1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Cumvinkel jep dorëheqjen

Rolf Wenkel15 Shkurt 2008

Shefi i Deutsche Post, Klaus Cumvinkel, ka dhënë dorëheqjen pasi është akuzuar për manipulim tatimor. Zgjerohet rrethi mashtruesve tatimorë që kanë të bëjnë me Bankën e Lihtenshtajnit

https://p.dw.com/p/D8Dy
LGT (Liechtenstein Global Trust) banka e evazionit fiskal të gjermanëve të pasurFotografi: AP
Kancelarja Angela Merkel dhe ministri i financave Per Shtajnbryk e përshëndetën dorëheqjen e Cumvinkelit (Zumwinkel). Zyrtarisht ajo do të pranohet nga Këshilli Mbikqyrës i Postës të hënën (18.02). Federata Gjermane është një ndër aksionerët kryesorë në të. Torsten Albig, zëdhënës i Ministrisë së Financave tha se vendimi i zotit Cumvinkel gjen mbështetjen e plotë të qeverisë. "Kancelarja dhe ministri i financave folën për këtë çështje dhe thanë, se e prisnin një hap të tillë".

Të enjten (14.2.) në shtëpinë e Cumvinkelit në Këln dhe në zyrat e rezidencës qendrore të koncernit në Bon kishte patur kontrolle të befasishme. Prokuroria e Bohumit për krime ekonomike e akuzon 64-vjeçarin Cumvinkel se me anë të një fondacioni në Lihtenshtajn ka mashtruar zyrën fiskale me një shumë prej rreth njëmilionë Euro. Cumvinkel u arrestua fillimisht por më vonë u lirua me kusht, pasi pat paguar një shumë parash.
Ndërkaq qeveria gjermane e ka konfirmuar se krahas Cumvinkelit, zyra fiskale po zhvillon hetime edhe kundër shumë gjermanëve të tjerë të pasur me xhirollogari në Lihtenshtajn. Në mesin e tyre ka edhe shumë top manaxherë, të cilët aktualisht shërbejnë si shtylla të shoqërisë. "Ata janë të njohur dhe të panjohur, por gjithsesi janë njerëz, që kanë pagat më të larta"
Shkak për këtë valë hetimesh është bërë Banka e Lihtenshtajnit. Një nëpunës i saj pasi ishte larguar nga puna kishte marrë me vete të dhëna për klientët gjermanë. Me to ai kishte dashur të kërcënonte bankën. Kopjet, të cilat i kishte lënë tek një shok në Gjermani, tani kanë rënë në dorë të hetuesisë. Kjo do të thotë se të gjithë ata që kanë depozituar para në këtë bankë e që nuk kanë informuar zyrën fiskale për të ardhurat mund të presin tani dënime të mëdha. Nga kjo përjashtohen ata që menjëherë do të vetëdenoncohen. Kjo do t'i sjellë disa miliona euro ministrit të financave dhe arkave të shtetit. Për Klaus Cumvinkelin ky është vetëm fundi i një karriere të jashtëzakonshme. 19 vjet më parë ai u bë shef i Deutsche Post dhe suksesi i tij është i padiskutueshëm. Ai e shndërroi sipërmarjen nga një postë të ngadaltë në koncernin më të madh logjistik në botë me 500 mijë puntorë anëembanë botës. Në një intervistë të dhënë disa vite më parë në një radio gjerman ai pat thënë: "Unë jam lindur në buzë të Rinit dhe jetoj këtu, e ndjej veten mirë këtu dhe që këtu i paguaj tatimet." Kjo tani tingëllon si ironi e hidhur.