1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Bullgaria ka frikë nga një valë refugjatësh

Qëkurse Maqedonia ka mbyllur kufirin me Greqinë bullgarët vërejnë se refugjatët po përpiqen gjithnjë e më tepër që të hyjnë përmes kufirit të tyre në BE.

Rezovo është lokaliteti më juglindore i Bullgarisë dhe atë e ndajnë vetëm disa qindra metra nga fshati më i afërt turk. Banorët e Rezovos janë tashmë të shqetësuar se ata së shpejti mund të përballen me refugjatë që vijnë me varka përmes Detit të Zi nga Turqia.

Pas përpjekjes për grusht shteti në vendin fqinjë, ekziston frika se marrëveshja për refugjatët midis BE-së dhe Turqisë është në prag të dështimit dhe se Ankaraja mund t'i lejojë refugjatët që të kalojnë përmes kufirit bullgaro-turk që është 240 kilometra.

Zona përreth Rezovës është siguruar tani nga ana bullgare me një gardh 30 kilometër të gjatë dhe 3.5 metra të lartë. Tani ky gardh pritet që të zgjerohet sa më shpejt të jetë e mundur përgjatë gjithë kufirit me Turqinë.

Përveç kësaj edhe përgjatë kufirit jugor 484 km të gjatë me Greqisë do të ngrihet një gardh. Sepse qëkurse Maqedonia ka mbyllur kufirin me Greqinë bullgarët vërejnë se refugjatët po përpiqen gjithnjë e më tepër që të hyjnë përmes kufirit bullgar në BE.

Bullgaria ka frikë nga një valë te re refugjatësh

Sofia ka bërë kërkesë që të mbështetet me personel për mbrojtjen e kufirit, kamera me rreze infra të kuqe dhe me qenë kufiri nga agjencia kufitare e BE-së Frontex. "Sofia duhet të ngrejë zërin që të dëgjohet", mendon politologu Tihomir Bezlov duke iu referuar përvojave të Greqisë me refugjatët-

Kryeministri bullgar Borisov tha së fundi se kufitarët kapin për ditë rreth 200 migrantë ilegalë që ekstradohen për në Turqi. Më 24 gusht Borisovi do të shkojë në Ankara për të diskutuar me presidentin turk Erdogan.

"Kufijtë midis Serbisë dhe Kroacisë si dhe mes Serbisë dhe Hungarisë janë të mbyllura hermetikisht", thotë eksperti i Ballkanit Biser Bantshev. Ai është i sigurt se refugjatët duan të vazhdojnë rrugën drejt Evropës dhe do të përpiqen të kalojnë nëpërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë për në Serbi. Sipas shifrave zyrtare, patrullat kufitare serbe kanë arrestuar në 14 ditët e fundit më shumë se 1.500 persona që kapërcejnë kufirin nga Bullgaria dhe Maqedonia.

Rrjete efikase trafikantësh

Trafikimi i qenieve njerëzore nga Bullgaria për në Serbi ishte i organizuar shumë mirë, thotë ish-kreu i policisë kufitare, Valeri Grigorov, në një intervistë për DW. "Emigrantët dhe refugjatët sillen brenda 72 orëve nga kufiri turk deri në kufirin me Serbinë. Trafikantët i sjellin njerëzit fillimisht me automjete në Sofje, ku natën qëndrojnë kryesisht në shtëpitë e romëve për 20 euro për kokë. " Në Sofje ka pasur tashmë përleshje të dhunshme midis dy klaneve rome që konkurrojnë për këtë biznes fitimprurës, thotë Grigorov. Ai gjithashtu bën thirrje për patrullime të përbashkëta kufitare greko-bullgare ", për të qenë në gjendje për të kontrolluar vërtetë në mënyrë të efektshme këtë terren shumë të vështirë."

Si një problem të madh ai sheh korrupsionin në polici: "Është si të thuash një "partneritet i biznesit" në mes të kontrabandistëve, kufitarëve dhe policëve që tolerohet nga autoritetet", thotë Grigorov.