1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140410 Blogger Pressefreiheit

16 Prill 2010

Internet i ofron disidentëve në vendet autoritare mundësi krejt të reja për këmbimin dhe shpëndarjen e informacioneve. Censura dhe propaganda shtetërore nuk merren seriozisht nga blogerat.

https://p.dw.com/p/My5b

Konferenca re:publica në Berlin konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në bashkësinë gjermane të internetit. Bëhet fjalë për rëndësinë në rritje të internetit si mjet komunikimi dhe informimi. Veçanërisht në vende me qeveri autoritare interneti është ndonjëherë më i rëndësishëm sesa mediet e kontrolluara prej shtetit. Këtu nuk bën punë as censura.

Qeveria kineze dëmton veten

Po t'i besosh Michael Antit, atëherë përpjekja për të censuruar internetin është tepër e kotë. Sipas tij, përdoruesit gjejnë gjithmonë rrugë për t'i marrë informacionet. Kur qeveria kineze humbet duke kufizuar rreptë koncernin e internetit Google, ajo i bën dëm vetes. Në shenjë proteste kundër politikës kineze ndaj internetit, Google-i mbylli në mars makinën e vet të kërkimit në Kinë. Përdoruesit devijohen tani në një faqe në Hongkong. "Kur kërkon tani diçka në Google, ndonjëherë ndërpritet lidhja. Atëherë e vë re censurën. Ky është efekti më i rëndësishëm. Gjithmonë e më shumë njerëz janë në dijeni për censurën, dhe ata do të kërkojnë për rrugë që ta anashkalojnë atë. Sa vjen e më shumë përdorues do të kalojnë nga kampi i censuruar në atë të paceunsuarur."

Iranianët shembull për kapërcimin e cencurës

Sa më e hapur të jetë censura, aq më krijuese janë rrugët për ta kapërcyer atë. Edhe iranianët e kanë përjetuar këtë. Rrallë ka pasur ndonjë shembull kaq mbresëlënës për pushtetin që mund të prodhojë një bashkësi interneti, si protestat kundër regjimit në Teheran vitin e kaluar. Atëherë opozita nuk kishte qasje në mediet zyrtare, thotë blogger-ja iraniane Farnaz Seifi: "Dy muaj para zgjedhjeve nuk mund të dalloje pothuajse kurrfarë atmosfere fushate zgjedhore. Njerëzit nuk dinin asgjë për Mir Husein Musavinë, kandidatin e kampit reformator. Ishin rrjetet sociale dhe bloggerët, që kontribuan entuziazmin në fushatë."

Në fakt Musavija i humbi zgjedhjet, por dyshimet për rezultatet e zgjedhjeve çuan në protesta, që nuk e lanë të qetë regjimin për javë të tëra. Këto u organizuan para së gjithash nëpërmjet rrjeteve sociale Facebook dhe Twitter. Kjo në një kohë që në Iran interneti censurohet si askund në botë. Bloggera kritikë përndiqen, faqe bllokohen, kërkime filtrohen. Por sa më shumë mundësi komunikimi lindin në internet, aq më pak shanse ka censuruesi.

Në Rusi kundërshtarët e regjimit përdorin blogjet

Edhe në Rusi, ku censura është e rreptë, veçanërisht mbi televizionin, njerëzit devijojnë tek interneti. Deri tani në Rusi nuk ka censurë interneti, thotë bloggeri rus Rustem Adagamov. Veçanërisht ata që janë skeptikë kundrejt regjimit, gjejnë në blogje informacionet për të cilat mediet tradicionale heshtin. Megjithëse jo gjithmonë është e qartë se nga vijnë ato: "Kjo është një nga temat më të vështira, ka provokime, shkrime që ndjekin një synim të caktuar. Të duhet intuitë dhe ju beson të njohurve të përbashkët. Gjithçka varet nga emrat."

Autor: Mathias Bölinger/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama