1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Brian Yee: Shumicës parlamentare duhet t'i jepet shansi për formim të qeverisë

Talat Xhaferi deklaron se do të jetë kryeparlamentar i të gjithëve.

Zëvendës ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee, pas takimeve me partitë politike parlamentare dhe presidentin Gjorge Ivanov, deklaroi se SHBA-ja nuk sheh ndonjë arsye që shumica e re parlamentare të mos marrë një shans për formimin e qeverisë. Të mundësohet krijimi i qeverisë së re me program të ri qeveritar që të nisin reformat. Ky është qëndrimi që ndajnë SHBA-ja, BE-ja, NATO dhe Berlini, porositi diplomati amerikan.

"Besoj se është shumë me rëndësi për liderët politikë që të gjejnë zgjidhje për krizën poltiike. Të gjejnë mënyrën që të lejojnë që shumica parlamentare të formojë qeverinë dhe program qeveritar. E dimë se ka shqetësime rreth programit qeveritar, por për atë duhet të debatohet dhe të votohet në Parlament, jo jashtë. Zgjidhja e vetme e krizës është formimi i qeverisë. Nuk shohim arsye që shumica parlamentare të mos fitojë shans për formimin e qeverisë. Vendi duhet të rimëkëmbet për të mirën e të gjithëve. Është koha që kriza të mbarojë.” - tha Hoyt Brian Yee.

Së bashku në shpirtin e bashkëpunimit

Është e nevojshme që liderët politikë, shoqëria civile dhe qytetarët të punojnë së bashku në shpirtin e bashkëpunimit me qëllim që të shërohen plagët, jo vetëm ato që dolën nga ngjarjet e së enjtes në Parlament, por edhe ato të mospajtimeve politike që zgjatin më gjatë. Ndihmëssekretari shtetëror i SHBA-ve Hoyt Brian Yee është shprehur se SHBA-ja mbështet kryeparlamentarin e ri Talat Xhaferi në detyrën e re. "Ne do të bashkëpunojmë me Xhaferin. Atij duhet t'i jepet mbështetje që të tregojë lidership”, është shprehur Yee.

Ivanov: Vetëm përmes dialogut zgjidhjet janë të mundëshme

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov në takimin me Hoyt Brian Yee dënoi çdo dhunë politike dhe fizike dhe njëherit ka theksuar  se vetëm përmes dialogut duhet të kërkohen zgjidhje për gjendjen e sapokrijuar politike. Presidentit Ivanov nënvizon se nëse ekziston lidership i vërtetë prej kryetarëve të partive parlamentare, pengesat juridike dhe politike për përcaktimin e mandatit për konstituimin e qeverisë janë të tejkalueshme.Presidenti i Maqedonisë ka kërkuar nga SHBA-ja, si partner strategjik i Maqedonisë, të ndihmojë që pengesat të mënjanohen dhe të mundësohet që shumica parlamentare të marrë mandatin. "Precedentët  që vendosin një praktikë të re duke bërë legale ilegalen, minojnë parimet themelore të demokracisë”, theksoi presidenti Ivanov.

Xhaferi: Do të jem kryeparlamentar i të gjithëve

Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi pas takimit që pati me diplomatin amerikan, Hoyt Brian Yee, tha se e ka informuar atë mbi situatën aktuale në vend dhe se ka marrë mbështetje maksimale nga ai dhe SHBA-të si kryetar i ri i Parlamentit.

"Si kryetar i Parlamenit u zotova se do të marr angazhime gjithëpërfshirëse për t'iu kthyer punës në të gjitha institucionet e vendit. E sigurova diplomatin amerikan se do të jem kryetar i të gjithë deputetëve në Parlament, pa marrë parasysh nga cila forcë politike vijnë  dhe nëse me njohin apo jo si kryetar i ri i Parlamentit”, ka deklaruar Talat Xhaferi.

Zaev: Pas zgjedhjes së kryeparlamentarit do ta formojmë edhe qeverinë

Lideri i opozitës Zoran Zaev pas takimit me Brian Yee tha se qeveria e ardhëshme është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën e ardhshme në interes të proceseve reformuese. Zgjedhja e besueshme e kryeparlamentarit të ri nga radhët e shumicës paralmentare do të rezultojë me zgjedhjen e qeverisë së re të Maqedonisë, tha Zaev.

"Kryetari i ri i parlamentit është i zgjedhur sipas ligjit dhe është legjitim. Në përputhshmëri me rregulloren, ligjet dhe kushtetutën. Vazhdojmë të shtyjmë proceset para por këtë e bëjmë me mençuri dhe në periudhën e ardhëshme do të kemi një qasje për formimin e qeverisë së re reformuese”, tha Zaev.

Sipas kreut të LSDM-së presidenti Gjeroge Ivanov do të informohet nga kryetari i ri i parlamentit se ekziston shumicë demokratike parlamentare dhe do të kërkojë nga Ivanov të veprojë sipas detyrimeve kushtetuese për të dhënë mandatin për formimin e qeverisë. Me këtë do të shterren kërkesat e palogjikshme të Ivanovit, me të cilat ai po e kushtëzon dhënien e mandatit, deklaroi Zaev.

VMRO-DPMNE është i vetmi subjekt politik, i cili nuk është prononcuar pas takimit me diplomatin amerikan.