1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kiem Holijanda fiton Ariun e Kristaltë

25 Shkurt 2018

Kiem Holijanda, filmi holandez me aktorë shqiptarë e i xhiruar në Kosovë fiton Ariun e Kristaltë në Berlinale si filmi më i mirë me metrazh të shkurtër në garën e filmave për të rinj Genration 14plus

https://p.dw.com/p/2tHsZ
Kiem Holijanda, Niederlande Gläserner Bär 2018  für den besten Kurzfilm
Sarah Veltmeyer me Ariun e Kristaltë dhe skenaristin Tim Bakker (majtas) dhe producentin Jeroen Beker (djathtas)Fotografi: Steffen Haars

"Ndiehem shumë krenare",  thotë Sarah Veltmeyer për DW, "dhe e lumtur, edhe pse për momentin pak e lodhur. Ende nuk po e besoj!" Dhe në fakt, nuk është e lehtë të besohet, që pikërisht një film, ngjarja e të cilit zhvillohet në një fshat të humbur të Kosovës, të shpallet filmi më i mirë me metrazh të shkurtër në garën Generation14 Plus.

Juria e përbërë nga të rinj u shpreh mirënjohëse për "mundësinë që jep filmi për të hyrë në botën e dy personazheve autentikë", thuhet në deklaratën e saj. Filmi e bindi jurinë për "aftësinë për t'i shprehur emocionet  me rafinesë dhe për mundësinë që jep ai për të hyrë në situatën jetësore të një rajoni të lënë në harresë".

Berlinale 2018 | Filmstill von "Kiem Holijanda"
Fotografi: Submarine/Stephan Polman

"Ariu i Kristaltë" në këtë mënyrë i shkon jo vetëm në Holandë, por edhe në Kosovë: Vendi i xhirimit dhe vendi i ngjarjes dhe i aktorëve, sidomos dy vëllezërve Andi dhe Florist Bajgora që e frymëzuan regjisoren e re ta ndryshonte skenarin. "Me këtë film ishte një përvojë shumë e veçantë," thotë Andi Bajgora. "Ne kemi punuar shumë si aktorë dhe e kemi përshtatur skenarin me karakteret tona, gjë që e ka shtyrë Sarahn që ta bëjë filmin me emrat tanë. Është njëri prej filmave më të interesantë dhe më të mirë që kam bërë", thotë 15-vjeçari, i cili para tapetit të kuq të Berlinale-s kishte shkelur edhe atë të Oskarit, si një ndër dy aktorët kryesorë në filmin "Shok".

Veltmyer shkoi rastësisht në Kosovë dhe në kokë kishte një film tjetër, me një subjekt të ngjashëm e me dy shokë, por tek pa realitetin paradoksal të rinisë kosovare të ngujuar në mes të Evropës, e ndryshoi projektin e saj: "Ne jemi krejt të ngjashëm me njëri tjetrin, dimë të njëjtat gjëra dhe kemi të njëjtat nevoja, por është krejt ndryshe kur ti je vetëm në Kosovë dhe nuk del dot prej aty, ndërsa unë mund të udhëtoj në të gjithë botën", thotë Veltmeyer, në një intervistë për DW.

Filmi me metrazh të shkurtër është i vetmi film shqipfolës që konkurroi në një nga garat e Berlinales.