1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bundestagu miraton rezolutën për Armeninë, Turqia tërheq ambasadorin

Rezoluta në Parlamentin gjerman u miratua thuajse njëzëri. Nuk përjashtohet mundësia që ajo t'i keqësojë marrëdhëniet me Turqinë.

Bundestagu Gjerman miratoi një rezolutë, e cila i quan "gjenocid" vrasjet e armenëve në Perandorinë Osmane. Në rezolutë thuhet se vrasjet e armenëve dhe të minoriteteve të tjera të krishtera para 100 vjetësh kanë qenë sistematike dhe të qëllimshme - gjë që e justitifikon kategorizimin e tyre si "gjenocid".

Rezulota u miratua thuajse njëzëri, me një votë kundër dhe një abstenim. Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert foli për një "shumicë të konsiderueshme".

Në votim nuk ishin të pranishëm, për shkak të angazhimeve të tjera Kancelarja gjermane Angela Merkel, ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier si dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Sigmar Gabriel. Kritikët thanë se ata iu shmangën qëllimisht një vote të vështirë. Kancelarja Merkel theksoi megjithatë menjëherë pas miratimit të rezolutës vlerën e marrëdhënieve gjermano- turke dhe forcën e tyre për t'u rezistuar edhe kohëve të krizave. Edhe kur për një çështje mendimet janë të ndryshme, marrëdhëniet miqësore dhe strategjike janë të mira, u deklaroi Kancelarja gjermane agjencive të lajmeve.

Lammert: Turqia përgjegjëse për të ardhmen

Tone të ngjashme qetësuese u dëgjuan më parë edhe në Bundestag. Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert tha se gjermanët kanë "bashkëfajësi" për masakrat e armenëve, prandaj nevojitet një përgjigje gjermane. Historikisht: Perandoria Gjermane ishte atëherë aleatja kryesore e Perandorisë Osmane dhe sipas mendimit të historianëve ndërkombëtarë e ka ngarkuar veten me bashkëfajësi duke kthyer kokën mënjanë, duke toleruar dhe pjesërisht duke e mbështetur makinerinë e vrasjes. "Bundestagu Gjerman nuk mundet dhe nuk dëshiron t'u shmanget pyetjeve dhe përgjigjeve të parehatshme - aq më tepër kur si në rastin e masakrës ndaj armenëve dhe minoriteteve të tjera të krishtera 100 vjet më parë në Perandorinë Osmane, Perandoria Gjermane e ka ngarkuar veten me bashkëfajësi", tha Lammert.

Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert

Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert

Presidenti i Bundestagut tha më tej se "Qeveria e sotme turke nuk është përgjegjëse për atë që ndodhi 100 vjet më parë - por ajo është përgjegjëse për atë si do të veprohet me këto ngjarje në të ardhmen".

Deri tani, politika turke e refuzon rreptësisht kategorizimin e ngjarjeve si gjenocid dhe u referohet trazirave të luftës në Luftën e Parë Botërore, ku akte mizore kanë ndodhur nga të gjitha palët. Por për historianët jashtë Turqisë ndërkohë konsiderohet e dëshmuar se masakrat qenë pogrome të qëllimshme dhe sistematike, me synim spastrimin etnik dhe dëbimin.

Reagimet

Ministri i Jashtëm i Armenisë, Edward Nalbandian e vlerësoi vendimin e Bundestagut. Ai tha se ai përfaqëson"kontributin me vlerë të Gjermanisë jo vetëm për pranimin dhe dënimin ndërkombëtar të gjenocidit ndaj armenëve, por edhe për luftën universale për parandalimin e gjenocidit, të krimeve kundër njerëzimit."

Debati për rezolutën për Armeninë

Debati për rezolutën për Armeninë

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier tha pas vendimit se kemi të bëjmë "me një vendim të pavarur të Bundestagut Gjerman." "Turqia reagoi si pritej", tha ai. "Shpresoj se në ditët e ardhshme do të jemë në gjendje të sigurojmë që të mos kemi mbireagim"

Menjëherë pas miratimit të rezolutës, zëdhënësi i qeverisë turke shkroi në twitter se rezoluta "është një gabim historik". Për zëdhënësin e qeverisë turke vendimi i Bundestagut është "zero dhe inekzistues" dhe për vendin e tij "pa vlerë".

Yildirim: Turqia krenohet me të kaluarën e saj

Pak më vonë qarkulloi edhe lajmi se Turqia do të tërheqë edhe ambasadorin e saj nga Gjermania. Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim akuzoi "lobin racist armen" për miratimin e rezolutës dhe tha se ka thirrur për konsultime dhe raportim në Ankara Ambasadorin e Turqisë në Berlin, Hüsein Avni Karslioglu. Yildirim deklaroi se Turqia nuk ka asgjë në të kaluarën e saj, për të cilën duhet të turpërohet.

"Vendi ynë është një vend që krenohet me të kaluarën e tij", deklaroi Yildirim dhe shtoi në twitter se rezoluta "po e vë me të vërtetë në provë miqësinë e Gjermanisë me Turqinë."

Para miratimit të rezolutës, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan pati deklaruar se rezoluta mund të dëmtojë "lidhjet diplomatike, ekonomike, tregtare, politike dhe ushtarake" midis Turqisë dhe Gjermanisë. Tërheqja e Ambasadorit është vetëm "një hap i parë", tha Erdogan.

Ndërkohë, njësi të armatosura të policisë janë vendosur para Konsullatës gjermane në Stamboll, për rastin e protestave eventuale të dhunshme. Disa vëzhgues megjithatë nuk besojnë se rezoluta do të shkaktojë vërtet një krisje në marrëdhëniet e Gjermanisë me Turqinë, sepse ajo nuk pasohet nga hapa juridikë.