Finanzkrise EU
16 Tetor 2008Shtendosje e lehtë në krizën financiare dhe një goditje e rëndë për paketën e klimës; ky ishte rezultati i ditës së parë të takimit të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian. Të gjitha vendet e BE-së i mbështetën marrëveshjet e së dielës të eurozonës, të cilat siguruan stabilizimin e tregjeve evropiane.
Lidhur me këtë kryetari i radhës në BE, presidenti francez Nikola Sarkozi: "Ndaj një krize të tillë të paparë 27 vendet e BE-së kanë tani një përgjigje të përbashkët, një përgjigje të fortë me një vijë të qartë politike."
Evropa reagon në unitet
Paketat kombëtare evropiane të shpëtimit kapin ndërkohë vlerën e dy bilionë eurove dhe bëjnë të mundur garanci të gjera në dhënien e kredive dhe në shtetëzimin e pjesshëm të bankave. Megjithëse Çekia kërkoi disa ndryshime të vogla në tekstin përfundimtar, për kancelaren gjermane Angela Merkel është para së gjithash një gjë e rëndësishme:
"Tani bëhet fjalë për atë që pas vendeve të eurozonës japin një sinjal uniteti të gjitha 27 vendet, se Evropa reagon bashkarisht ndaj kësaj krize; në mënyrë që më pas të arrijmë edhe një kod botëror për tregjet financiare."
Të gjitha shtetet e BE-së bënë thirrje për mbajtjen e një samiti financiar botëror para fundit të vitit, para së gjithash presidenti francez Nikola Sarkozi dhe kryeministri britanik Gordon Braun. Ky i fundit është shndërruar papritur në një udhëheqës në krizën financiare. Ndërkohë gjithë Evropa i ka mbështetur propozimet e tij për stabilizimin e tregjeve. Braun mbron një qëndrim të qartë edhe në mosmarrëveshjen mbi paketën ambicioze për klimën: "Nuk është koha për të hequr dorë prej planeve tona të vitit të kaluar për klimën. Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm dhe në këtë mënyrë argumenet për uljen e çlirimit të dioksidit të karbonit nuk janë të rëndësishme vetëm për mjedisin, por këtu bëhet fjalë edhe për sigurinë energjetike, që ne të mund t'ia lejojmë atë vetes edhe në të ardhmen; dhe të mos jemi aq të varur prej luhatjes së çmimeve të lëndëve të para."