1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlusconi me comeback të padëshiruar

Martin Koch/Aida Cama21 Shkurt 2013

Italia zgjedh një parlament të ri. Silvio Berlusconi kërkon të bëhet edhe një herë kryeministër dhe bën fushatë me parrulla antigjermane. Qeveria gjermane nuk shqetësohet.

https://p.dw.com/p/17iVe
Angela Merkel dhe Silvio BerlusconiFotografi: picture-alliance/dpa

Për kancelaren gjermane Angela Merkel takimi me kryeministrin e ardhshëm të Italisë mund të jetë një ritakim me një të njohur të vjetër dhe të padëshiruar: Silvio Berluskoni ka qenë nga 1994 deri më 2011 katër herë kryeministër i Italisë dhe vëzhguesit mendojnë se ai mund të arrijë të bëhet edhe një herë tjetër.

Dhe e forta është se Merkel mund të ndikojë padashur në një zgjedhje të mundshme të Berluskonit, sepse 76 vjeçari bën përgjegjëse Gjermaninë për situatën e keqe ekonomike në vendin e tij, sepse qeveria e Berlinit ka kontribuar në masat e kursimit, që vendosi BE. Dhe me këtë pozicion Berluskoni merr më shumë vota.

Mospëlqim me buzëqeshje

Marrëdhënia midis Merkelit dhe Berluskonit ka qenë gjithnjë e tensionuar. Të dy i takojnë partive konservatore. Por kur takohen me njëri tjetrin, përzemërsia, që përpiqen të tregojnë, bën efektin e kundërt. Sikur dy kushërinj të largët. që do të donin më mirë të mos takoheshin me njëri tjetrin, vendosen për fotografinë në grup me një buzëqeshje, që e bëjnë me zor. Studiuesi i shkencave politike, Angelo Bolaffi, ish drejtor i Institutit italian të kulturës në Berlin, e përshkruan në një bisedë me Deutsche Wellen gjendjen edhe më të vështirë: "Ata të dy nuk kanë asnjë lloj marrëdhënie me njeri tjetrin, nuk janë në gjendje të flasin me njëri tjetrin, as personalisht dhe në politikë kjo luan një rol të madh dhe ata nuk kanë besim tek njeri tjetri."

Angela Merkel Silvio Berlusconi
Angela Merkel dhe Silvio BerlusconiFotografi: picture-alliance/dpa

Imazh armiqësor për Gjermaninë

Në fushatën zgjedhore "Cavaliere", siç i pëlqen Berlusconit që ta quajë veten që prej marrjes së një medaljeje merite, nxit në mënyrë të përsëritur atmosferën kundër Gjermanisë. Angela Merkel, sipas tij është përgjegjëse, që BE i ka vendosur një kurs kaq të ashpër kursimi Italisë. Rritja e taksave, shkurtimet e buxhetit, kriza ekonomike, për të gjitha fajin e ka Merkeli. Këto sulme populiste ai mund t`i përhapë në rrjetin e tij të televizioneve 24 orë rresht. Për këtë ai ka një forcë shumë të madhe manipuluese, thotë Angelo Bolaffi: "Nuk ka shumë njerëz, që të kenë kohën e duhur dhe njohuritë e duhura, për t`iu kundërvenë atij."

Për Bolaffin, rrethi mbyllet këtu. Sepse edhe në fillim të periudhës, kur ka marrë pushtet, Berlusconi ka përdorur masivisht pushtetin e mediave të tij. Ai nuk pret të bëhet sërish kryeministër, por me 20 përqind të votave, ai mund të marrë një rol të rëndësishëm në krijimin e qeverisë.

Bolaffit i vjen keq, që marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Italisë kanë vuajtur shumë kohët e fundit. Të dy vendet kanë qenë aleatë në fillim të lëvizjeve evropiane, por që me ardhjen e Berlusconit 20 vjet më parë, marrëdhëniet kanë qenë në rënie. Kështu për shembull ai nuk e vazhdoi më traditën e vizitës së Gjermanisë si vendin e parë të huaj, që vizitohet pas ardhjes në pushtet. Gjendjen aktuale të marrëdhënieve profesori e quan "delikate". Në vendin e tij ai dëgjon vetëm që Angela Merkel është përgjegjëse për situatën ekonomike të Italisë, por nuk dëgjon që kursimet janë rruga e vetme për daljen nga kriza. Kështu që nuk është çudi, që italianëve nuk iu pëlqen aktualisht t'u flasësh për Gjermaninë, thotë Bolaffi.

Deutschland Italien Silvio Berlusconi bei Angela Merkel in Berlin
Silvio Berlusconi dhe Angela Merkel në BerlinFotografi: dapd

Qetësi e paprishur

Koalicioni qeveritar në Berlin nuk shqetësohet, që në Itali bëhet fushatë elektorale me paragjykime kundër Gjermanisë. Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle tha për gazetën Süddeutsche Zeitung (SZ), se nuk do të komentojë as fushatën elektorale italiane as parrullat që dëgjohen. Por e qartë është se: "Ne nuk jemi palë në fushatën elektorale italiane. Por ne jemi që Italia të vazhdojë reformat e nevojshme dhe kursin pro-evropian. Ky është qëndrimi i gjithë qeverisë gjermane." Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Parlament, Ruprecht Polenz, tha për SZ: "Italisë i duhet një personel udhëheqës politik, që të jetë i lidhur me të ardhmen. Dhe Berlusconi nuk është sigurisht i tillë."