1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedime politike në Moskë - Rusia kundër zonës së ndalimfluturimit për Libinë

11 Mars 2011

Dy shtete me të drejtë vetoje në KS, Rusia dhe Kina nuk janë të gatshme për një zonë ndalimfluturimi për Libinë. Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden qëndroi në Moskë për të biseduar me presidentin rus për këtë temë.

https://p.dw.com/p/10XA8
Joe Biden - zëvendëspresidenti amerikanFotografi: AP

Presidenti rus Dmitri Medvedev e njeh mirë pazarin e sinjaleve politike. Pikërisht në ditën që zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden mbërriti në Moskë, presidenti rus vendosi me dekret futjen në fuqi të sanksioneve kundër Libisë: nuk ka më furnizime me armë dhe municione, as trajnim të ushtrisë libiane. Kryetari i shoqatës ruse të eksportuesve të armëve u shpreh se Rusia humb me këtë vendim 5 miliardë dollarë.

Rusia dhe Kina kundër aksionit ushtarak

Një gjest miqësor ky, por gjërat ndryshojnë kur përmendet zona e ndalimfluturimit. Edhe për këtë u fol me siguri, por presidenti rus e preku në mënyrë të vagullt këtë temë: "Ka probleme të shfaqura këtë vit. Mendoj se ato po ashtu janë pjesë e axhendës sonë të përbashkët, këtu përfshihen edhe sfidat në Lindjen e Afërt dhe Afrikën Veriore. Bashkëpunimi ynë në këtë fushë është i mirë. Shpresoj që ai të vazhdojë në të ardhmen."

Dmitri Medwedew Rede
Presidenti rus, Dmitri MedvedevFotografi: AP

Konsiderohet e sigurt që Rusia, po ashtu edhe Kina do ta kundërshtojnë propozimin në Këshillin e Sigurimit për një aksion ushtarak.

Ndërsa për çështjen e Afganistanit qëndrimet amerikano-ruse përafrohen më shumë. Ushtritë perëndimore blejnë për misionin në Afganistan helikopterë rusë të tipit MI-8. Moska u lejon avionëve transportues amerikan të fluturojnë aty tranzit për në Afganistan, bashkë me armët e rënda dhe ushtarët, madje nuk kërkon as taksë për këtë leje.

Edhe tema e sistemit mbrojtës raketor ka luajtur një rol në bisedimet Biden-Medvedev, por asgjë nuk doli nga dhoma e bisedimeve.

Nga ana e tij, Joe Biden, i cili po përgatit vizitën e shefit të tij në Moskë, lëvdoi fillimin e ri të marrëdhënieve ruso-amerikane. "Ne i kemi paralizuar skeptikët - në dy vitet e fundit kemi bërë përparime të mëdha, jo vetëm për marrëveshjen e re të çarmatimit START , por edhe në lidhje me Korenë, Iranin dhe në çështjen e Afganistanit. Në të gjithë fushën e bashkëpunimit dhe rolit udhëheqës rus."

Defekte në bashkëpunimin ekonomik

Ndërsa nga ana ekonomike gjërat çalojnë. Presidenti Medvedev ankohet: "Marrëdhëniet tona ekonomike kanë mbetur mbrapa atyre politike. Mosanëtarësimi i Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë është një pengesë për zhvillimin e tyre. Kemi projekte të mëdha ekonomike që duhet t'i zhvillojmë së bashku. Jam shumë i gëzuar, që vizituat Skolkovon. Ky është një shembull i mirë i bashkëpunimit në fushën e teknologjisë së lartë."

Medvedev po ndërton në Skolkovo një qendër pompoze të teknologjisë Nano, sipas modelit kalifornian Silicon Valley, të cilën Medvedev e ka vizituar vetë. Mjaft i rëndësishëm për afrimin mes dy vendeve është anëtarësimi i Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë.

"Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht anëtarësimin e Rusisë në OBT. Ne punojmë me udhëheqësit negociatorë së bashku për ta çuar përpara këtë çështje. Mendoj se po arrihen vërtet hapa përpara."

Supozohet se SHBA do të ndikojnë në Gjeorgji, e cila është vendi i fundit që bllokon futjen e Rusisë në OBT.

Autor: Horst Kläsuer/Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti