1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ciprasi ndien zemërimin e masave

Në të gjithë Greqinë kërcënon një valë grevash. Sindikatat i mobilizojnë punonjësit kundër kursimeve të qeverisë së Alexis Cipras dhe madje politikanë të Syrizas u bëjnë thirrje qytetarëve për grevë.

Eshtë greva e parë e përgjithshme që prej ardhjes në pushtet të qeverisë Cipras në janar: përfaqësia e nëpunësve civilë ADEDY dhe shoqata më e madhe e sindikatave të ekonomisë private GSEE kanë bërë thirrje për grevë të enjten (12.11). Në grevë do të dalin para së gjithash shkollat, spitalet, hekurudhat dhe tragetet si dhe transporti publik në Athinë. Edhe kontrollorët e trafikut ajror, avokatët, farmacistët dhe gazetarët duan të ndërpresin punën. Që në ditët e shkuara në Greqi ka pasur greva të veçuara, javën e ardhshme duan të protestojnë kundër qeverisë së tyre edhe bujqit grekë.

Si drejtues i opozitës, Ciprasi i kishte dënuar kërkesat e kursimit të donatorëve ndërkombëtarë. Tani ai bëhet vetë pjesë e realitetit, thotë Jorgos Tzogopoulos, bashkëpunëtor i Qendrës Kërkimore të Athinës, ELIAMEP."Qeveria jo vetëm që i gëlltiti masat e kursimit, ajo madje po kthehet në një mbështetëse të qartë të politikës së kursimit,", thotë politologu në bisedë me DW. Gjithsesi, politikani i majtë Cipras miratoi në verë një paketë të tijën të kursimeve. Dhe aktualisht po e vë në jetë atë.

Prandaj zemërimi i demonstruesve nuk drejtohet, si zakonisht, kundër kredidhënësve, por në radhë të parë kundër Ciprasit vetë. "Ai ka premtuar shumë dhe shumë njerëz edhe i besuan", thotë Tzogopoulos. Të mërkurën (11.11), kontrollorët e donatorëve u kthyen në Athinë, për të verifikuar përparimet greke në reforma. Sipas medieve, qeveria Cipras do t'i eleminojë që këtë javë të gjitha pikat e diskutueshme, në mënyrë që Athinës t'i jepet një paketë tjetër kredish prej dy miliardë eurosh.

Protesta edhe kundër Ciprasit

Protesta edhe kundër Ciprasit

Partia në pushtet bën thirrje për demonstratë

Një risi në historinë e grevave në Greqi: pikërisht partia në pushtet, Syriza u bën thirrje njerëzve që të marrin pjesë masivisht në grevën e përgjithshme. Mobilizimi drejtohet kundër "politikës neoliberale dhe shantazhit nga ana e qendrave të pushtetit brenda dhe jashtë vendit", deklaron Departamenti i Syrizas për politikën e tregut të punës në një deklaratë me shkrim. Gjithsesi, lufta për pensione dhe paga të përshtatshme nuk është ndërprerë, thonë strategët e partisë.

Një rebelim kundër qeverisë vetjake? Jo, thotë Petty Perka, politikane e Syrizas dhe sekretare shteti në Ministrinë e Transporteve të Athinës. Pjesëmarrja në grevë mund të kuptohet si presion, por edhe si mbështetje për qeverinë, deklaron Perka në televizionin e Athinës, Sky. Por ekspertët e shpjegojnë qendrimin ambivalent të qeverisë ndaj protestuesve me faktin se ajo ende ndodhet në kërkim të mënyrës së duhur të veprimit me grevistët.

Gatishmëri në rritje për dhunë

Nganjëherë puna nuk mbetet vetëm te protestat verbale. Të premten e kaluar, deputeti konservator Jorgos Koumatsakos u godit në afërsi të një demonstrate me grushta në fytyrë, ndoshta nga ekstremistë të djathtë.

Gazeta greke Kathimerini raporton për një rast tjetër të çuditshëm: ekspertët e huaj të ardhur nga jashtë vendit, të cilët do të bënin një vlerësim të jashtëm për Universitetin e Athinës u sulmuan në fillim të nëntorit me fjalë nga studentë të egërsuar, u goditën me fruta dhe u detyruan të largohen nga universiteti.

Analisti i ekonomisë, Kostas Stoupas beson se incidentet janë sinjale për kolapsin e qeverisë dhe të shtetit, në dorën e të cilit në fakt është rendi. "Kur secili ose kur një grup përpiqet të zbatojë me kokë të vet atë që e ndien si të drejtë të tij, atëherë kemi kaos, " paralajmëron Stoupas.