1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Cameron zemëron jo vetëm partnerët në BE

dpa/dw/Pani24 Janar 2013

Partnerët evropianë, opozita britanike, përfaqësues të ekonomisë dhe SHBA paralajmërojnë Londrën nga rreziku i izolimit në Evropë.

https://p.dw.com/p/17QS0
Fotografi: dapd

Pas deklaratave të kryeministrit britanik David Cameron, se do të organizojë një referendum popullor lidhur me qëndrimin ose jo të vendit të tij në BE, në rast se partia e tij konservatore fiton në zgjedhjet parlamentare të planifikuara për vitin 2015 pasuan reagimet e para nga politikanët evropianë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri thirrje Britanisë që të jetë e gatshme për kompromise në debatin mbi të ardhmen e vendit në Bashkimin Evropian. "Evropë do të thotë gjithmonë edhe që të gjehen kompromise të drejta", tha Merkel në Berlin. "Në këtë kontekst, ne jemi sigurisht të gatshëm të flasim edhe për dëshirat britanike." Por një duhet mbajtur gjithmonë para sysh, se edhe vendet e tjera kanë dëshirat e tyre.

Großbritannien David Cameron über Referendum EU
Kryeministri britanik David Cameron gjatë fjalimit në lidhje me politikën evropianeFotografi: Reuters

Merkel tha se: "Gjermania dhe unë personalisht shpresojmë që Britania e Madhe është një pjesë e rëndësishme dhe një anëtare aktive e Bashkimit Evropian." Gjermania e përshëndet faktin që Londra "ngul këmbë që Evropa është një kontinent konkurrues në kontekstin e globalizimit, e cila mund të vazhdojë ta ruaj nivelin e mirëqënies. "

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, i bëri thirrje Britanisë së Madhe që të ardhmen e saj të vazhdojë ta shohë në Bashkimin Evropian. Në përgjigje të fjalimit të kryeministrit britanik David Cameron në lidhje me politikën evropiane Westerwelle tha në Berlin: "Evropën e bashkon fati i përbashkët." Jo çdo gjë duhet të vendoset në ose nga Brukseli. "Por, një politikë vetëm për të përfituar nga anët e mira nuk do të funksionojë."

Lojë të rrezikshme dhe vite pasigurie

Martin Schulz, Presidenti i Parlamentit Europian, tha: "Unë dyshoj se kryeministri Cameron me shpalljen se do të organizojë një referendum po luan një lojë të rrezikshme, për arsye politike të brendshme. Unë e besoj atë kur thotë se dëshiron që Britania e Madhe të mbetet anëtare e BE-së. Por Cameron-i po i ngjan gjithnjë e më shumë nxënësit të magjistarit, i cili nuk është më në gjendje t'i zbusë forcat që ka thirrur. "

Përfaqësues të ekonomisë dhe Partia Laburiste në opozitë paralajmëruan, se shpallja e një referendumi mund ta dëmtojë ekonomikisht Britaninë e Madhe. Ed Miliband, lideri i Partisë Laburiste tha: "Cameron-i po i sjell Mbretërisë së Bashkuar vite pasigurie dhe e vë ekonominë në rreziqe të mëdha."

Kritika dhe nga partnerët në qeveri

Deklaratat e Cameron-it u pritën me kritika jo vetëm nga partnerët e BE-së, por edhe nga liberaldemokratët, partnerë në qeverinë britanike. Nick Clegg, zëvendëskryeministri britanik dhe kryetar i liberaldemokratëve tha se "Vite të tëra pasigurie për shkak të bisedimeve të reja, të zgjatura dhe jo të përcaktuara qartë për pozicionin e vendit tonë në Evropë nuk janë në interesin kombëtar, sepse ato do të kushtojnë vende pune dhe zhvillim ekonomik."

England - David Cameron und Nick Clegg
David Cameron dhe Nick CleggFotografi: dapd

Edhe qeveria amerikane e paralajmëroi Londrën nga rreziku i izolimit në Evropë.

Kryeministri britanik David Cameron tha në fjalimin e tij në lidhje me politikën evropiane se sipas tij reformimi i BE është kusht për qëndrimin e Britanisë së Madhe në BE. Pa reforma ekziston rreziku, që vendi i tij të lëvizë në drejtim të largimit nga BE, tha Cameron.