1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Boris Tadiç rikonfirmon mandatin si president i Serbisë

Bahri Cani / DW4 Shkurt 2008

Boris Tadiç fitoi në zgjedhjet presidenciale të Serbisë. Në bazë të të dhënave paraparake të KQZ, në balotazhin e djeshëm, Tadiç fitoi 50,5 përqind, ndërsa Tomisllav Nikoliq 47,7 përqind të votave

https://p.dw.com/p/D1wG
Boris TadiçFotografi: AP

Në votimin i cili konsiderohej si një lloj referendumi pro apo kundër Evropës, dolën më shumë se 66 përqind të zgjedhësve. Presidenti aktual dhe i ardhshëm Boris Tadiç, u shpreh shumë i kënaqur me fitoren. "Këto zgjedhje kanë përfunduar dhe mund të them se fituam. Dua t'i uroj të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen në zgjedhje. Ata dëshmuan se Serbia është një demokraci e madhe evropiane. Shumë vendeve evropiane u kemi dëshmuar se cilat janë potencialet demokratike në vendin tonë", theksoi Tadiç, i cili premtoi vazhdimin e rrugës evropiane. Ai foli me fjalë të zgjedhura edhe për kundërkandidatin e tij, Tomisllav Nikoliq dhe numrin e madh të votave që ka fituar ai.

Presidenti Tadiç falënderoi partitë politike, të cilat e kanë mbështetur. Por ndër to nuk ishin partitë e kryeministrit Vojisllav Koshtunica dhe ministrit Velimir Iliq, me të cilat Tadiçi formon koalicionin qeveritar.

Nryshe nga Partia Demokratike dhe shtabi i Tadiçit, tek radikalët mbretëronte një atmosferë më e zymtë. Kandidati i tyre u detyrua të pranojë humbjen. "Në bazë të rezultateve të deritanishme, duket se Boris Tadiç ka fituar në këto zgjedhje. Në qoftë se fitorja dëshmohet deri në fund, unë i uroj fitoren", tha Nikoliq.

Kandidati radikal nënvizoi se numri i madh i votave që ka fituar dëshmon për vullnetin e qytetarëve për ndryshime. Megjithatë Nikoliq ka shprehur keqardhje për rezultatin përfundimtar. "Më vjen keq që në këto zgjedhje sërish fitoi frika dhe se në Serbi edhe ca kohë do të vazhdojë sundimi përmes frikësimit", pohon ai.

Nikoliq është i bindur se në Serbi deri në maj, e ndoshta edhe më parë, do të ketë sërish zgjedhje. Ai i bëri thirrje BE-së që të ndërpresë shantazhet ndaj Serbisë, pa marrë në konsideratë se kush ka fituar në zgjedhje. Nikoliq tha se Serbia është e gatshme të futet në BE, por jo me kushtet që nuk mund t'i plotësojë askush. Kushti i tij për futje në BE është mbetja e Kosovës në kuadër të Serbisë, gjë që ka kërkuar edhe presidenti Tadiç.

Ndërkohë BE i ka uruar fitoren presidentit Tadiç me shpresën se do të vazhdojë rrugën e integrimeve evropiane, duke përfshirë edhe nënshkrimin e marrveshjes së stabilizimit dhe asociimit. Presidenca sllovene kumtoi se Serbia ka një rol kyç në Ballkanin perëndimor, ndërsa populli serb është pjesë e familjes evropiane.