Bilanc i takimit të NATO-s në Stamboll
6 Shkurt 2010Ministri i Mbrojtjes i SHBA-së, Robert Gates, e shprehu ndryshimin e strategjisë me këto fjalë:
"Synimi i strategjisë është të ndalojë me shpejtësi avancimin e talibanëve, të mbrojë popullsinë dhe të forcojë përpjekjet për ngritjen e forcave afgane të sigurisë, në mënyrë që ato të marrin përgjegjësinë për sigurinë në vend përsa kohë rrethanat e lejojnë këtë."
Nevojiten më shumë instruktorë për forcat e sigurisë
Kjo do të thotë megjithatë edhe njëherë, më shumë ushtarë të Aleancës. Por problemi kryesor është për momentin mungesa e instruktorëve. Qeveria gjermane i ka premtuar të dyja. Ajo do të rrisë edhe njëherë numrin e trupave gjermane në Afganistan nëse kjo do të lejohet nga parlamenti. Por para së gjithash Gjermania do të rrisë ndjeshëm numrin e instruktorëve për forcat afgane të sigurisë: ky numër do të pesëfishohet për të arritur në 1.400. Më parë gjermanëve u duhej shpesh të dëgjonin ankesat amerikane se nuk kontribuojnë sa duhet në Afganistan. Sot kjo ka ndryshuar, thotë ministri gjerman i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg:
"Ministri amerikan i Mbrojtjes nuk ka kërkuar më shumë nga ne por është shprehur shumë, shumë pozitivisht për atë që kemi ofruar. Megjithatë ai përsëriti se nga njëri apo tjetri anëtar i Aleancës pret ende një sinjal më të qartë, pasi aktualisht në radhët e tyre mbizotëron heshtja.“
Jo tërheqje e ndërkombëtarëve por kalim kompetencash tek afganët
Të gjitha përpjekjet kanë si synim final të mundësojnë tërheqjen e trupave ndërkombëtare nga Afganistani. Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, nuk dëshëron ta dëgjojë fjalën "tërheqje":
"Kjo nuk është një strategji tërheqjeje, është një strategji për kalimin e kompetencave nëpërmjet së cilës u japim afganëve hap pas hapi përgjegjësinë duke stërvitur ushtarët dhe policët afganë."
Buxheti i NATO-s ka nevojë për më shumë kontribute dhe më pak shpenzime
Një tjetër temë e rëndësishme e konferencës në Stamboll është e lidhur pjesërisht me misionin në Afganistan, pasi ai është shumë i shtrenjtë: në buxhetin e përbashkët të Aleancës mungojnë disa qindra milionë euro. Për këtë arsye nga njëra anë duhet që partnerët të paguajnë më shumë, dhe nga ana tjetër të gjithë zërat e buxhetit do të shqyrtohen për të gjetur mundësi kursimi. Por fjala është edhe për një problem strukturor. Përfaqësues të NATO-s e cilësojnë jotransparent administrimin e buxhetit në Aleancë, kritikojnë mungesën e një kontrolli financiar efektiv. Në kohën e luftës së ftohtë nuk ngriheshin thuajse kurrë pyetje për çmimin e sigurisë. Sot edhe në Aleancën Veriatlantike është e nevojshme të konsiderohet raporti kosto-dobi, gjë që në fusha të tjera prej kohësh është e vetëkuptueshme.
Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani
Redaktoi: Esat Ahmeti