Bota e modës: YSL në ekranet e kinemasë
Hapet perdja për YSL
Çdo grua i njeh inicialet YSL. Emri i Yves Saint Laurent lidhet me modën elegante të nivelit botëror, me idetë revolucionare dhe avantgardiste, por edhe me thjeshtësi e modë klasike. Edhe sot artisti i njohur francez, që ndërroi jetë në vitin 2008, konsiderohet si stilisti më guximtar në historinë e modës. Ndaj jetës së tij i përkushtohet tani një film artistik.
Përgjegjësi e madhe qysh në rini
Filmi i regjisorit Jalil Lespert, i cili shfaqet tani në kinematë gjermane, përqendrohet tek periudha e rëndësishme e Yves Saint Laurent në vitin 1957 deri në vitin 1976. Asokohe djali i ri nisi të punojë në atelienë e modës Dior. Pas vdekjes së papritur të Christian Dior asistenti i tij 21 vjeçar mori përsipër drejtimin e kësaj shtëpie mode me famë botërore.
Një jetë plot tensione
Filmi i Lespert fokusohet më shumë tek jeta private e krijuesit të modës, se sa në veprën e tij. Historia e jetës së Yves Saint Laurents ofron mjaft lëndë për një film interesant kinematografik. I lindur në vitin 1936 në Oran të Algjerisë gjeniu i modës ishte homoseksual, maniak-depresiv dhe jashtëzakonisht i ndrojtur: një përzierje kjo me potencial shpërthyes.
Një miqësi për jetë
Një konstante e madhe në jetën e Yves Saint Laurent, krahas profesionit si stilist mode, ishte partneri i tij për një kohë të gjatë Pierre Bergé. Ky i fundit e njohu djalin e ri shumë shpejt dhe e shoqëroi atë gjatë gjithë jetës. Ata ishin partnerë si në jetë edhe në biznes. Bergé me përvojë në biznes u kthye në mbrojtësin për dekada të tëra të Yves Saint Laurent, me karakter të paqëndrueshëm.
Suksesi i aktorëve
Filmi "Yves Saint Laurent", që pati premierën në Festivalin Ndërkombëtar të Filimit në Berlin “Berlinale”, fiton dinamikë edhe prej dy aktorëve të shkëlqyer në rolet kryesore. YSL intepretohet nga ylli i ri francez i kinematografisë Pierre Niney, i cili në pamje të jashtme i ngjan shumë personazhit që luan. Rolin e të moshuarit Pierre Bergé e interpreton shkëlqyeshëm Guillaume Gallienne.
Karaktere të dyjëzuara
Filmi të bind përmes skicimit të shumëanshëm të karaktereve. „Yves Saint Laurent ishte kompleks. Ai ishte gjenial, modern, delikat dhe thellësisht i palumtur“ – gjykon Pierre Nineys mbi carin e modës, rolin e të cilin ai e luan në film. Për spektatorin filmi nxjerr qartë në pah shumëanshmërinë e personazhit autentik.
Fragment nga historia e modës
Edhe pse filmi „Yves Saint Laurent“ i kushton mjaft vlerë pasqyrimit të jetës private të stilistit të modës, padyshim spektatori fiton përmes tij edhe një përfytyrim intensiv për punën krijuese të Laurent. Ai i veshi zonjat me smoking dhe kostum duke eksperimentuar edhe me ngjyrat dhe pëlhurat – në këtë mënyrë ai mbeti gjithmonë elegant dhe i paimitueshëm.
Një film që ia vlen ta shohësh
"Yves Saint Laurent" ofron shumë: duke depërtuar thellë në botën e modës filmi është një komponent i historisë së kulturës. Gjithashtu ai sjell në vëmendje një fragment nga historia e kohës. Vitet 1960 dhe 1970, në të cilat përqendrohet filmi, i vijnë fare pranë spektatorit. Kësisoj "Yves Saint Laurent" është një film i thelluar, por edhe spektakolar: kinematografi franceze në formën më të mirë!