1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Blegtorët gjermanë vazhdojnë protestën duke bojkotuar furnizimin me qumësht

VFB2 Qershor 2008

Ulja e çmimit të qumështit i prek në ekzistencë blegtorët gjermanë. Duke mos qenë në gjendje të mbulojnë kostot e prodhimit ata protestojnë me bojkotimin e furnizimeve. Kjo temë gjen jehonë në periodikun e së martës.

https://p.dw.com/p/EBX9
Fotografi: AP

Gazeta "Kölnische Rundschau" komenton: Ndërmarrjet e bulmetit ndodhen nën presion, sepse tregtimi me çmim të ulët po rritet, ndërsa blegtorët duan që produktet e tyre të paguhen konform kostove të prodhimit. Ndryshe nga sa ndodh në degë të tjera të shitjes me pakicë, ku bisedimet për pagat mund të pezullolhen për vite të tëra, në këtë rast koha nuk është në favor të blegtorëve. Pasi këmbëngulja e tyre me protestë nisi të japë efektin e vet, gjithnjë e më shumë bujq po solidarizohen me këtë lëvizje. Megjithatë bojkotimi i tyre nuk duhet t´i kalojë kufijtë. Përdorimi i sprucove gjatë protetstës ia ul vlerën asaj po aq sa edhe bllokimi i rrugëve përpara bulmetoreve me kamionë, që pengojnë edhe makinat e urgjencës. Më tepër simpati fitojnë ata blegtorë, të cilët në vend që ta derdhin qumështin për të bllokuar furnizimet, ua dhurojnë atë njerëzve, që shkojnë ta marrin vet atë në punishte."


"Rhein-Neckar-Zeitung" vëren: "Nëse prodhuesit e qumështit bllokojnë, ata largohen nga zona e protetstës dhe lufta e qumështit shkallëzohet në krizë qumështi. Prodhuesit, që me të drejtë luftojnë për çmime më të arësyeshme, janë më të dobëtit në zinxhirin e një karteli të përbërë nga industria e qumështit dhe rrjetet e supermarketeve. Aksioni i tyre do të ketë sukses vetëm nëse partnerët e bujqve në treg çmimin mund t´ua pasojnë klientëve. Tek e fundit kjo do të thotë, që ne duhet të paguajmë një çmim për sigurinë dhe për furnizimin me ushqimet bazë. E ky çmim është më i lartë."


Për komentatorin e "Südwest Presse" : "Ka ardhur koha, që përfaqësuesit e arësyeshëm të blegtorëve dhe të tregtisë të ulen në një tryezë. Në rast të kundërt proudhuesit e vegjël të qumështit me luftën për çmim më të lartë po rezikojnë ekzistencën e tyre. (...) Qëndrimi publik ndaj blegtorëve shumë shpejt mund të kthehet në disfavorin e tyre, kur dyqanet të zbrazen prej qumështit, gjalpit e kosit. Ekonomia bujqësore e vendit mund të humbasë klientelën, e cila e gjendur në nevojë këkron treg tjetër e më vonë mund t´i mbetet besnik tregut të ri."