1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Biserko: Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës

Bahri Cani13 Shtator 2012

Heqja e mbikqyrjes së pavarësisë ishte një vendim me vend, ndërsa veriu duhet të integrohet në institucionet e Kosovës, pohon drejtorja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko.

https://p.dw.com/p/167vn
Fotografi: DW

DW: Ju keni qenë përfaqësuesja e vetme nga Beogradi, e cila si mysafire ka marrë pjesë në seancën e Parlamentit të Kosovës, ku edhe zyrtarisht u konstatua heqja e mbikqyrjes së pavarësisë. Si e shihni ju këtë akt, cfarë domethënie ka ai?

Sonja Biserko: Mendoj se ky është një vendim shumë pozitiv dhe mirënjohje shumë e madhe për Kosovën. Ajo tani ka arritur pavarësinë e plotë. Kosova meriton urime në veçanti kur dihet se pas luftës ka qenë një vend i shkatërruar, i djegur tërësisht dhe me një popullatë të traumatizur. Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare kanë bërë të pamundurën për të përmirësuar gjendjen. Bashkësia ndërkombëtare e ka pranuar tani se Kosova është në gjendje të marrë përgjegjësinë për zhvillimet në vend, për gjendjen e bashkësive etnike dhe minoriteteve. Në veçanti problem paraqitet minoriteti serb, për shkak të presioneve të Beogradit ndaj tij. Por pavarësisht këtyre presioneve, bashkësia ndërkombëtare ka vendosur të njohë pavarësinë e plotë të Kosovës. Beogradi duhet të bëjë përpjekje të normalizojë raportet me Kosovën dhe të njohë pavarësinë e saj. Vendimi për heqjen e mbikqyrjes së pavarësisë është pozitiv jo vetëm për Kosovën por për tërë rajonin. Prishtinës i mbetet tani si detyrë kryesore vazhdimi i rrugës së integrimeve evropiane.

Një prej sfidave më të mëdha të Kosovës është çëshjta e veriut. Si mund të zgjidhet ky problem?

Sonja Biserko: Çështja e veriut është një çështje arfitificiale. Beogradi e ka mbajtur këtë çështje të hapur në 12 vitet e fundit me shpresë se ndarja e veriut nga Kosova do të vie vetvetiu. Serbia nuk është e interesuar për tërë Kosovën, por vetëm për veriun, me shpresë se me ndarjen e tij do t'i hapej rruga për ndarjen edhe të Bosnjë-Hercegovinës. Tani duhet vazhduar dialogun dhe duhet zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura. Ky proces nuk do të jetë i shpejtë dhe i lehtë, sepse Beogradi do të kërkojë që veriu të definohet si një rajon i posaçëm. Beogradi do të insistojë që kjo pjesë të shndërrohet në një Republikë të re Srpska. Beogradi me siguri që do të kërkojë edhe krijimin e një kuvendi, të cilin Kosova duhet ta refuzojë. Veriu duhet të integrohet në institucionet e Kosovës dhe kështu të rrumbullaksohet edhe de facto pavarësia e Kosovës. Gjendja e tanishme në veri është e dëmshme jo vetëm për institucionet e Kosovës por edhe për Serbinë, sepse atje po përfiton vetëm një grup i kriminalizuar, ndërsa humbjet e Kosovës dhe Serbisë janë të mëdha.

Më saktësisht: Ju mendoni se serbët e veriut duhet të integrohen në shtetin e Kosovës dhe se statusi i veriut mund të zgjidhet në kornizat e asaj që ofron edhe plani i Ahtisarit?

Sonja Biserko: Serbia me siguri që nuk do të pranojë që të thuhet publikisht se zgjidhja është arritur mbi bazat e planit të Ahtisarit. Besoj se do të gjendet ndonjë rrugëdalje tjetër, sa i pëket emrit të marrëveshjes. Bashkësia ndërkombëtare pret shumë nga qeveria e re në Beograd por ajo ende nuk ka dalur me ndonjë propozim. Ajo ende nuk është e gatshme të merret seriozisht me këtë punë. Pozitive është që edhe vet Chaterine Ashton ka shprehur gatishmëri të merret me këtë çështje. Sidoqoftë bashkësia ndërkombëtare me heqjen e mbikqyrjes së pavarësisë ka dëshmuar se dëshiron të vë pikë në debatet për statusin e Kosovës dhe se pavarësia është e pakthyeshme. Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë më e vendosur në kërkesat e saj ndaj Bogradit.

Në Serbi tani janë në pushtet presidenti Nikoliq dhe kryeministri Daçiq, të cilët kanë qenë në pushtet edhe në kohën e luftës së Kosovës. Mendoni se ata janë në gjendje të arrijnë një zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën?

Sonja Biserko: Ata nuk kanë ndonjë legjitimitet të plotë dhe ende nuk dihet se cilat janë planet e tyre. Për të arritur legjitimitetin e plotë para vendeve të rajonit dhe bashkësisë ndërkombëtare, ata duhet të bëjnë gjëra serioze. Lëvizje me siguri që do të ketë në shtator apo tetor, por kur dihet e kaluara e tyre, unë nuk pres shumë nga këta politikanë. Në Serbi për fat të keq ende nuk është pranuar humbja dhe ajo nuk ka reflektuar ndaj të së kaluarës.

Megithatë a besoni në mundësinë e pajtimit mes popullit serb dhe atij shqiptar?

Sonja Biserko: Unë me siguri që besoj në pajtim. Ky është një proces i cili kërkon kohë, durim, mençuri dhe përgjegjësi. Pala serbe duhet të reflektojë dhe të distancohet nga projekti i Millosheviqit. Ajo duhet të pranojë faktin se Kosova tani është një shtet i pavarur. Shpresoj se një gjeneratë e re politikanësh në Serbi do ta kuptojë këtë dhe do ta pranojë Kosovën. Unë besoj në procesin e pajtimit, por në një periudhë afatgjatë dhe jo së shpejti.

Ju e thatë më parë se ndarja e veriut të Kosovës është vetëm pjesë e skenarit për ndarjen edhe të Bosnjë-Hercegovinës. Mendoni se Serbia ende nuk ka hequr dorë nga projektet për bashkimin e tokave të banuara me serbë?

Sonja Biserko: Jo ende nuk ka hequr dorë. Është ky një obsesion, sepse ata tërë kohën presin ndryshimin e raporteve në Evropë dhe në botë, me shpresë se do të realizojnë projektet e tyre. Por ky obsesion nuk është fare real. Ne çdo ditë kemi argumente të reja për përpjekjet që të shkatërrohet Bosnja. Millorad Dodiku çdo ditë jep deklarata dhe pohon se Bosnja nuk ekziston. Bashkësia ndërkombëtare nuk reagon ndaj këtyre deklaratave, ndaj Kosova në këtë moment i ka punët shumë më mirë se sa Bosnjë-Hercegovina.