Ceremoni solemne në përkujtim të Holokaustit
27 Janar 2010Shimon Peres foli në fjalën e tij nisur nga dy perspektiva: ajo e vetë hebreut të prekur nga Holokausti dhe ajo e presidentit të Izraelit.
Duke përcjellë rrënqethshëm historinë e ndarjes nga gjyshi i tij, rabin në qytetin bjellorus Vishnjevo, asokohe pjesë e Polonisë, ai tregoi se si pak kohë pasi Peresi i pati hipur trenit për të marrë rrugën drejt Tel-Avivit, qytetin e kishin pushtuar nazistët, të cilët i kishin djegur të gjallë gjyshin dhe gjyshen e tij: "Kjo urrejtje kaq e madhe ndaj hebrenjve, nuk mund të shpjegohet thjesht me antisemitizëm," tha Peres.
Ai kujtoi planet e Adolf Eichmannit për të ashtuquajturën "zgjidhjen përfundimtare të çështjes së hebrenjve evropianë", duke filluar që nga tre milionë hebrenjtë e Ukrainës e Polonisë e deri tek ata dyqind që ndodheshin në Shqipërinë e vogël." 11 milionë hebrenj u dënuan me vdekje, kujtoi Peres, i cili gjithashtu u shpreh për dënimin e atyre që kanë përgjegjës. "Për nazistët hebrenjtë nuk përbënin kërcënim ushtarak, por moral", theksoi ai.
Si president i Izraelit ai foli edhe për marrëdhëniet e sotme me Gjermaninë, ku veçanërisht emocionale ishte pjesa për kancelaren Angela Merkel, e cila para kongresit amerikan, në nëntor të vitit të kaluar, pati deklaruar: "Kush sulmon Israelin, sulmon Gjermaninë".
"Ju, kancelarja Angela Merkel, i pushtuat zemrat me sinqeritetin dhe ngrohtësinë tuaj," - tha Peres. Peres foli edhe për politikën aktuale në Lindjen e Mesme dhe mbështeti krijimin e një shteti palestinez, por kritikoi ashpër regjimin iranian dhe e quajti atë një rrezik për të gjithë botën.
Ceremoninë solemne e hapi presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert, i cili duke përshëndetur mysafirin nga Izraeli theksoi karakterin e veçantë të marrëdhënieve mes dy vendeve: "Ato nuk janë normale dhe nuk ka pse të jenë të tilla," - tha Lammert. "Ato janë të ndikuara nga përvoja e pashembullt e së kaluarës. Izraeli është ngritur mbi hirin e Holokaustit, ndërsa për demokracinë e dytë të Gjermanisë konfrontimi me të kaluarën është një nga elementët bazë të kushtetutës." Krahas Peresit, folës nderi në seancën solemne ishte edhe historiani polak, profesor dr. Feliks Tych.
Shumica e viktimave të përndjekjeve naziste në periudhën 1933-1945 kanë qenë hebrenj dhe polakë.
Autor: Anila Shuka
Redaktor: Pandeli Pani