1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Buxheti i Kosoves dhe rritja e pagave

Prej disa javësh në Kosovë shumë punonjës që paguhen nga buxheti i shtetit po protestojnë duke kërkuar rritjen pagave. Përfaqësues të ministrisë së ekonomisë, thonë se buxheti i Kosovës nuk lejon rritjen e pagave.

default

Buxheti i Kosovës nuk mund të përmbushë të gjitha kërkesat e shërbyesve civilë për rritje pagash. Kështu u përgjigjet ministri i ekonomisë dhe financave Ahmet Shala, shumë punonjësve të shumë organizatave që paguhen nga buxheti i Kosovës ose të ndërmarrjeve shoqërore, që ndihmohen nga buxheti dhe që kërkojnë rritje pagash.

Ka disa javë që shumë agjenci që paguhen nga buxheti i Kosovës, vazhdimisht protesojnë dhe futen në greva me kërkesën e vetme rritjen e pagave. Paga mesatare në Kosovë sillet rreth 200 euro.

Kosovo Flash-Galerie

Ministri i Ekonomisë dhe Finacave Ahmet Shala, thotë për DW, se qeveria vazhdimisht përpiqet që të rrisë pagat, mirëpo më e fokusuar është në qëndrueshmërinë ekonomike të shtetit. “Shtrijë këmbët sa e ke jorganin. Kështu thotë një fjalë e urtë popullore. Unë konsideroj se e kemi shfrytëzuar maksimalisht jorganian, që të mbesim të mbuluar si shtet, i qëndrueshëm si shtet dhe të funksionojmë si shtet. Unë i di pakënaqësitë e shumicës së të punësuarve. Por, unë them se më shumë duhen shikuar pakënaqësitë e të papunëve. Çdo rritje e pagës së të punësuarve zvogëlon mundësinë për të punësuar njerëz të tjerë,” thotë ministri Ahmet Shala.

Opozita : Buxheti menaxhohet keq

Mirëpo, ndryshe mendojnë përfaqësuesit e opozitës. Haki Shatri ish ministër i ekonomisë dhe financave, tash kryetar i komisionit për buxhetin dhe financat në kuvendin e Kosovës, thotë se keqmenaxhimi i buxhetit po e pengon rritjen e pagave të shërbyesve civilë. Sipas tij, paratë publike po destinohen në mënyrë të paarsyeshme, duke diskriminuar kështu shërbyesit civilë dhe punonjësit në disa ndërmarrje publike. “Ka mundësi që me një punë të mirë të inkasohet më shumë buxhet, të sigurohen më shumë të hyra buxhetore dhe, në bazë të kësaj, pastaj me shpërndarje të merren parasysh kërkesat për rritje të pagave. Fjalën e kam për shëndetësinë, gjyqësorin, arsimin, drejtësinë dhe policinë. Të gjitha këto kategori në prioritetet e qeverisë teorikisht janë të vendosura përpara, kurse në praktikë, me buxhet janë të diskriminuara. Dhe, sipas këtij buxheti nuk ka mundësi, sepse ato para janë orientuar për import të energjisë,” thotë Haki Shatri.

Duhet shkuar drejt rritjes së pagave

Pavarësisht se një pjesë e madhe e buxhetit të Kosovës harxhohet në blerjen e energjisë elektrike, janë pikërisht punëtorët e Korporatës Elektorenergjetike të Kosovës, të cilët gjatë gjithë javës u futën në grevë duke kërkuar rritjen e pagave. Izet Mustafa, është njëri ndërorganizatorët e grevës.“Duke pasur parasysh kushtet dhe gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale të punëtorëve dhe duke marrë parasysh se në dy vjetët e fundit kemi rezultate pozitive në rritjen e prodhimt të energjisë dhe në inkasimin e faturave, mendoj se është një arsye, që të kërkojmë rritje pagash. Ne i kuptojmë, problemet edhe të kompanisë edhe të buxhetit dhe në përgjithësi të shtetit, mirëpo, synim i yni është që të paktën të lëvizet në drejtim të rritjes së pagave”, thotë Izet Mustafa.

Kosovo Flash-Galerie

Sidoqoftë, buxheti i Kosovës ka arritur shumën e 1.4 miliard eurove, mirëpo sipas ekpertëve të ekonomisë është mjaft i vogël që të mund të përmbushë kërkesat e punonjësve për rritje pagash. Për më shumë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka rekomanduar qeverisë së Kosovës që të jetë e kujdeshme në rritjen e pagave të punonjësve në administratë. Madje Fondi Monetar Ndërkombëtar, i ka rekomanduar qeverisë që të zvogëlojë numrin e të punësuarve në administratë, që sipas këtij mekanizmi numri prej afro 100 mijë personave, që punojnë në administratë është shumë e lartë për një vend të vogël, siç është Kosova.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 25.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MB2G
  • Data 25.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MB2G