1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

200811 Norwegen Massaker

21 Gusht 2011

Katër javë pas sulmit në Norvegji të mbijetuarit kanë vizituar për herë të parë ishullin Utoya. Rreth 750 vetë kujtuan në vendin e masakrës të vdekurit. Të dielën (21.8.) në Oslo zhvillohet një ceremoni përkujtimore.

https://p.dw.com/p/12KpG
Familjarët përkujtuan të premten viktimat
Familjarët përkujtuan të premten viktimatFotografi: picture-alliance/dpa

Me 22 korrik Trond Blattmann humbi djalin e tij 17 vjeçar Torjus, të vrarë në ishullin e vogël Utoya, 40 kilometra larg Oslos. Këtë të dielë (21.8.) Trond Blattmann i jep atij lamtumirën dhe me të i gjithë vendi.

Të mbijetuarit e katastrofës kthehen në Utoya
Të mbijetuarit e katastrofës kthehen në UtoyaFotografi: picture-alliance/dpa

Kjo është ndarja nga Torjus dhe 76 të tjerët, të cilët para një muaji u vranë nga atentatori Anders Behring Breivik. Të premten (19.8.) Trond Blattmann ishte me të afërmit e tjerë të viktimave në ishullin e vogël. Ai donte të ishte atje, kur djali i tij kaloi orët e fundit deri sa vdiq: „Ishte e vështirë. Jashtëzakonisht e vështirë. Në të njëjtën kohë ishte mirë për mua mirë, të isha aty ku ka ndodhur ngjarja. Unë mund të them për vete se kam gjetur një përgjigje për pyetjet dhe mendimet e mia për gjithçka, që ka ndodhur aty. Prandaj ka qenë mirë, që kam qenë këtu, me familjet e tjera, që kanë pësuar të njëjtin fat."

Me ndjenja të përziera

Sö bashku me Trond Blattmann të premten 500 familjarë ishin në Utoya, të shtunën (19.8.) u kthyen të mbijetuarit e katastrofës. Edhe për ta ishte një rrugë e vështirë, e shoqëruar nga kryeministri i Norvegjisë Jens Stoltenberg.

Kryeministri norvegjez Jens Stoltenberg
Kryeministri norvegjez Jens StoltenbergFotografi: dapd

Stoltenberg vetë ishte në listën e vdekjes së Anders Behring Breivik. Bomba, që shpërtheu me 22 korrik në lagjen qeveritare të Oslos dhe që u mori jetën tetë vetëve, kishte qenë e destinuar për të. Socialdemokratit 51 vjeçar javët e fundit i është dashur të flasë shumë për dhimbje, dhe humbje, por ai thekson përherë që Utoya do të mbetet një vend për organizatën rinore të partisë së tij. „Puna drejt këtij qëllimi ka nisur tashmë. Dhe që të mbijetuarit janë kthyer tani, është hapi i parë, për ta ringjallur Utoya-n si një vend të pjesëmarrjes dhe diskutimeve politike."

Nëse është e mundur, që në këtë vend të diskutohet lirshëm për politikë dhe të festohet bashkarisht, këto pyetje ia ka shtruar vetes edhe Jens Stoltenberg:

„Unë mendoj se kjo është e mundur. Janë aq shumë të rinj, që e duan një gjë të tillë. Dhe Utoya nuk është tani vetëm një simbol për rininë socialdemokrate të punës në Norvegji, por edhe një simbol kombëtar për një shoqëri të hapur dhe të lirë. Në Norvegji ka shumë njerëz, që duan ta mbajnë Utoya-n si vend të diskutimit politik."

Ishulli Utøya
Ishulli UtøyaFotografi: dapd

Lamtumira e fundit

Por më parë do t'u jepet lamtumira atyre, që e kishin kërkuar Utoyan si një vend të diskutimit politik dhe gjetën aty vdekjen. Në funeralin të dielën pasdite (21.8.) në një sallë kongresesh dhe koncertesh do të jetë e pranishme familja mbretërore e vendit, politikanët drejtues, si dhe presidentët dhe kryeministriat e shteteve fqinje nordike. Nga Suedia vjen princesha Victoria, nga Danimarka princi Frederik.

Këngëtarët më të shquar të Norvegjisë do të dalin në skenë, edhe grupi i muzikës pop a-ha. Anëtarët e tij thanë në një deklaratë për shtyp, se janë krenarë, që jetojnë në një vend të vogël, ku populli, politika dhe shtëpia mbretërore kanë treguar solidaritet të madh në një tragjedi të tillë.

Autor: Albrecht Breitschuh/Angjelina Verbica

Redaktoi: Mimoza Kelmendi