Gjuhët në BE
23 Janar 2012Kështu dëgjohet kur Evropa përpiqet të komunikojë. Përkthyesi dhe interpretuesi janë ata personat e padukshëm që mbajnë në lëvizje makinerinë e madhe të BE-së. 23 gjuhë zyrtare ekzistojnë në BE dhe çdo politikan, që nga Malta deri në Irlanë, ka të drejtën të komunikojë në gjuhën e tij amtare. Çdo qytetar ka të drejtën që të lexojë në gjuhën e vet, të paktën dokumentet më të rëndësishme të BE-së. Për këtë nevojiten mijëra përkthyes dhe interpretues të cilët kushtojnë rreth çerek miliardë euro në vit.
Në fakt ajo që nevojitet patjetër është një gjuhë e dytë, me të cilën evropianët të mund të kuptohen pa probleme. Dhe pse të mos jetë esperanto, gjuha e konceptuar nga Ludwik Zamenhof në fund të shekullit të 19-të, gjuha e BE-së? Esperanto domethënë shpresues, dhe në zyrat e Brukselit ka nga këta shpresues.
„Emri im është Sean O´Riain dhe unë jam president i Bashkimit Evropian Esperanto.“
Kjo si hobby, sepse profesioni i diplomatit irlandez është të përkthejë tekstet e Komisionit të BE-së në gjuhën e tij amtare. Dhe sigurisht që ai zotëron edhe gjermanishten: „Unë jam për marrjen e një roli të esperantos në BE. Unë besoj se esperanto është një gjuhë shumë e rregullt dhe shumë e lehtë për t'u mësuar."
Esperanto është duke u përhapur, për këtë është i bindur Sean O´Riain. Edhe në Bruksel ekziston një rreth shumë aktiv i idhtarëve të esperantos. Por edhe irlandezi e ka të qartë se kërkush në Bruksel nuk mendon seriozisht për kthimin e esperantos në gjuhë të dytë të BE-së. Një nga ato që e di mirë këtë është Doris Pack, specialiste e Parlamentit Evropoan për kulturën dhe shumë-gjuhësinë.
„Sidoqoftë, nuk duhet të jetë aspak esperanto! Sepse unë mendoj se ne të gjithë jemi mësuar ndërkohë që të ndihmojmë veten me anglishte. Pjesa më e madhe e njerëzve mësojnë diqysh anglisht. Esperanto ime është anglishtja," thotë Pack.
Edhe mes përkthyesve të BE-së esperanto nuk gjen përkrahje të madhe. Hans Schindler punon që prej 32 vitesh në Brukes për shërbimin e përkthimit: „Për esperanton nuk është folur asnjëherë këto 32 vjet. Esperanto nuk luan asnjë rol për ne.“
Edhe Hans Schindler është i bindur për sundimin e anglishtes. Ose më shumë të BSE – siç e quajnë ai dhe kolegët e tij me shaka. „Pra, badly spoken english (një anglishte e folur keq). Dhe këtë anglishte e flasin gjithnjë e më shumë delegatë, megjithëse ne përkthyesve nganjëherë na dhembin veshët kur dëgjojmë këtë anglishte. Është e çuditshme si mund të kuptohen njerëzit me këtë anglishte komplet të pastrukturuar. Prandaj esperanto nuk ka asnjë shans, megjithëse është një gjuhë artificiale shumë e strukturuar“, thotë ai.
Gjuhë artificiale? Sean O´Riain nuk i pëlqen ta dëgjojë këtë. Në fund të fundit në Wikipedia ndodhen shumë më tepër artikuj në esperanto se në shumë gjuhë të BE-së. Përveç kësaj është e padrejtë që ata që e kanë anglishten gjuhën amtare të kenë në botë një përfitim kaq të madh nëpërmjet dominimit të gjuhës. Me esperanton do të ishin të gjithë të barabartë. Kështu Sean O´Ríain shpreson të paktën që esperanto të respektohet më shumë. Për shembull duke nxitur mësimin e tij.
Autor: Martin Bohne/ Aida Cama
Redaktoi: Bahri Cani