1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedime për Veriun do të ketë herët a vonë

13 Prill 2012

Incidentet në Kosovë janë më të shpeshta. Serbët në veri të Kosovës e fajësojnë Prishtinën se kërkon një shtet brenda Serbisë, analistët thonë se Beogradi dëshiron të tregojë se Veriut duhet t'i jepet status i veçantë.

https://p.dw.com/p/14dUX
Ura mbi Ibër
Ura mbi IbërFotografi: AP

Zyrtarët e Kosovës kanë paralajmëruar për mundësinë që Prishtina të ndërmarrë veprime në Veri të ngjashme me atë të 25 Korrik të vitit të kaluar, kur është kryer aksioni për vendosjen nën kontroll të kalimit kufitar Bërnjak. Për Marko Jakshiqin, një prej udhëheqësve politik të serbëve në veri të Kosovës, deklaratat e tilla janë luftnxitëse. Jakshiqi thotë për DW thotë se serbët duan të hetohet saktësisht se si ka ndodhur vrasja e Selver Haradinajt në pjesën veriore të Mitrovicës.

Situatë e acaruar
Situatë e acaruarFotografi: DW

"Ne jemi kundër të gjitha ekseseve dhe incidenteve. Ajo çfarë ka ndodhur tek 'Tre Rrokaqiejt' është për keqardhje prandaj ne kërkojmë, dhe shumica e serbëve e kërkojnë këtë, që të zhvillohet një hetim i paanshëm. Përveç kësaj të shihet gjithashtu ajo çfarë po ndodh me serbët pikërisht për shkak të zgjedhjeve të ardhshme lokale, e kam fjalën për numrin e incidenteve që ndodhën në Deçan, në Prishtinë, pastaj arrestimi i serbëve në Viti. Të gjitha këto flasin thjesht për atë se autoritetet në Prishtinë dëshirojnë t'i kthejnë serbët në qytetarë të klasës së dytë dhe të krijojnë shtet aty ku nuk ka pasur", thotë Jakshiq.

Të mos ndërmerren aksione që rrezikojnë jetën e njerëzve

Nga ana tjetër, analisti politik Nexhmedin Spahiu vlerëson për DW-në se incidentet e fundit në veri ndodhin sepse Beogradi dëshiron të tregojë se veriut duhet t'i jepet një status i veçantë. Spahiu, megjithatë është kundër aksioneve të reja të autoriteteve në Prishtinë, të cilat do të ishin të rrezikshme për jetën e njerëzve. "Në veri është e nevojshme që të vendoset rendi dhe ligji, dmth. të kapen kriminelët dhe të dërgohen para drejtësisë, por në asnjë mënyrë ndonjë aventurë e llojit të 25 Korrikut, e cila solli vetëm viktima dhe përkeqësoi situatën, e asgjë të mirë. Unë mendoj se veprimi i 25 Korrikut ka qenë si e porositur nga Beogradi dhe gjë më të mirë ata nuk do të mund të bënin për politikën që luan Beogradi në lidhje me Kosovën dhe veriun e Kosovës."

Negociatat nën patronazhin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Situata në veri, sipas mendimit të Jakshiqit nuk mund të zgjidhet pa pjesëmarrjen e Beogradit e as ndaras nga pjesët e tjera të Kosovës. "Qëndrimi i të gjithë serbëve është para së gjithash se si të them nuk ka më serbë të përshtatshëm moralisht dhe politikisht me të cilët qeveria në Prishtinë do të zhvillonte bisedime. Qëndrimi ynë është se bisedimet duhet të zhvillohen nën patronazhin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në asnjë mënyrë në kuadër të Uashingtonit dhe Brukselit".

Bllokadë serbe në Rudare pranë Mitrovicës, 2011
Bllokadë serbe në Rudare pranë Mitrovicës, 2011Fotografi: picture alliance/dpa

Analisti Spahiu vlerëson se për Veriun e Kosovës do të negociohet herët a vonë, por qeveria aktuale në Prishtinë nuk mund të jetë e suksesshme në zgjidhjen e situatës në veri. Spahiu shton gjithashtu se as të gjithë serbët nga veriu nuk mendojnë njëjtë. "Unë nuk mendoj që të gjithë qytetarët e veriut të Kosovës janë kundër bashkëjetesës përkatësisht një gjendjeje paqësore që do të sillte prosperitet. Kundër janë më shumë disa faktorë politikë, të cilët nuk lejojnë të arrihet një marrëveshje përkatësisht tek një bashkëjetesë paqësore ndërmjet të gjitha bashkësive etnike në këtë rajon", thotë Nexhmedin Spahiu.

Autorë: Zulfija Jakupi / Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi