ana e tij, duke e dënuar sulmin, tha se "sulmi ndaj gazetarit Parim Olluri është i patolerueshëm në shtetin të cilin e kemi ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe shprehjes së lirë”. Presidenti kërkoi nga organet e rendit veprime të vendosura dhe të shpejta, në mënyrë që sulmuesit të dalin para drejtësisë.

Kosovo Isa Mustafa
Fotografi: Reuter/A. Beqiri

Edhe kryeministri në largim, Isa Mustafa, është shprehur i shqetësuar për sulmin dhe dhunën e ushtruar ndaj gazetarit, Parim Olluri. "Në një shoqëri, në të cilën duhet të kultivohet e drejta e fjalës publike, aktet e tilla janë të ulëta, të papranueshme dhe të dënueshme”, shkroi në rrjetin social Isa Mustafa.

Reagime nga media në Kosovë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ndërkaq, "u bënë thirrje organeve të rendit për ndriçimin sa më të shpejtë të rastit”, duke nënvizuar se "sulmet e tilla, në themel dëmtojnë lirinë e shprehjes dhe të medies në Kosovë.” Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), thotë se sulmi ndaj gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë.

"Qëndrimit kritik kundër dukurive negative përmes frikësimit të gazetarëve të mediave elektronike dhe të shkruara, përpjekja për kufizim të lirisë së fjalës përmes frikësimit dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve është rruga drejt anarkisë dhe suspendim të ligjeve në fuqi”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Sulmi ndaj gazetarit Parim Olluri, ndodhi pas një editoriali të shkruar nga ai, i cili i përshkruan disa ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të konsideruar si heronj gjatë luftës por që pas luftës janë pasuruar pikërisht duke keqpërdorur lavdinë e luftës së tyre. Ndërkohë, vetë Parim Olluri thotë se ai nuk ka marr lëndime serioze, ndërsa, do të vazhdojë punën e tij hulumtuese në zbulim të aferave korruptive. "Neve, gazetarëve këto sulme pas shpinës na bëjnë edhe më të fortë. Na tregojnë sa njerëz të ligë janë ata për të cilët raportojmë. Nëse kanë menduar se "Insajderi" do të ndalet së publikuari aferat mafioze të tyre, janë gabuar rëndë. Ata duhet të kenë frikë nga ne gazetarët, e jo ne të frikësohemi nga të korruptuarit”, ka shkruar gazetari Parim Olluri.