'Biblioteka gjermane' në Tiranë - e preferuar për dashamirësit e botës gjermanike
22 Shtator 2008Salla Gëte (Goethe), ose siç thirret nga frekuentuesit e saj Biblioteka gjermane ndodhet në një nga ambjentet e rinovuara të Bibliotekës Kombëtare, në qendër të Tiranës. Frekuentuesit e saj nuk janë vetëm nxënësit, studentët, mësuesit dhe pedagogët e gjermanishtes, por dhe miq të tjerë të librit që njohin gjuhën, ta mësojnë ose konsolidojnë atë, dhe ata që duan të shfrytëzojnë literaturën.
Një nga të veçantat e strukturimit të ambjentit të bibliotekës është arredimi i pajisjeve dhe inventarit. Kjo është bërë në një mënyrë të tillë që fondi në pëdorim të jetë i hapur dhe i prekshëm direkt nga lexuesi, në përputhje me metodat moderne evropiane të shërbimit të literaturës.
I gjithë aktiviteti i saj është në bazë të një marrëveshjeje mes Bibliotekës Kombëtare dhe Institutit Gëte, dhe synon përhapjen e kulturës dhe gjuhës gjermane në Shqipëri. Fondi bazë në shërbim të lexuesve është i ndarë në dy pjesë kryesore. Së pari është literatura korente nga fusha të ndryshme si filozofi, ekonomi, art, gjuhë letërsi, histori gjeografi etj., ku janë më shumë 5 mijë ekzemplarë. Së dyti, një vizitor në këtë ambjent gjen dhe një fond botimesh të vjetra, kryesisht në alfabetin gotik, ku janë afro 2 mijë ekzemplarë.
Përgjegjësja e bibliotekës, Liljana Bushati, thotë për DW se
"në mënyrë të veçantë lexuesit interesohen për revistat në gjuhën gjermane, që janë pjesë e fondit, si Fokus, Geo, Kunst Forum, Kölner Zeitschrift fur Soziologie und Sozialpsychologie etj. të cilat janë të njohura jo vetëm në Gjermani, por dhe jashtë saj. Periodikisht në shërbim të lëxuesve është dhe gazeta e njohur Die Zeit"
Frekuentuesit e bibliotekës gjermane kanë mundësi të marrin një informacion të bollshëm edhe për aktivitetin e Institutit Gëte, për univesitetet dhe shkollat e larta ne Gjermani, për panairin e madh të librit në Leipzig etj. Ky ambjent është vazhdimisht gjatë vitit dhe qendër e veprimtarive të ndryshme që zhvillohen për kulturën dhe gjuhën gjermane, si hapje e ekspozitave, prezantim i botimeve të reja, simpoziume shkencore etj. Disa veprimtari nga kalendari i Tetorit Gjerman gjatë muajit tjetër priten të organizohen në ambjentet e kësaj biblioteke.