1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Connecting Europe" - ‎BE planifikon zgjerimin e rrjeteve evropiane

Komisioni i BE-së planifikon të fillojë me një paketë prej 50 miliardë eurosh një zgjerim gjigand të rrjeteve evropiane për energjinë, transportin dhe telekomunikacionin.

Jose Manuel Barroso duke folur për projektin Connecting Europe

Jose Manuel Barroso duke folur për projektin "Connecting Europe "

Rrjetet mbarëevropiane të transportit, energjisë dhe të telekomunikacionit janë tashmë një projekt afatgjatë i BE-së. Por Komisioni ka ndërmarrë tashmë këtë detyrë vigane në kontekstin e krizës së euros. Aty, ku në Shtetet Anëtare nga presioni i kursimeve ulen investimet, projekti "Connecting Europe" mund të ndihmojë në një farë mase, thotë Presidenti i Komisionit, Jose Manuel Barroso, në prezantimin në Bruksel: "Ne kemi nevojë për zhvillim në Evropë. Në fakt disiplina buxhetore dhe konsolidimit i buxhetit janë të pashmangshëm sidomos për vendet, që kanë jetuar shumë vite përtej mundësive të tyre. Prandaj fleksibiliteti financiar për të siguruar në moment rritje ekonomike është shumë i ngushtë në shumicën e shteteve anëtare. Disa kanë liri veprimi dhe duhet ta shfrytëzojnë atë. Por në të njëjtën kohë ne duhet të shfrytëzojmë mundësinë për të investuar në nivel evropian."

Projekte mbarëevropiane infrastrukturore dhe energjitike

Komisioneri për çështjet e Transportit, Siim Kallas

Komisioneri për çështjet e Transportit, Siim Kallas

Projektet nuk kanë aq shumë vlerë nga perspektiva nacionale, sa ç'kanë vlerë nga perspektiva evropiane. Si instrument financimi Komisioni propozon të ashtuquajturat obligacione për projekte. Ai do të nisë me to në vitin 2014 me kuadrin e ri buxhetor të BE-së. Kompanitë private duhet të japin obligacione për të financuar projekte të tilla infrastrukturore. Komisioni do të marrë së bashku me Bankën Evropiane të Investimeve një pjesë të rrezikut. Me euro-bonot e shumëdiskutura fondet e projekteve nuk kanë të bëjnë.

Se sa keq është gjendja e infrastrukturës mbarëevropiane e shpjegoi për shembull komisioneri i Transportit, Siim Kallas për departamentin e tij: "Kjo është Europa, një sistem transporti, që është një mozaik joefikas me rrjete të ndryshme kombëtare. Hekurudhat e Evropës aktualisht kanë shtatë gjerësi të ndryshme. Vetëm 20 nga aeroportet tona të mëdha janë të lidhura direkt me rrjetin hekurudhor evropian, vetëm 35 prej porteve tona më të mëdha kanë lidhje të mira. Ne duhet të mbyllin boshllëqet, të zgjidhim problemet e shkaktuara nga lidhjet e dobëta lindje-perëndim, nga një infrastrukturë e shkatërruar, nga shfrytëzimi i dobët i ndërsjellë. Ne duhet të përqëndrojmë investimet. Me pak fjalë, duhet të kalojmë nga një mozaik në një rrjet. "

Edhe në sektorin e energjisë pavarësisht nga tregu i brendshëm europian gjendja nuk duket e mirë. Komisioneri i Energjisë, Günther Oettinger e quajti një shembull ekstrem, por jo të pazakontë: "Në mes të Spanjës dhe Francës, ende nuk kemi një linjë funksionale energjitike. Që do të thotë nuk ka shkëmbim të sasive të energjisë elektrike. Nuk ka konkurrencë në tregun e energjisë elektrike. Dhe për projektet interesante në sektorin solar në Spanjë, e më vonë në Marok nuk ka integrim të sasive përkatëse të energjisë elektrike në tregun e Evropës Qendrore."

Për një ekonomi më mjedisore

Komisioneri i BE për Energjinë Oettinger

Komisioneri i BE për Energjinë Oettinger



Pas gati 30 vitesh planifikimi së shpejti do të inaugurohet lidhja e parë e energjisë midis dy vendeve, tha Oettinger. Edhe dhjetë vjet për atë janë shumë gjatë. Oettinger propozon që tre vjet planifikim duhet të jenë të mjaftueshme në të ardhmen për trase të tilla panevropiane. Mjedisi nuk duhet të neglizhohet këtu në asnjë mënyrë. Dhe qytetarët në fjalë duhet të përfshihen shumë më heret. Oettinger ka mësuar me sa duket në qytetin e tij të lindjes, Shtutgartit nga konfliktet për stacionin kryesor hekurudhor.

Disa ditë para samitit, i cili do të zgjidhë në fund problemet në eurozonë, Barroso bëri një apel. Kryetarët e shteteve dhe qeverive duhet t'i japin një "përgjigje të fortë" krizës, tha ai. Ndrësa kancelarja Angela Merkel porositi të mos mbahen shpresa të mëdha. Barroso u përpoq të japë zemër. "Unë e kuptoj skepticizmin brenda dhe jashtë Greqisë, nëse ky program do të ketë sukses. Mesazhi im është: Mund të funksionojë. Mund të funksionojë. Ne kemi raste të tjera, në të cilat ai ka vepruar. "

Në Letoni dhe Irlandë pas një situate të vështirë kanë ardhur ditë më të mira. Por Barroso me vlerësimin e tij për Greqinë duket sikur lufton në pozicionin e të humburit. Shumica e ekspertëve nuk besojnë më, se Greqia do t'ia dalë pa një falje të pjesshme të borxhit

Autor: Christoph Hasselbach/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi