Birmani: Liderja e opozitës Suu Kyi bën thirrje për unitet kombëtar
15 Gusht 2011Udhëtimi i parë politik pas lirimit nga arresti shtëpiak
Udhëheqësja e opozitës birmaneze Aung San Suu Kyi gjatë vizitës së saj të parë politike pas lirimit nga arresti shtëpiak i bëri thirrje popullit për unitet: "Njerëzit duhet të jenë të fortë shpirtërisht për të çuar vendin përpara", tha laureatja e çmimit Nobel për paqe të dielën në rajonin Bago. Kështu njoftoi portali i internetit "Mizzima". Mijëra mbështetës e pritën 66 vjeçaren me brohoritjet "Rroftë Aung San Suu Kyi". Sipas dëshimtarëve okularë policia nuk kishte arritur më parë të largojë nga rruga masën e njerëzve që kishin dalur për ta pritur lideren e opozitës.
Birmanezët në mërgim supozojnë që Suu Kyi ka negociuar me qeverinë për marrjen e lejes për vizitën e saj në Bago. Gjatë udhëtimit të saj njëditor në rajonin i cili shtrihet 80 kilometra në veri të Rangunit, politikania vizitoi edhe një faltore. Përveç kësaj ajo hapi dy biblioteka. Me këtë rast ajo u shoqërua nga mbështetësit e partisë së saj "Liga Kombëtare për Demokraci" (NLD) si dhe gazetarë dhe diplomatë lokalë.
Shenja të afrimit mes Suu Kyi-s dhe qeverisë birmaneze
Pas lirimit të saj nga burgu shtëpiak qeveria birmaneze e paralajmëroi Suu Kyi-n nga udhëtimet dhe aktivitet politike. Në maj të vitit 2003 nga ithtarë të qeverisë ishte sulmuar karvani i saj gjatë një vizite të këtij lloji. Sipas të dhënave të opozitës, si pasojë vdekjen patën gjetur dhjetëra njerëz. Vet Suu Kyi u arrestua dhe ndaj saj u rivendos masa e arrestit shtëpiak. Ajo u lirua fillimisht pas zgjedhjeve të diskutueshme parlamentare në nëntor të vitit 2010.
Megjithatë në ditët e fundit ka pasur shenja të afrimit mes Su Kyi-s dhe qeverisë. Pas një takimi të premten, liderja e opozitës, Suu Kyi dhe ministri i Punës, Aung Kyi sqaruan se do të punohet së bashku për stabilitetin dhe zhvillimin demokratik të Birmanisë. Qeveria siguroi se do të lejojë partinë e shpëndarë me detyrim NLD që të marrë pjesë në procesin e pajtimit në vend. Për këtë Liga Kombëtare për Demokraci (NLD) duhet të regjistrohet sërish si parti.
Ndikimi i ushtrisë është i madh në qeveri dhe parlament
Liga Kombëtare për Demokraci shte shpërbërë disa muaj para zgjedhjeve për shkak se ajo kishte refuzuar që t'i nënshtrohet ligjeve të rrepta zgedhore. Kundërshtarë të regjimit, veprimtarë për të drejtat e njeriut dhe disa qeveri të huaja i patën vlerësuar zgjedhjet e vitit të kaluar si farsë politike ndërsa ithtarët e Suu Kyi-s patën bojkotuar votimin e diskutueshëm. Sidomos është kritikuar ndikimi i madh e i vazhdueshëm i ushtrisë në qeveri dhe në parlament. Edhe pse qeveria e re përbëhet zyrtarisht nga civilët ajo qëndron shumë afër ushtrisë dhe ka në radhët e saj shumë ish gjeneralë. Në vitin 1990 Liga Kombëtare për Demokraci e Su Kyi-s kishte fituar zgjedhjet por junta ushtarake në pushtet nuk e kishte njohur asnjëherë këtë fitore.
Udhëtimi njëditor i nobelistes Suu Kyi kaloi i qetë. Qeveria kishte paralajmëruar më parë se mund të vie deri tek trazirat. Një zëdhënës i Ligës Kombëtare për Demokraci, Nyan Win paralajmëroi udhëtime të tjera politike të Suu Kyis. Megjithatë datat dhe vendet nuk janë përcaktuar ende, sqaroi ai.
Autor: epd / dpa / Esat Ahmeti
Redaktoi: Aida Cama