1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Bjellorusia zgjedh presidentin

Disa e përshkruajnë atë si "diktatorin e fundit të Evropës": Aleksandër Lukashenko kërkon të konfirmohet këtë të dielë në postin e presidentit. Konkurrentët e tij nuk kanë shanse reale për të fitore.

Spektakël politik - shumë bjellorusë nuk besojnë se do ketë zgjedhje të drejta dhe të ndershme.

"Spektakël politik" - shumë bjellorusë nuk besojnë se do ketë zgjedhje të drejta dhe të ndershme.


Kaq shumë kandidatë nuk ka pasur asnjëherë në zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi: kundër presidentit aktual Aleksander Lukashenko, i cili e qeveris me dorë të hekurt që prej vitit 1994 ish-republikën sovjetike, këtë të dielë (19.12.2010) kandidojnë nëntë opozitarë: Vladimir Nekljajev, lider i lëvizjes "Thuaj të vërtetën", Andrej Sanikov nga lëvizja "Bjellorusia evropiane", Jaroslav Romantshuk, zëvendëskryetari i Partisë së Bashkuar Qytetare, socialdemokrati Nikolai Statkevitsh, Ales Michalevitsh nga aleanca "Bashkimi për modernizim", kristiandemokrati Vitalij Rymashevskij si dhe Grigorij Kostusev nga Fronti Popullor. Edhe dy sipërmarrës u registruan si kandidatë nga Komisioni Zgjedhor: Viktor Tereshtshenko dhe Dmitrij Uss.

Weißrussland Präsidentschaftswahlen

Pa shanse reale - kandidatët e opozitës Andrej Sannikov, Vladimir Nekljaev.

"Spektakël Politik"

Në zgjedhjet e fundit në mars të 2006-s, ishin lejuar vetëm katër kandidatë, ndër të cilët edhe Aleksander Milinkevitsh, i cili atëherë konsiderohej si kundërshtari më i ashpër i Lukashenkos. Këtë herë lideri i lëvizjes "Për Liri" nuk kandidon. Ai nuk pret zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për këtë arsye nuk dëshëron të marrë pjesë në një "spektakël politik", ka deklaruar qysh muaj më parë politikani opozitar proevropian.

Pak para zgjedhjeve të atëhershme presidenciale, autoritetet kishin vënë nën trysni me arrestime shumë opozitarë, ndër ta edhe bashkëpunëtorë të Milinkieviçit. Gjatë kontrollove të shtëpive ishin gjetur me gjasë protokolle paszgjedhore të parapregatitura, të cilat flisnin për fitore të Milinkieviçit.

Kundërshtarët e Lukashkenkos ankohet edhe këtë herë për atmosferë manipulimesh dhe frikësimi para zgjedhjeve. BE-ja i ka bërë thirrje sërish qeverisë në Minsk të mbajë zgjedhje të ndershme. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle foli për një "test lakmusi për demokracinë", në vendin evropianolindor.

Opozita bjelloruse kritikon në radhë të parë faktin që Lukashenko dominon dhe kontrollon mediet e vendit. Ashtu si në zgjedhjet e 2006-s, të gjithë kandidatëve iu dhanë 30 minuta kohë prezantimi në radio dhe televizion. Atëherë nga deklaratat e kandidatëve opozitarë në televizionin shtetëror ishin prerë të gjitha pasazhet kritike. Këtë herë ato u transmetuan drejtëpërdrejt dhe të pacensuruara.

Por kandidatët opozitarë nuk ia dolën të shtojnë popullaritetin e tyre me paraqitjet në medie, mendon regjisori bjellorus Jurij Çashtshevatskij. Mundësitë ishin minimale. Kandidatët u vendosën live para kamerës dhe u lejuan vetëm të mbajnë një fjalim 30 minutësh. "Udhëheqja shtetërore është hipokrite kur thotë se u ka ofruar kandidatëve mundësi të shumta", mendon Çashtshevatskij.

A do të ketë protesta kundër rezultatit të zgjedhjeve?

Diktatori i fundit i Evropës - Presidenti bjellorus Lukashenko duket se do të marrë mandatin e katërt.

"Diktatori i fundit i Evropës" - Presidenti bjellorus Lukashenko duket se do të marrë mandatin e katërt.

Presidenti në detyrë Lukashenko nuk e shfrytëzoi të drejtën e tij për t'iu drejtuar zgjedhësve në radio dhe televizion si kandidatët e tjerë. Kjo tregon se nuk bëhet fjalë për zgjedhje të vërteta, mendon politologu bjellorus Valerij Karbalevitsh. Bëhet fjalë vetëm për legjitimimin në një farë mënyrë të një mandati të katërt për Lukashenkon. Shumë njerëz në Bejllorusi janë të ndërgjegjshëm për këtë. "Lukashenko ka arritur tashmë që të gjithë të jenë të bindur, se rezultati i zgjedhjeve është vendosur paraprakisht", mendon eksperti.

Por Karbalevitsh thotë më tej se është e pamundur të mobilizosh zgjedhësit për opozitën vetëm me paraqitje 30-minutëshe në radio dhe televizion. Për këtë arsye vëzhguesit nuk presin protesta masive pas zgjedhjeve. "Diskutimet e politikanëve dhe ekspertëve, se shoqëria bjelloruse ndodhet para një kryengritjeje nuk i përgjigjen realitetit", thotë sociologu Oleg Manajev.

Mungesë uniteti në kampin demokratik

Pas zgjedhjeve presidenciale në vitin 2006 disa mijëra vetë patën protestuar ditë me radhë në Minsk kundër rezultatit të zgjedhjeve dhe i patën akuzuar autoritetet për manpulim të votave. Aksionet e protestës të opozitës u shtypën me dhunë. Sipas rezultatit zyrtar Lukashenko pati fituar atëherë 83% të votave.

Nëse edhe këtë herë do të ketë protesta varet në masë të madhe nga veprimet e bashkuara të kandidatëve të opozitës. Numri i madh i kandidatëve për president në këto zgjedhje dëshmon se në kampin demokratik ka munguar uniteti që para zgjedhjeve mendon politologu Jurij Shevzov. Ashtu si në 2006-n edhe këtë herë opozita nuk arriti të binte në ujdi për një kandidat të përbashkët.

Eksperti bjellorus Vitalij Silickij mendon se lejimi i një numri të madh kandidatësh është planifikuar me qëllim nga Lukashenko. Ai kërkon të dëshmojë se gjithçka bëhet sipas rregullave demokratike, të cilat janë pranuar edhe nga të gjithë kandidatët. Ekspertët mendojnë se në këtë mënyrë Lukashenko kërkon të arrijë një vlerësim të pranueshëm të zgjedhjeve nga institucionet evropiane.

Autor: Markian Ostaptschuk / Eliana Xhani
Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 19.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Qfqg
  • Data 19.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Qfqg