1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Connectivity - përmirësim i lidhjeve në Ballkanin Perëndimor

Áni Ruci3 Gusht 2016

Ministri i Transporteve të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto në bisedë për DW: Vullneti politik i BE-së për projekte rajonale në transport duhet shoqëruar me angazhime financiare.

https://p.dw.com/p/1Jb22
Albanien Tirana Edmond Haxhinasto im Interview mit DW
Fotografi: DW/A. Ruci

DW: Z. Ministër , Ballkani Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë është pjesë në përpjekjet e BE-së për të hartuar politika që do të realizojnë "de facto" RrjetinTransevropian të Transportit. Çfarë synohet konkretisht?

Edmond Haxhinasto: Synohet mobilizim i investimeve private në projekte të mëdha të infrastrukturës së BE-së dhe rigjallërimin e interesit për transportin hekurudhor veçanërisht për transportin e mallrave brenda kufinjve në BE dhe me vendet fqinjë të BE-së, bashkëpunimi me rajonet fqinjë si Ballkani Perëndimor,(BP). Vëmendje e posaçme tani po u kushtohet korridoreve të rëndësishme europiane dhe shtrirjes apo zgjatjes së tyre në zonat fqinje me BE-në. Në vijim të Procesit të Berlinit në dy samitet e fundit, në Vjenë dhe Paris, ato që i quajmë "masa të buta" , përgatitja e dokumentave të rëndësishme për politikat e zhvillimit strategjik të sektorin e transportit rrugor apo hekurudhor dhe sidomos masat që lidhen me liberalizimin e tregut të transportit në rajon janë pjesë e këtye politikave. Ka progres, ka zhvillim në bashkëpunimin rajonal. Shqipëria është një nga vendet aktive në promovimin e një cilësie të re në bashkëpunimin rajonal duke u bërë promotore dhe nxitëse e modelit "one stop shop", që do të thotë ofrim i shërbimeve kufitare dhe doganore nën një çati, pra një shërbim kufitar dhe doganor për të gjitha vendet e rajonit, duke thjeshtuar procedurat, ulur koston e shërbimeve që në rajon janë 5 - 6 herë më të larta se ato në BE. Kjo ndodh pasi koha e qëndrimit të automjeteve në pikat kufitare është më e gjatë dhe kjo kushton para. Barrierat jo fizike, tarifa, pagesa etj. janë në vendet e rajonit më të larta se në BE, që ka një treg transporti në përgjithësi më të liberalizuar se BP. Kjo duhet të ndryshojë, nuk është normale. Shqipëria ka promovuar hartimin dhe nënshkrimin e Traktatit të Tranportit për rajonin, që do të jetë një dokument që do të integrojë shumë më tepër se tani tregun e transportit në vendet e BP. Një nismë tjetër ku Shqipëria është promotore është vendosja e një mekanizmi rajonal, që të koordinonjë punën për të tërhequr dhe administruar kërkesat për investime projektesh që lidhen me , pra me lidhshmërinë e rajonit përmes rrjeteve të transporti.

Cilat janë pritshmëritë e BP nga ngritja e Rrjetit Transeuropian, ku rajoni do të përfshihet?

Rrjeti i korridoreve europiane është tanimë një hartë e miratuar ku janë investuar me miliarda euro nga sektori privat dhe publik. Është fjala për zgjatje të korridoreve kryesore europiane në pjesën e BP. Shqipëria ka bërë lobimin e saj dhe ka kontribuar që një pjesë e rëndësishm e rrjetit të saj kombëtar të transportit të jëtë pjesë e rrjetit bazë të rajonit, që të lidhet më pas me korridoret europiane. Kemi disa lloj rrjetesh të transportit: kombëtar, rrjeti bazë i Shqipërisë dhe rajonit, zgjatimet e korridoreve europiane në rajon. Rrjetet rajonale si korridori Adriatiko- Jonian që fillon në kufi me Malin e Zi dhe shkon drejt Greqisë, apo rruga Milot-Morinë, Rrrogozhinë- Qafë Thanë, Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit, Porti i Durrësit, hekurudha Durrës –Mali i Zi, janë disa elemente të rrjetit bazë të transportit të Shqipërisë në funksion të rrjetit bazë të rajonit, në disa prej tyre po investohet. Shqipëria ka vënë në dispozicion 100 milionë Euro për korridorin Adriatiko- Jonian por kërkesat janë për fonde shumë më të mëdha, vetën ky korridor ka nevojë për 800 milionë Euro investim, një pjesë e këtyre korridoreve janë kontribute europiane si p.sh. by passet e Fierit dhe Vlorës që janë në ndërtim e sipër. BE-ja, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim,(BERZH) , Banka Europiane e Investimeve dhe institucione të tjera financiare, të angazhuara në Shqipëri për projektet në kanë financuar këto elemente te rrjetit bazë të transportit. Por nevojat e Shqipërisë janë shumë më të mëdha pasi infrastrutura që trashëguam ka qenë historikisht më e prapambetur nga vendet e tjera të rajonit. BERZH-i miratoi kohët e fundit grantin prej 35 milionë Eurosh për përmirësimin e linjës hekurudhore Tiranë- Durrës dhe zgjatimin e saj në Rinas, tani po shikojmë të sigurojmë pjesën tjetër të financimit të investimit prej mbi 80 milionë Euro.

Procesi i Berlinit ka kryefjalë lidhshmërinë e rajonit si parakusht për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të BP: më shumë rritje ekonomike dhe siguri prej rritjes së mobilitetit, shkëmbimeve të mallrave, ideve, kulturave, më shumë punësim, më shumë prosperitet. Si po ecën plotësimi i këtij parakushti?

Përmirësimi i lidhshmërisë mes vendeve të BP është një nga objektivat madhore të këtij procesi. Jemi larg një lidhshmërie optimale mes vendeve të rajonit që të ndikojë në rritjen më të lartë ekonomike, rritjen e eksporteve, ndarjen e punës mes vendeve të rajonit në prodhimin e produkteve të ndryshme etj. Vijimi i procesit të Berlinit në Vjenë dhe Paris solli si rezultat miratimin e hartës së rrjetit bazë të rajonit, ku do të orientohen investimet në fushën e energjise dhe të infrastructures dhe nxitjen e axhendës së lidhshmërisë. Por kërkesat janë shumë të mëdha dhe nuk mund të realizohen nga buxhetet kombëtare dhe mundësitë e reduktuara të vendeve të rajonit. Ne kërkojme një angazhim shumë më të madh të BE-së deri në 2030 kur është parashkuar përfundimi i Rrjetit bazë të Transportit në rajon dhe përtej tij. Vendet e rajonit hasin vështirësi të mëdha për të dhënë garanci sovrane dhe marrë fonde për investime nga bankat që kërkojnë garanci sovrane nga shtetet huamarrëse. Është mbështetur ideja nga Komisioni Europian që BE-ja të gjejë një mekanizëm për të dhëne garanci sovrane për vendet e BP-së, që ata nuk mund t'i japin për shkak të nivelit të lartë të borxhit publik. Shpresojmë të ngrihet ky mekanizëm për të pasur më shumë frymëmarrje për t'u kredituar për realizimin e investimeve në fushën e transportit rajonal.

A ka BE-ja vullnetin e duhur politik për të ngritur këtë mekanizëm dhe financuar projektet e lidhshmërisë? Financimi është karburanti që idetë nga letra të kthehen në vepra. A do të japë BE-ja më shumë "karburant financiar" për projektet rajonale?

Vullneti politik i BE-së egziston, por ai duhet të përkthehet në angazhime më të mëdha financiare. Ballkani ka nevojë për një Plan Marshall, me një fond të qartë europian të përvitshëm, për të administruar projektet e lidhshmërisë së rajonit, si zgjatim të korridoreve europiane. Kjo është pritshmëria e vendeve të BP-së: angazhim financiar të BE-së qoftë me fondet e tij strukturore, qoftë me garancitë që mund të japë për kreditim apo duke angazhuar fonde private. Kjo është rruga e duhur që axhenda e lidhshmërisë së rajonit të realizohet.

Z. Ministër, deri sa BE -jatë vendosë ta shprehë vullnetin politik me angazhime financiare, a kanë vetë vendet e BP ndonjë qasje të re për të realizuar investimet rajonale në transport?

Propozimi i Shqipërisë është që realizimi i projekteve rajonale të rrjetit bazë të transportit, sidomos ato që përfshijnë më shumë se një vend - ka disa të tilla në rajon - të ketë një mekanizëm koordinues, që shkon përtej nivelit kombëtar të secilit vend, që e kemi quajtur "Mekanizm të Përshpejtimit të Investimeve" për rajonin. Ai do të mund të promovojë projektet, të filtrojë propozimet, të krijojë lidhje më të mira mes interesave të secilit vend me standardet europiane që duhen zbatuar nga gjithë vendet tona, duke pasur parasysh që të gjithë duam të kemi progres në rrugëtimin drejt BE-së. Kemi marrë miratimin e Malit të Zi, Kosovës dhe po presim që edhe Serbia, Maqedonia, Bosnjë-Hercegvina t'i bashkohen kësaj nisme që ajo të hyjë në rrugën e zbatimit.