Entwicklungshilfe Deutschland GTZ DED KfW
17 Mars 2010Në Gjermani në kuadër të ndihmave shtetërore për zhvillim punojnë rreth 30 organizata të ndryshme. Unike në mbarë botën është ndarja e ndihmës teknike dhe financiare mes GTZ-së dhe KfW-së. DED, Shërbimi Gjerman për Zhvillim dërgon ekspertë dhe vullnetarë në vendet në zhvillim tek organizatat partnere në mbarë globin. Këto tri organizata - DED, GTZ dhe Banka KfW janë shtyllat kryesore të ndihmave gjermane për zhvillim.
Agjensia gjermane për bashkëpunim teknik - GTZ
Agjensia gjermane për bashkëpunim teknik - GTZ është një ndërmarrje federale me seli në Eschborn në afërsi të Frankfurtit mbi Majn. Ajo është themeluar si ndërmarrje private ekonomike në vitin 1975. Porosidhënësi kryesor i saj është Ministria gjermane për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim (BMZ). Përveç kësaj ajo vepron edhe me porosi të qeverive të vendeve të tjera si dhe porosidhënësit ndërkombëtar si Kombet e Bashkuara apo Banka Botërore.
GTZ është e pranishme në mbi 130 vende të botës - në Afrikë, Azi, Amerikë Latine, në rajonet e Detit Mesdhe dhe Lindjes së Mesme si dhe në Evropë dhe Azinë Qendrore. Ajo është organizata më e madhe humanitare gjermane. Në mbarë botën GTZ ka të punësuar rreth 13.000 vetë prej tyre pothuajse 10.000 janë bashkëpuntorë vendas. Qarkullimi i saj vjetor në vitin 2009 ishte rreth 1.5 miliardë euro.
Shërbimi Gjerman për Zhvillim
Dukshëm më i vogël se GTZ është Shërbimi Gjerman për zhvillim DED me seli në Bon. Ai dërgon bashkëpuntorë me përvojë dhe të angazhuar në rrafshin social në Afrikë dhe Amerikë Latine. Aktualisht rreth 1200 ndihmës të DED-it janë aktivë në 47 vende të ndryshme të botës. Të përzgjedhur nga DED-i ata janë përgatitur mirë për veprimtarinë e tyre.
DED-i punon bashkarisht me partnerët lokal dhe dërgon ekspertët e saj sipas kërkesës së vendit në zhvillim. DED-i financohet nga buxheti federal gjerman. Në vitin 2009 organizata kishte një buxhet prej 144 milionë eurove.
Organizata Kredituese për Rindërtimin - KfW
Organizata Kredituese për Rindërtimin - KfW është themeluar pas Luftës së Dytë Botërore dhe është sot një prej bankave më të fuqishme në botë. Prej vitit 1961 ndihmat për zhvillim janë detyrë e saj ligjore. Për këtë qëllim është krijuar një bankë për zhvillim. Fillimisht e themeluar për shtresën e mesme gjermane pas rënies së murit të Berlinit ajo u zgjerua edhe në ish RDGJ dhe në gjithë Evropën Lindore. Si bankë mbështetëse e cila ndodhet në pronësi të federatës dhe landeve gjermane ajo pëkrah përmirësimin e qëndrueshëm ekonomik, kushtet shoqërore, ekologjike, jetësore dhe ekonomike si në fushat e themelimit të një biznesi të vogël privat, mbrojtjen e ambientit apo arsimit. KfW është me 1,5 miliardë euro investime në mbi 150 projekte në mbarë botën financuesi më i madh në fushën e mikrokredive. Bashkëpunimi financiar me vendet në zhvillim aktualisht ka një volum biznesi prej katër miliardë euro. Banka për zhvillim e KfW-së është e pranishme me zyrat e saj në mbi 55 vende të ndryshme të botës.
Autor: Daniel Scheschkewitz/ Esat Ahmeti
Redaktoi: Auron Dodi