1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bushati: Dialogu me Gjermaninë i fuqizuar në vitin 2016

Pas takimit në Berlin me ministrin e Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, flet për DW mbi mbështetjen gjermane, vetingun e hapjen e negociatave me BE, dhe Kosovën.

Deutsche Welle: Zoti Bushati sapo dolët nga një takim me z.- Steinmeier. Ishte ky takim lamtumire me zotin Steinmeier, ai sipas të gjitha gjasave do të jetë presidenti i ardhshëm i Gjermanisë...

Ditmir Bushati: Ky ishte një takim i parashikuar në bazë të dialogut politik që ekziston mes dy vendeve tona, një dialog që mund të them me kënaqësi se vetëm është fuqizuar gjatë vitit të fundit, vetëm këtë vit ka pasur katër takime bilaterale, besoj se kjo është edhe shenjë e respektit që ekziston për punën e mirë që bëjnë të dy vendet tona dhe tregues i qartë i vëmendjes që tregon Gjermania për zhvillimet demokratizuese në Shqipëri e stabilitetin demokratik në rajon

Çfarë mesazhi të fundit ju dha me vete ministri Steinmeier para largimit si ministër e që së shpejti ndoshta do të jetë edhe president i Gjermanisë?

Takimi ynë ka qenë i përqëndruar kryesisht në çështjet e marrëdhënieve dypalëshe, në çështje që kanë të bëjnë me rrugëtimin europian, duke qenë se Gjermania ka qenë një prej protagonisteve kryesore, jo thjesht në kuadër të procesit të Berlinit, por edhe në procesin e vështirë të reformave për sundimin e së drejtës në Shqipëri. Besoj se mbështetja e pakushtëzuar e së cilës e ka sjellë Shqipërinë në këtë moment deçiziv. Kemi siguruar një rekomandim nga ana e Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Në këtë kontekst kemi diskutuar jo vetëm ecurinë e reformave, por edhe zhvillimet brenda OSBE-së, duke qenë se Gjermania mban kryesinë e radhës së OSBE-së, po ashtu zhvillimet brenda

NATO-s në kontekstin e ri global, sidomos pas zgjedhjes së Donald Trump. president i Shteteve të Bashkuara.

Ka një rekomandim të Komisionit Europian për hapjen e negociatave, por ka edhe një pengesë. Gjykata Kushtetuese e pezulloi ligjin e shumëpërfolur të vetingut. Sa është pengesë vetingu për hapjen e negociatave?

Ka një rekomandim të qartë nga ana e Komisionit Europian që shoqërohet me mirëkuptimin për zbatimin e ligjit të vetingut, ka një qëndrim të qartë të kryeministrit Rama e qeverisë, ku ne po punojmë për të pasur mirëkuptimin e opozitës shqiptare, përkatësisht Partisë Demokratike për të mos bllokuar zbatimin e ligjit të vetingut. Nuk do të ishte e ndershme nga ana jonë si në raport me qytetarët shqiptarë që e kanë mbështetur këtë proces, ashtu edhe me partnerët amerikanë dhe europianë, që janë investuar fort në procesin e reformës në drejtësi, që ne të kërkojmë të fillojmë bisedime për anëtarësim pa zbatimin e ligjit të vetingut dhe pa marrë frytet e para.

Cili është qëndrimi gjerman për këtë?

Mora një mbështetje të pakushtëzuar nga ana e Gjermanisë për këtë vizion që ne kemi parashtruar, jo thjesht zbatimin e reformës në drejtësi, por edhe hapat e koordinuar që do të hedhim si hapa parapërgatitorë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

Por edhe njëherë sa mund t'i bllokojë negociatat bllokimi i vetingut?

Nuk do të preferoja të flisja për skenarë negative për bllokime apo zvarritje të mëtejshme në procesin e zbatimit të vetingut, sepse çfarë është ai në vetvete- në veting do të kalojnë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri, do të jetë një proces që do të bëhet nga shqiptarët, sepse anëtarë të komisionit do të jenë vetëm shqiptarë, të cilët do të mbështeten nga ekspertë ndërkombëtarë. Vullneti i qeverisë shqiptare, vullneti i Shqipërisë dhe vullneti për të përfshirë në një shkallë të paprecedentë ekspertizën ndërkombëtare dhe partnerëve europianë dhe amerikanë vlerësohet maksimalisht nga ana e Gjermanisë dhe partnerëve tanë. Zbatimi me cilësi dhe shpejtësi i vetingut është garancia më e mirë për të pasur një proces negociimi me Bashkimin Europian sa më të shëndetshëm.

Në raportin e KE-së për procesin e integrimit, Shqipëria ka marrë vlerësime në shumë fusha, por në politikën e jashtme ka marrë notat më të mira. Komisioni Europian vlerëson kontributin konstruktiv të Shqipërisë në marrëdhëniet rajonale. Si e shikoni këtë vlerësim?

Në vlerësimet e Komisionit Europian për Shqipërinë në shumë fusha, nëse do ta krahasoja atë me vendet e rajonit, sipas konstatimeve të Komisionit Europian, Shqipëria është në një pozicion shumë solid. Përsa i përket politikës së jashtme dhe sigurisë, Shqipëria ka një pozicion udhëheqës në rajon, për shkak të akordimit të politikës së saj 100% me politikën e jashtme të Bashkimit Europian, por edhe për shkak të rolit dinamik, konstruktiv e stabilizues në rajon. Në këtë pikëpamje jam i gëzuar që jemi në një gjatësi vale.

Vlerësimet erdhën edhe për shkak të politikës së re që Shqipëria po ndjek ndaj Serbisë. Sipas kryeministrit Rama, ai dëshiron të bëjë me Serbinë në fushën e bashkëpunimit atë që bëri Gjermania me Francën. Në fakt në mes qëndron Kosova, ku ende procesi i normalizimit me Serbinë ka shumë ngecje. Si do të gjendet balanca e duhur në këtë kontekst? Ka zëra kritikë për një qëndrim paternalist të Shqipërisë ndaj Kosovës.

Këtij shqetësimi të ngritur në media, shpesh edhe me trajta spekulimi, besoj se kryeministri i ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë. Marrëdhëniet tona me Serbinë, natyrisht që varen në një masë të madhe edhe nga ecuria e procesit të dialogut që zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kur flasim për marrëdhënie mes Shqipërisë dhe Serbisë nuk e barazojmë me një marrëdhënie mes shqiptarëve dhe serbëve në përgjithësi.

Nga ana tjetër, në çdo takim, përfshirë edhe takimin që zhvillova këtu në Gjermani, por edhe takime bilaterale, rajonale, evropiane, apo ndërkombëtare, Shqipëria është avokatja natyrale e Kosovës, e përfundimit dhe konsolidimit të procesit të shtetndërtimit dhe sovranitetit, e fitimit të subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar, në këtë konteskt ne i kemi inkurajuar dhe do të qëndrojmë pranë vëllezërve dhe motrave në Kosovë për të ecur përpara jo vetëm në procesin e dialogut me Serbinë, por edhe për të avancuar në fitimin e plotë të subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar.