1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dëbimi i diplomatëve sirianë nga Gjermania - Një çështje diplomacie?

Jennifer Fraczek / Vilma Filaj-Ballvora12 Dhjetor 2012

Gjermania gjithnjë e më të qartë po artikulon refuzimin ndaj regjimit të Assad-it në Siri. Me dëbimin e diplomatëve, Berlini i kufizon edhe më tej kontaktet me Sirinë. Një veprim me forcë simbolike – apo diçka më shumë?

https://p.dw.com/p/1707n
Fotografi: dapd

Marrëveshja e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike e vitit 1960 përcakton, se një vend mund të shpallë në  çdo kohë pa dhënë argumenta si "Personae non gratae" (persona të padëshiruar) diplomatë nga një vend mik. Në Gjermani një gjë e tillë ndodh rrallëherë. Por sivjet ministri i Jashtëm Guido Westerwelle e ka bërë këtë me disa diplomatë sirianë, ndër të tjerë edhe me ambasadorin.

Të hënën (10.12.2012) sërish katër punonjësve të tjerë të ambasadës së Sirisë iu kërkua të largohen nga detyra dhe nga vendi. Për këtë diplomatëve nuk iu dha ndonjë arsye, ndryshe ndodhi në shkurt, kur u dëbuan diplomatë sirianë nën dyshimin për spiunazh. Eshtë lufta civile që zgjat prej dy vjetësh mes qeverisë dhe kryengritësve në Siri, që e ka nxitur ministrin Westerwelle të ndërmarrë këtë hap.

Në këtë luftë diktatori sirian Baschar al-Assad i kundërvihet vazhdimisht me dhunë popullit të tij. Konflikti ndërkohë ka shaktuar dhjetra mijëra viktima.

Me dëbimin e diplomatëve Westerwelle tregon tani, se qeveria është në anën e opozitës - dhe se tashmë po sheh të zbehet pushteti i diktatorit Baschar al-Assad.  Westerwelle të hënën (10.12.2012) lidhur me dëbimin e diplomatëve nga Gjermania u shpreh se kjo është "një shenjë e qartë". Tani shpresohet, "që të konsolidohet më tej koalicioni kombëtar".

Eksperti i Lindjes së Mesme: S'ka fund të luftës pa diplomaci

Në botën e diplomacisë dëbimi është një masë e ashpër. Eksperti për Lindjen e Mesme Michael Lüders, e konsideron këtë si "një sinjal të fortë", por nuk beson, se ai do të kontribuojë në zgjidhjen e konfliktit. "Regjimi i Baschar al-Assad vazhdon të jetë në fuqi dhe ende duket, se situata do të shkallëzojë deri në një betejë vendimtare për Damaskun mes rebelëve dhe qeverisë", thotë Lüders në intervistë për  Deutsche Welle-n. Një gjakderdhje e tillë duhet të parandalohet e kjo mund të arrihet, vetëm nëse ruhet kontakti diplomatik me regjimin e Assad-it.

Nuk është as në interesin e Republikës Federale të Gjermanisë, as në interesin e evropianëve e aq më pak të sirianëve, "nëse kjo luftë s'do të marrë fund". Assad e di, "që atij po i ngushtohet gjithnjë e më shumë litari në fyt". Nëse ai nuk e ka ndërmend të marrë fund bashkë me vendin e tij, "atëherë ai ka ende shansin, që të dalë jashtë vendit - e për këtë atij i duhen rrugët diplomatike". E pikërisht këto rrugë diplomatike, tashmë Westerwelle i redukton në një "minimum absolut" siç u shpreh ai vetë të hënën.

Pamje nga Damasku
Pamje nga DamaskuFotografi: picture-alliance/dpa

A po vepron Gjermania e vetme?

Kur në mars të këtij vitit ambasadorit të Sirisë iu kërkua të largohet nga Gjermania për shkak të masakrës së Al-Hula, vende të tjera evropiane bënë të njëjtën gjë menjëherë pas Gjermanisë. Kjo të lë të kuptosh, që ndër evropianët ka një qëndrim të harmonizuar. Ministria e Jashtme pyetjes së DW-së iu përgjigj, se një sërë vendesh evropiane për shkak të përdorimit të dhunës nga regjimi i Assad i kanë kufizuar marrëdhëniet me këtë vend: "Qeveria e Gjermanisë vazhdimisht konsultohet me partnerët rreth gjendjes në Siri", të hënën ndër të tjera u bisedua për këtë edhe në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel. Në këtë takim ministrat e jashtëm aleancën opozitare "Koalicioni Kombëtar i Sirisë" e njohën si "përfaqësuesen legjitime" të popullit sirian.

Lüders megjithatë nuk beson, se ka një qëndrim të harmonizuar të vendeve të BE-së. Dëbimi i diplomatëve është "hap i njëanshëm", që shërben edhe për të sinjalizuar forcën e vendit përkatës. Por eksperti Lüders, mendon se kjo nuk do t'i bëjë ndonjë përshtypje Assad-it: "Për të kjo s'ka rëndësi".

Qeveria siriane prej kohësh është e interesuar për mbijetesën e sigurtë, thotë edhe André Bank nga Instituti i Studimeve për Lindjen e Mesme GIGA në Hamburg. "Konfrontimet diplomatike mes qeverisë siriane dhe asaj gjermane në këtë kontekst nuk kanë ndonjë peshë."