1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bruksel: Kosova dhe BE me marrëveshje të re kontraktuale

26 Nëntor 2016

Krahas nënshkrimit të marrëveshjes për qasje të Kosovës në programet e BE-së, në Bruksel u zhvillua edhe takimi i parë i këshillit të stabilizim asocimit Kosovë-BE që u kryesua nga Federica Mogherini.

https://p.dw.com/p/2TI97
Belgien PK von Federica Mogherini, Johannes Hahn und Isa Mustafa in Brüssel
Konferenca e shtypit, 25.11.2016Fotografi: Office of the prime minister of Kosovo

Në Bruksel nënshkruhet marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së, ku tanimë Kosova ashtu sikurse shumë vende të Ballkanit, mund të aplikojë në programe të ndryshme të BE-së, si nga sektori publik po ashtu edhe ai privat. Marrëveshja e së premtes (25.11.) ndërmjet Kosovës dhe BE-së, shënon marrëveshjen e dytë të rëndësishme kontraktuale pas nënshkrimit vitin e shkuar të marrëveshjes së stabilizim asocimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Delegacioni i lartë i Kosovës që qëndroi në Bruksel udhëhiqej nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ata takuan përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini, komisionerin për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn dhe përfaqësues të tjerë të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian. Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj pjesë e delegacionit të Kosovës, i cili së bashku me Federika Mogherinin nënshkroi marrëveshjen për qasjen e Kosovës në programet e BE-së, tha se "arritja e kësaj marrëveshjeje është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm pasi me nënshkrimin e saj Kosova do të përfitojë qasje në programe dhe projekte konkrete ku do të mund të aplikojnë sektori privat, sektori publik, shoqëria civile, institucionet akademike dhe qytetarët e Kosovës”.

Vlerësimi: Progres në Kosovë

Krahas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, në Bruksel u zhvillua edhe takimi i parë i Këshillit të Stabilizim Asocimit Kosovë-BE që u kryesua nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini. Në një deklaratë të përbashkët BE-Kosovë, thuhet se "gjatë takimit, pati diskutime mbi zhvillimet e fundit kryesore në lidhje me përmbushjen e kritereve politike, si dhe gjendjen aktuale të kritereve ekonomike, bashkëpunimit financiar dhe zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim”. "U diskutuan prioritetet e reformave në fusha të ndryshme duke përfshirë sundimin e ligjit dhe reformat ligjore, respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike dhe reformat ekonomike.

Këshilli për Stabilizim Asociim mirëpriti progresin e dukshëm të Kosovës të arritur në përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. BE-ja nxit Kosovën për intensifikimin e punës në ratifikimin e marrëveshjes së kufirit më Malin e Zi dhe të vazhdojë të forcojë treguesit e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit', thuhet ndër të tjera në deklaratën e përbashkët BE-Kosovë.

Ajo që bie në sy në këtë komunikatë për media është përmendja se "Referencat për Kosovën janë pa paragjykim për pozicionin mbi statusin. Ato janë në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244/1999 dhe opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës”.

Österreich Johannes Hahn - EU-Kommissar für Europäische Nachbarschaftspolitik
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Seeger

Isa Mustafa: Marrëveshje me rëndësi elementare për popullatën e re

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas takimit tha se Kosova është interesuar që të thellojë edhe më tutje rrugën evropiane dhe të punojë në implementimin e të gjitha çështjeve të cilat janë të parapara me kontratën e parë me Bashkimin Evropian e të cilat përfshijnë fushën politike, ekonomike, atë të forcimit të shtetit ligjor dhe të implementimit të MSA-së. "Nënshkrimi i marrëveshjes, për qasjen tonë në programe dhe projekte të reja të Bashkimit Evropian që është e rëndësisë elementare për ne, sepse kemi një popullatë të re e cila ka interes të veçantë të ketë qasje në këto programe, prandaj unë e përshëndes angazhimin dhe përkushtimin e Bashkimit Evropian për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për Kosovën në tërësi”, tha kryeministri Isa Mustafa. Ai shtoi se Kosova është e interesuar t'i kontribuojmë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në këtë pikë sipas tij ka rezultate.

"Jemi të interesuar që përmes dialogut politik me fqinjët t'i zgjidhim të gjitha çështjet e hapura. Këtë dialog do ta vazhdojmë edhe më tutje me Serbinë. Do të punojmë në temat dhe do të angazhohemi për implementimin e marrëveshjeve të arritura dhe presim përkushtim të dyanshëm në implementimin e këtyre marrëveshjeve”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Kryeministri i Kosovës edhe njëherë shprehu shqetësimin e tij që Kosova akoma mbetet nën regjimin e vizave për në zonën Shengen. "Shpresoj shumë që së shpejti ne do të kapërcejmë edhe çështjet që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave dhe qytetarët tanë do të udhëtojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian ashtu siç kanë lëvizje edhe qytetarët tjerë. Kemi nevojë që të rinjtë ta realizojnë këtë të drejtë, që bizneset tona ta realizojnë këtë të drejtë si komponente edhe e implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe po ashtu që të përfitojmë nga kjo e drejtë në zhvillimin ekonomik, në zhvillimin social dhe në zhvillim demokratik të Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Kosovo Premierminister Isa Mustafa
Fotografi: DW/B. Shehu

Ndërsa komisioneri i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn edhe njëherë përsëriti se nga 95 kriteret e kërkuara për Kosovën lidhur me liberalizimin e vizave, 93 nga to janë plotësuar, mirëpo, është akoma demarkacioni me Malin e Zi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të cilat Kosova duhet shënuar përparim. "Unë kërkoj nga të gjithë politikanët në Kosovë, jo vetëm nga qeveria, por nga të gjithë politikanët që të shikojnë interesin e popullit. Disa gjëra duhet të përmbushen nga vetë ju, sepse vetëm në këtë mënyrë do të tregohej pjekuria politike e Kosovës. Luftimi i korrupsionit nuk bëhet menjëherë, por ai është një proces që duhet treguar rezultate konkrete. Kosova e ka legjislacionin relevant dhe tash është koha që ta aplikojnë këtë legjislacion”, tha Johannes Hahn.

Sidoqoftë, Këshilli për Stabilizim Asociim BE-Kosovë mirëpriti hyrjen në fuqi të marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) më 1 prill të vitit 2016. Bashkimi Evropian bëri me dije se MSA-ja është në thelbin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Kosovës dhe ajo ofron kornizën kontraktuale në kuadër të së cilës BE-ja dhe Kosova do të intensifikojnë bashkëpunimin dhe do të mbikqyrin zhvillimet e marrëdhënieve ndërmjet tyre.