1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dënim i përjetshëm për Mubarakun

Bahri Cani2 Qershor 2012

Dënimi me burgim të përjetshëm i ish-presidentit të Egjiptit Husni Mubarak u shoqërua me reagime të ndryshme.

https://p.dw.com/p/156t0
Husni MubarakFotografi: dapd

Ish-presidenti egjiptian Husni Mubarak u shpall fajtor nga një gjykatë në Kajro dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Ai akuzohej për dhënien e urdhërit për përdorim dhune ndaj demonstratave paqësore dhe kundërshtarëve të tij politik, për keqpërdorimin e pushtetit dhe për korrupsion. 84 - vjeçari Mubarak, i cili në Egjipt ka sunduar për dekada të tëra, u shpall fajtor për vrasjen e më shumë se 800 demonstruesve gjatë protestave të zhvilluara deri në rrëzimin e ish-presidentit dhe regjimit të tij në shkurt të vitit 2011. Protestat kunër Mubarakut dhe regjimit të tij kanë zgjatur 18 ditë. Gjykatësi shpalli të pafajshëm Mubarakun në pikën e akuzës për korrupsion.

Prokuroria kërkonte dënim kapital për Mubarakun

Ägypten Proteste Tahir Platz
Protestat në sheshin Tahir, Kajro shkurt 2011Fotografi: picture-alliance/dpa

Prokuroria kërkoi që Mubaraku të shpallet fajtor sipas të gjitha pikave dhe të dënohet me vdekje. Husni Mubaraku është lideri i parë i shteteve arabe, i cili është nxjerrë para gjykatave dhe është dënuar për shkak të dhunës së ushtruar ndaj demonstruesve gjatë "Pranverës Arabe".

Palët kanë të drejtën të ankohen ndaj këtij vendimi por deri tani nuk ka të dhëna se njëra nga palët do ta përdorë këtë mundësi. Me burgim të përjetshëm është dënuar edhe ish-bashkëpuntori i tij i ngushtë, Habib al - Adli. Njëkohësisht u dënuan edhe dy djemtë e Mubarakut, për ryshfet. Por ata u shpallën të pafajshëm në pikat e tjera të aktakuzës. Të bijtë e Mubarakut janë tashmë në gjendje të lirë, pasi koha e paraburgimit u llogaritet si kohë e vuajtjes së dënimit të shqiptuar.

Kundërshtarët e Mubarakut janë shprehur të çliuar duke e festuar dënimin e ish-dikaktatorit me burgim të përjetshëm. Ata kanë festuar në shumë vende publike.

Kush është Mubaraku

Urteilsverkündung Hosni Mubarak Ägypten erwartet
Kundërshtarët e Mubarakut duke e festuar dënimin e ish-dikaktatoritFotografi: Reuters

Husni Mubarak ka sunduar në Egjipt gati 30 vjet me radhë. Ai ka arritur deri në postin e presidentit përmes karrierës ushtarake. Nofka e tij në kohën kur ishte në ushtri ishte "La Vache qui rit"  (Lopa që qesh), për shkak të buzëqeshjes së tij në kohën kur qëndronte pranë ish-presidentit Anvar al - Sadat. Pas vrasjes së Sadatit në vitin 1981, Mubaraku mori postin e presidentit, prej nga shumë shpejt doli në pah se ai nuk kishte ndonjë vizion të qartë. Ai angazhohej për një hapje ekonomike por pa demokratizimin e vendit. Mubaraku i mënjanonte poiltikanët e aftë, si për shembull ish - ministrin Amre Musa. Ndërsa djemtë e tij, Alaa dhe Gamal, merreshin kryesisht me biznes. Bashkëshortja e tij Suzane përpiqej tërë kohën që të përgatisë Gamalin për t'u bërë pasardhës i babait të tij Husni Mubarakut. Kohën e procesit gjyqësor Mubaraku e ka kaluar në spital, për shkak të sëmundjes.