1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takim për të kapërcyer krizën

Sabine Kinkartz/Angelina Verbica19 Shkurt 2014

Afera Edathy e ka sjellë koalicionin në një pozitë të vështirë. SPD këmbëngul se nuk ka bërë asgjë gabim, por CSU është e zemëruar. Kancelarja Merkel do që t'i jepet fund krizës.

https://p.dw.com/p/1BBPU
Fotografi: picture-alliance/dpa

Me ditë të tëra ata janë marrë kryesisht me njëri-tjetrin, por kjo duhet të marrë fund tani. Kryetarja e CDU (Unioni Kristiandemokrat) Angela Merkel është takuar mbrëmë (18.022014) me kryetarin CSU (Unioni Kristiansocial) Horst Seehofer dhe kryetarin SPD (Partia Socialdemokrate) Sigmar Gabriel në një darkë në kancelari. Të tre duhet të zgjidhin krizën, në të cilën ka hyrë koalicioni i gjerë gjatë hetimeve ndaj ish deputetit socialdemokrat Sebastian Edathy për shkak të pornografisë me fëmijë.

"Unë jam shumë optimiste se do të kemi sukses", tha kancelarja para takimit. Të gjitha pyetjet e hapura duhet të shtjellohen dhe për to duhen gjetur përgjigje. "Ne e dimë se koalicioni mund të bëjë punën e tij, kur ne i besojmë njëri-tjetrit." Por fjala është edhe për besimin e qytetarëve në shtetin ligjor dhe në punën e koalicionit.

Një gjysëm ore folën Merkel dhe Seehofer, pastaj erdhi Gabriel. Se çfarë u diskutua konkretisht në dy orët e mëvonshme, për këtë nuk pati asnjë informacion, të tre krerët e partive ruajnë konfidencialitetin. Duke pasur parasysh faktin që shumë në ditët e fundit u thye besimi, biseda e tyre duhet të ketë qenë mjaft intensive.

Secili kundër secilit

Para se të nisej për në Berlin, kryetari i CSU Horst Seehofer theksoi në Mynih se duhet të sqaroheshin tri pika: dorëheqja e ministrit nga rradhët e CSU Hans-Peter Friedrich, "çështjet e hapura dhe kontradiktore" në të gjithë aferën dhe së treti përgjegjësia. Nje formulim, i cili nuk lë shumë hapësirë. Seehofer thjesht nuk do ta pranojë, që vetëm partia e tij duhet të bëjë flijim në personel, ndërsa tek SPD gjithçka të mbetet siç ka qenë.

Sigmar Gabriel, Angela Merkel, Horst Seehofer
Sigmar Gabriel, Angela Merkel, Horst SeehoferFotografi: picture-alliance/dpa

CSU ka në shënjestër kryetarin e grupit parlamentar të SPD Thomas Oppermann. Ai bëri publik javën e kaluar, që ministri atëherë i Brendshëm Friedrich e kishte informuar kryetarin e SPD Gabriel në vjeshtë gjatë negociatave për krijimin e koalicionit, se emri Edathy ishte përmendur në hetimet ndërkombëtare. Tani prokuroria po zhvillon hetime për nxjerrje të sekretit. Friedrich, ndërkohë ministër i Bujqësisë, ka dhënë dorëheqjen.

Kancelares Merkel i duket e drejtë dorëheqja e Friedrich. Ai ka marrë përgjegjësinë politike për një humbje të mundshme të besimit të qytetarëve në shtetin ligjor. Një vështrim i çështjes, të cilën shumë nuk e shohin kështu në CSU. Për ato shkaktar i dorëheqjes së Friedrich është Oppermann. Ato mendojnë se Friedrich me referimin e tij i ka bërë një shërbim SPD në një kohë, kur Edathy diskutohej të merrte poste në qeveri dhe në grupin parlamentar. Thomas Oppermann-it sipas CSU thjesht nuk mund t'i besohet më.

Thomas Oppermann 17.02.2014
Thomas OppermannFotografi: Reuters

Oppermann është plot vetëbesim

Por kryetari i grupit parlamentar të SPD nuk do t'i nënshtrohet presionit, ai nuk tregon as edhe një shenjë pendimi. Në vend të kësaj Oppermann deklaroi pas një takimi të grupit parlamentar se ai së bashku me kryetarin e grupit të CDU/CSU është "një spirancë stabiliteti" e koalicionit dhe duhet t'i kthehet sa më shpejt përsëri punës së qenësishme. Ai beson se koalicioni do të mund të kapërcejë gjendjen e tanishme të vështirë. "Unë dua dhe do të kontribuoj si kryetar i grupit parlamentar të SPD, që besimi të rivendoset."

Oppermann tha se ai do të ndihmojë me shumë dëshirë në sqarimin e aferës dhe "do t'i përgjigjet të gjitha pyetjeve në lidhje me çështjen komplekse Sebastian Edathy" në Komisionin e Brendshëm të Bundestagut gjerman. Komisioni do të fillojë të mërkurën me hetimin parlamentar të rastit. Parlamentarët duan të zbulojnë në radhë të parë, nëse kanë dalë informacione në lidhje me hetimet ndaj Edathy-t dhe në çfarë mënyre. A mund të jetë rastësi, që tek deputeti i Bundestagut janë gjetur pak prova dhe që ai e lajmëroi të vjedhur laptopin e tij javën e kaluar?

Si dëshmitarë Komisioni i Punëve të Brendshme ka ftuar kryetarin e grupit parlamentar të SPD Oppermann, drejtoren menaxhuese të parlamentit Christine Lambrecht, kreun e SPD Gabriel, ministrin e Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier (SPD), ministrin e Brendshëm Thomas de Maiziere (CDU) dhe kryetarin e Zyrës Federale të Policisë Kriminale, Jürgen Zierke. Përveç mbledhjes së komisionit Bundestagu do të merret me rastin Edathy dhe pasojat e tij pasdite në një orë aktuale.