1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

120111 Deutschland Italien

12 Janar 2011

Kancelarja Angela Merkel pret sot në Berlin kryeministrin italian Silvio Berlusconi. Një temë e bisedimeve qeveritare mendohet të jenë spekulimet në tregjet financiare kundër vendeve të eurozonës të zhytura në borxhe.

https://p.dw.com/p/zwc6
Kryeministri Berluskoni dhe kancelarja Merkel gjatë një takimi në Itali
Kryeministri Berluskoni dhe kancelarja Merkel gjatë një takimi në ItaliFotografi: AP

Jozyrtarisht samiti gjermano-italian nisi mbrëmë. Ministri i jashtëm italian, Franco Frattini dhe bashkëshortja e tij ishin miq nderi në koncertin e Vitit të Ri në Ministrinë e Jashtme gjermane. Ministri i jashtëm Guido Westerwelle theksoi disa herë miqësinë e ngushtë midis Gjermanisë dhe Italisë.

Pra gjithçka në rregull në marrëdhëniet gjermano-italiane? Jo, me zë të ulët në Berlinin politik thuhet diçka tjetër: Takimi është pak pa dashuri, dëgjon të thuhet, dhe qëllimisht nuk po zhvillohet me tërë bukurinë. Me gjasa kjo ka të bëjë edhe me kryetarin e qeverisë italiane, Berluskoni.

Në qarqet qeveritare në Berlin e dinë që për Berlusconin e tronditur nga krizat dhe të dobësuar politikisht takimi është i rëndësishëm në planin e politikës së brendshme, jo vetëm për fotografinë së bashku, për të demonstruar në Itali shtrëngimin e radhëve me kancelaren Merkel. Kjo edhe sepse mediet italinae kishin raportuar se raporti midis tyre është disi i ngarkuar. Gjatë udhëtimit të saj në Maltë pardje në çështjen e krizës së euros Angela Merkel përmendi tërthorazi edhe Italinë.

"Dua të vë edhe një herë në dukje se një sërë vendesh, të përmendurat, por edhe të tjera, kanë ndërmarë një numër të madh masash për të respektuar më mirë Paktin e Stabilitetit dhe të rritjes ekonomike."

Kriza e euros do të jetë edhe tema kryesore e takimit. Italia ka 1.845 miliardë euro hua, 30 për qind papunësi ndër të rinjtë dhe një rritje ekonomike të parashikuar prej vetëm rreth një për qind. Këto nuk janë shifra, që të bëjnë të lumtur. Edhe vetë Silvio Berlusconi tha para pak kohësh se Italisë nuk i duhet sot paqëndrueshmëria ose paralizimi. Një krizë besimi, e cila do t'i bënte të pasigurta tregjet dhe investuesit ndërkombëtarë, do ta shpinte vendin shumë shpejt në të njëjtën rrugë si ajo e Greqisë dhe e Irlandës.

Merkeli dhe Berluskoni gjatë një takimi në Romë
Merkeli dhe Berluskoni gjatë një takimi në RomëFotografi: AP


Një shpëtim i Italisë financiarisht nuk përballohet

Vetëm se shpëtimi i i Italisë është financiarisht i papërballueshëm. Prandaj ministri italian i Ekonomisë Tremonti favorizon obligacionet shtetërore evropiane, të ashtuquajturit eurobonds. Por në qarqet qeveritare berlineze thuhet me ironi të lehtë, se ky propozim nuk ka shumë miq, do të thotë: qeveria gjermane e refuzon këtë kategorikisht si shkallë fillestare të një skeme të kompensimit financiar midis vendeve evropiane.

Tema të tjera: Afganistani, të drejtat e njeriut, mbrojtja e pakicave, anëtarësimi i Turqisë. Berluskoni shoqërohet nga pesë ministra; paralelisht me takimin me kancelaren Merkel zhvillohen bisedime dypalëshe në sektorët politikë e jashtme, ekonomi, financa, transport dhe mjedis.

Marrin pjesë edhe disa përfaqësues ekonomikë, ndër të tjerë shefi i Hekurudhave Italiane Moretti, i cili do të sqarojë me homologun e tij gjerman probleme në qarkullimin hekurudhor përtejkufitar, si dhe shefi i koncernit energjetik ENI; Scaroni, i cili negocion me shefin e EON-it Teyssen mbi tregin evropian të gazit dhe një gazsjellës në Evropën Jugore.

Samiti i fundit gjermano-italian u zhvillua para dy vjetësh në Trieste. Një takim i planifikuar për prillin e kaluar u anulua në çastet e fundit, për arsye të resë së hirit vullkanik mbi Evropë.

Autor: Stefan Troendle/Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi