1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedimet bërthamore me Iranin në një fazë kritike

uh/sti (dpa,afp) / Esat Ahmeti22 Nëntor 2013

Bisedimet bërthamore në Gjenevë janë futur në ditën e tretë vendimtare. Pesë fuqitë me të drejtë vetoje të OKB-së dhe Gjermania duan të arrijnë një marrëveshje me Iranin.

https://p.dw.com/p/1AMKn
Fotografi: picture-alliance/J.W.Alker

Qysh para fillimit të negociatave në hotelin Intercontinental në Gjenevë pala iraniane u tregua shumë e pakënaqur me rrjedhën e deritanishme. Në çështjet më të rëndësishme nuk është bërë "asnjë përparim", ka thënë kryenegociatori Abbas Araghchi. "Ne kemi negociuar shumë por nuk kemi arritur asgjë", shtoi ai.

Fuqitë me të drejtën e vetos në OKB, Britania e Madhe, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe Gjermania (grupi 5 +1) besojnë se Republika Islamike do të ngrijë pjesë të programit të saj bërthamor. Ndërsa Perëndimi si kundërshpërblim do të zbusë disa prej sanksioneve ekonomike kundër Iranit.

A mund të zgjidhet konflikti?

Sa do të jetë e mundshme një marrëveshje e këtillë e përkohshme është ende shumë e paqartë. Por në qoftë se ajo arrihet atëherë do të zbutet pak konflikti bërthamor që po zgjatë me vite. Për shkak se Perëndimi dyshon që Republika Islamike është duke punuar fshehurazi për prodhimin e bombës atomike.

Pamje nga Gjeneva ku po zhvillohen bisedimet bërthamore me Iranin
Pamje nga Gjeneva ku po zhvillohen bisedimet bërthamore me IraninFotografi: FABRICE COFFRINI/AFP/Getty Images

Thelbi i negociatave është pasurimi i uraniumit, i cili mund të përdoret si për prodhimin e energjisë ashtu edhe për prodhimin e armëve bërthamore. Kjo varet nga shkalla e pasurimit të tij. Në diskutim janë pezullimi i pasurimit të uraniumit në 20 për qind si dhe reduktimi i rezervave ekzistuese të uraniumit dhe në këtë mënyrë edhe kontrollet më të rrepta nga OKB-ja që kanë të bëjnë me këtë proces.

Presioni ndaj negociatorëve është i madh. Të enjten në Uashington kreu i shumicës së demokratëve amerikan, Harry Reid paralajmëroi se nëse bisedimet bërthamore nuk sjellin shpejt rezultate të dukshme atëherë ashpërsimi i sanksioneve të miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve në korrik mund të vuloset në dhjetor edhe nga Senati amerikan.