1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BND dhe metadatat

dpa/Pandeli Pani5 Gusht 2013

Në skandalin për spiunazh të NSA-së duket se është përfshirë në shkallë të gjerë edhe Shërbimi Sekret Gjerman BND.

https://p.dw.com/p/19Jgs
Fotografi: Reuters

Fjala është për të ashtuquajtura metadata. Në to bëjnë pjesë në teknologjinë kompjuterike emrat e fijeve, të drejtat e qasjes në rrjet dhe data e ndryshimit të fundit. Sipas revistës "Spiegel" të dhënat në fjalë janë mbledhur prej vetë Shërbimit Sekret Gjerman (BND). Shërbimi Sekret Gjerman beson se pas njërës nga dy pikat e grumbullimit të të dhënave (Sigads) mund të jetë njëra prej qendrave të BND-së në qytetin bavarez Bad Aibling. Prej kësaj qendre Shërbimi Sekret Amerikan NSA ka mbledhur sipas informatave të Edward Snowden vetëm në dhjetor të vitit 2012 rreth 500 milionë metadata.

Asnjë informacion personal?

BND-ja tha gjatë fundjavës se ajo bashkëpunon me NSA-në prej më shumë se 50 vjetësh - "sidomos për sqarimin e situatës në zonat e krizës, për të mbrojtur ushtarët gjermanë të stacionuar aty dhe për mbrojtjen dhe shpëtimin e shtetasve të rrëmbyer gjermanë". Megjithatë "nuk ka prova se NSA mbledh në Gjermani të dhënat personale të qytetarëve gjermanë." - tha zëdhënësi i Shërbimit Sekret Gjerman.

Demo Protest Spaziergang BND Gebäude in Berlin 29.07.2013
Pamje nga protestat e zhvilluara para ndërtesës së BND në Berlin kundër vëzhgimit të NSA-sëFotografi: picture-alliance/dpa

Para se metadatat që lidhen me botën e jashtme të përcillen, ato sipas BND-së pastrohen në një proces shumëshkallësh nga të dhënat personale për çdo shtetas gjerman që mund të jenë përfshirë aty. Lidhjet gjermane të telekomunikacionit nuk regjistrohen, tha më tej zëdhënësi.

Sipas dokumenteve nga arkivat e "whistleblower-it" Snowden, specialistët e përgjimit të NSA-së kanë në kazermën Mangfall në Bad Aibling një qendër të tyre komunikimi dhe një lidhje të drejtpërdrejtë elektronike me rrjetin e të dhënave të NSA-së, njofton "Der Spiegel".

Përcjellja e të dhënave në një masë të tillë ngre pyetje të reja, p.sh. në lidhje me bazën ligjore për një shkëmbim të tillë të gjerë të të dhënave. BND-ja siguroi se të gjitha aktivitetet e bashkëpunimit me shërbimet sekrete të vendeve të tjera zhvillohen në përputhje me ligjet, sidomos të ligjit për BND-në.

Në vitin 2012 NSA-së i janë përcjellë vetëm dy dosje të dhënash të një shtetasi gjerman që lidhen me hetimin e një rasti rrëmbimi me forcë.

ml/kle (dpa rtr)