1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bush: PKK është armike e SHBA

Albrech Ziegler6 Nëntor 2007

Të fillojë apo jo ofensiva kundër organizatës ilegale kurde PKK në veri të Irakut? Kryeministri turk Rexhep Taip Erdoan shpresonte në dhënien e dritës së gjelbër nga presidenti amerikan Xhorxh Bush.

https://p.dw.com/p/C3cr
Bush dhe Erdoan gjatë takimit në Zyrën Ovale në Shtëpinë e BardhëFotografi: AP

Në fund të fundit ai është komandanti i trupës së drejtuar nga SHBA-të që kontrollon Irakun. Por megjithë fjalët e qarta në drejtim të PKK-së Bush nuk ka dhënë mesa duket dritë të gjelbër për marshim të trupave turke në veri të Irakut.

Kryeministri turk kishte bërë të qartë qysh para takimit se priste "hapa thelbsësorë" të SHBA në çështjen e PKK-së dhe Xhorxh Bush nuk e zhgënjeu të ftuarin. Ai iu përgjigj kërkesave të Erdoanit: kryeministri turk pati mundësi të dëgjonte pikërisht ato fjalë që priste. Xhorxh Bush: "PKK është një organizatë terroriste. Ajo është armike e Turqisë, armike e Irakut dhe armike e SHBA."

Bush nuk u mjaftua me fjalë

Në fund të fundit fjala ishte të bindej Erdoan që Turqia të hiqte dorë nga planet për të hyrë me trupa në veri të Irakut ku PKK ka baza të saja. Presidenti amerikan ka paraqitur mesa duket plane konkrete kooperimi të cilat i përshkroi në vija të përgjithshme pas takimit. "Ne kemi diskutuar mbi mënyrat e bashkëpunimit dhe se si të mbrohemi nga PKK. Është e rëndësishme që të bashkëpunojmë në fushën e këmbimit të informacioneve të shërbimit sekret. Gjithashtu ushtritë tona duhet të jenë në kontakt të vazhdueshëm."

Hollësi mbi kooperimin në sektorin e shërbimit sekret dhe atë ushtarak nuk dhanë as Bush e as Erdoan

Kryeministri turk në një takim tjetër me gazetarë tha vetëm se me presidetin Bush është arritur një nivel i lartë mirëkuptimi dhe prej tij nuk mund të pritet që të tregojë të gjitha hollësitë e takimit. Por Erdoan tha se kishte dalë tepër i kënaqur prej tij. Një deklaratë e tillë u lë vend spekulimeve.

E qartë është gjithashtu se SHBA duan që edhe qeveria në Bagdad të marrë përgjegjësitë e saj në këtë çështje. Kryeministri turk ka kërkuar me forcë që SHBA të punojnë me liderët e Irakut në mënyrë që të ndërpriten financimet për PKK-në: "Unë i thashë qartë kryeministrit se duam të bashkëpunojmë ngushtë për të zgjidhur këtë problem."

Bush theksoi vullnetin e tij për të bashkëpunuar

Por, ai nuk ishte shumë elokuent kur u pyet për mundësinë e hyrjes së trupave turke në veri të Irakut. Kjo është një pyetje hipotetike tha presidenti amerikan dhe nuk komentoi më gjatë. Erdoan mbi këtë pyetje tha vetëm se vendi i tij zotëron të drejtën që në rast nevoje të hyjë me trupa në Irak. Por me kaq përfundoi dhe komenti i Erdoanit i cili theksoi gjithashtu vendosmërinë për bashkëpunim me SHBA.

Kryeministri turk mbeti i kënaqur me zhvillimet rreth rezolutës mbi temën e Armenisë

Deklarata e një komisioni të Kongresit në të cilën vrasja e më shumë se 1,5 milionë armenëve dënohej si gjenocid ishte hequr nga rendi i ditës. Kështu votimi për të është shtyrë. Erdoan tha se projekt-rezoluta mund të dëmtonte rëndë bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve. Këto fjalë mund të konsiderohen edhe si një kërcënim flagrant kundër SHBA dhe bazave të saj në Turqi. Akuzën për gjenocid kundër armenëve e cilësoi shprehimisht "akuza armene të cilat në disa vende janë vazhdimisht në rend të ditës, por që deri më sot nuk janë vërtetuar as historikisht dhe as juridikisht."