1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjyqtarët ndërkombëtarë në Hagë e shpallin Taylorin fajtor për krime lufte

26 Prill 2012

Ish presidenti i Liberisë Charles Taylor është ish kreu i parë i një shteti që u shpall fajtor të enjten (26.04.) nga një Tribunal Ndërkombëtar për krime lufte që prej procesit të Nyrembergut.

https://p.dw.com/p/14lLu
Fotografi: dapd

Taylor u shpall fajtor si përgjegjësi kryesor për krimet e kryera gjatë luftës qytetare në vendin fqinj Sierra Leone (1991-2002) ku humbën jetën rreth 200 mijë njerëz. Shkalla e dënimit do të vendoset më vonë nga Tribunali. Taylor mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Charles Taylor është konsideruar si një nga komandantët më brutalë të luftës në Afrikë. Ai ishte udhëheqës i rebelëve dhe president i Liberisë. Për shkak të krimeve të kryera në Sierra Leonen fqinje, ai u shpall fajtor nga një Tribunal Ndërkombëtar i cili për shkaqe të sigurisë e zhvilloi procesin në Hagë. Taylor gjatë tërë kohës deklaronte se është i pafajshëm.

Taylor ka lindur në janar të vitit 1948 si biri i një amerikano-liberiani, pra është një pasardhës i atyre robërve të liruar amerikanë të cilët në vitin 1847 themeluan Liberinë. Në Shtetet e bashkuara të Amerikës ai ka studiuar ekonominë.

Në vitet e '90-ta ai mendohet të ketë mbështetur rebelët e RUF-it (Revolutionary United Front) në Sierra Leone të cilët dëshironin të kontrollonin fushat me diamantë. Gjatë asaj kohe ka pasur vrasje, përdhunime masive, gjymtime, skllavërim, fëmijët janë përdorur si ushtarë dhe plaçkitje. Nga tregtia me "Diamantët e gjakut" ka përfituar edhe Taylor.

Në vitin 1989, ai shkaktoi një luftë civile në Liberi, kur me një ushtri kyesisht me ushtarë fëmijë marshoi në vend dhe vrau ish diktatorin Samuel Doe. Deri në vitin 1996 jetën humbën gjithsej 200.000 njerëz, pra çdo i dhjeti banor. Në vitin 1997 Taylor u zgjodh president, ndoshta sepse njerëzit kishin frikë nga dhuna që do të përdorte ai në rast se do të humbiste zgjedhjet.

Nën presionin ndërkombëtar Taylor u dorëzua në vitin 2003 dhe kërkoi azil në Nigeri e cila në vitin 2006 vendosi për ekstradimin e tij. Pas një arratie të shkurtër ai u kap dhe iu dorëzua Tribunalit në Hagë.

Autor: Agjencitë e lajmeve / Esat Ahmeti

Redaktoi: Elert Ajazaj