1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Britani: Zhgënjim tek emigrantët

Në të gjithë Britaninë e Madhe ka sot 3 milionë emigrantë nga Evropa Lindore dhe ata janë bërë objekt armiqësish, edhe pse emigrantët kontribuojnë prej vitesh për mirëqënien e vendit.

Qyteti i vogël i Bostonit në veri të Anglisë ka qenë gjithmonë i lidhur në mënyrë të veçantë me botën. Dikur banorët e Bostonit emigronin për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot në Boston vijnë sidomos të rinj nga Evropa Lindore. Rreth 10 për qind e banorëve të Bostonit janë sot nga Evropa Lindore, ata erdhën si të ashtuquajtur emigrantë brenda BE-së. Në të gjithë Britaninë e Madhe ka sot 3 milionë të tillë. Janë shumë, thonë anti-evropianët. Prandaj në Boston tre ndër katër zgjedhës votuan për daljen nga BE-ja - një votë e qartë kundër të huajve që jetojnë aty.

Zhgënjim tek emigrantët

Prej kësaj e ndjejnë veten të prekur dhe të zhgënjyer edhe Zbigniew Godzisz dhe e shoqja Agnes. Angnes dhe Zbigniewi. Megjithëse ata kanë nënshtetësinë britanike, ata e ndjenë veten si shumë të tjerë më të padëshiruar se kurrë. Bostoni gjendet në qarkun Linkënshër (Lincolnshire), një zonë rurale me shumë bujqësi. Punonjësit sezonalë dikur ishin këtu shumë të dëshiruar. Dhe prandaj aty kanë shkruar shumë emigrantë nga Evropa Lindore. Shumë prej atyre që nuk kanë marrë nënshtetësinë britanike, nuk e dinë nëse do të mund të qëndrojnë më tej.

E tërë bota po ndryshon

Zbigniew Godzisz dhe e shoqja Agnes erdhën para 13 vjetësh në Boston, djali i tyre Patriku ka lindur në Angli. Fillimisht ata punonin si punëtorë fabrike po tani të dy kanë një punë në sektorin e menaxhimit, dhe kanë blerë dhe shtëpi, sikurse shumë nga miqtë e tyre. "Polakët punojnë shumë, dhe kursejnë sa më shumë të jetë e mundur. Disa syresh duan të kthehen në Poloni, por shumë nga miqtë e mi duan të qëndrojnë këtu, ata kanë këtu shtëpitë e tyre dhe për ta Anglia është tani shtëpia e tyre. Anglia përbëhet prej emigrantëve. Jo vetëm Anglia, e tërë bota po ndryshon, me këtë duhet të mësohemi." - thotë Angnes Godzisz.

Të huajt objekt armiqësish

Të huajt vijnë këtu, sepse duan të përfitojnë nga mirëqenia jonë - propagandonin në prag të referendumit përkrahësit e Brexit-it. Kjo frymë vazhdon dhe të huajt janë bërë që prej referendumit objekt armiqësish. Kjo është e padrejtë, mendon prifti polak Kowalski, i cili mban mesha në polonisht në Boston, sepse familjet e emigrantëve kontribuojnë prej vitesh për mirëqënien e Britanisë së Madhe. "Ne kemi ardhur këtu me arsim të mirë, me kulturë dhe ne punojmë shumë, paguajmë taksa. Ne e kemi pasuruar këtë vend." - thotë Kowalski.

Pa emigrantët nga Evropa Lindore, ky është edhe mendimi i Zbigniew dhe Agnes Godzisz-it, Britania do të ishte e varfër - dhe Bostoni, si shumë qytete të vogla angleze, nuk do të ishte kaq i suksesshëm ekonomikisht dhe kulturalisht.