Beogradi duhet të jetë konstruktiv ndaj çështjes së Kosovës
20 Janar 2011Mbështetja prej Parlamentit Evropian dhe ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit prej shumicës dërrmuese të eurodeputetëve i hap Serbisë rrugën drejt afrimit më të shpejtë me Bashkimin Evropian. Drejtori i gazetës "Sfidat e integrimeve evropiane", Nikolla Jovanoviq thotë për Deutsche Wellen se kjo mbështetje është shumë e rëndësishme. Ratifikimi në Parlamentin e Evropës do të ndikojë që këtë ta bëjnë edhe 17 vendet tjera anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë ratifikuar këtë Marrëveshje.
"Shpresojmë që ratifikimi prej institucioneve evropiane të ndikojë pozitivisht edhe tek vendet anëtare të BE-së, që të nguten dha ta ratifikojnë sa më parë këtë dokument. Sipas një skenari optimist deri në fund të vitit Marrëveshja do të rafitikohej prej të gjitha shteteve anëtare të BE-së dhe do të futej në fuqi", mendon Jonvanoviq.
Drejtorja e Qendrës për Studime Evropiane në Beograd, Jelena Miliq është e mendimit se ratifikimi prej Parlamentit Evropian i këtij dokumenti paraqet mbështetje të rëndësishme politike për Beogradin. Mirëpo, sipas saj, Beogradi duhet të jetë konstruktiv ndaj çështjes së Kosovës. "Sa më thellë që Serbia futet në procesin e integrimeve evropiane dhe sa më shumë premtime që jepen prej institucioneve të atjeshme, aq më shumë do t`i kërkohet prej Serbisë që t'u përmbahet obligimeve të veta. Për shembull, që të jetë konstruktive në dialogun e ardhshëm me Kosovën, që është pozitive. Problemi kryesor vazhdon të mbetet që ende nuk ka asnjë zhvillim tjetër pozitiv në lidhje me bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës për krime lufte. Bashkëpunimi do të ndikonte pozitivisht në ratifikimin e shpejtë të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin, pa të cilën Serbia nuk mund të kandidojë për anëtarësim në BE."
Parlamenti Evropian ka miratuar edhe një Rezolutë për integrimin e Serbisë, ku është futur edhe amandamenti që Beogradi të mos insistojë në rifillimin e negociatave për statusin e Kosovës dhe të ndihmojë heqjen e strukturave paralele serbe në Kosovë. Rezolutat e tilla nuk kanë ndonjë sanksionim juridik, por kanë një peshë të veçantë politike.
„Përbërja e rezolutave të këtilla është indikative sepse dëshmon ekzistencën e një klime të caktuar. Megjithatë kjo rezolutë në parim është shumë pozitive për Serbinë, sepse mbështet dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe njëkohësisht afrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian", pohon Jovanoviq.
Ndërsa Jelena Miliq është e mendimit se vërejtjet e shumta që u dëgjuan gjatë debatit në Parlamentin Evropian, para miratimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, dëshmojnë se BE-ja në raportet e fundit vjetore ka qenë shumë e butë ndaj Serbisë. Ndërkohë që në raportin e vitit 2010 i kthehet realitetit, sepse paralajmërohet për një gjendje të rëndë në drejtësi, për rrënimin e rolit të parlamentit dhe korrupsionin në Serbi. Pradaj nuk ka vend për eufori politike në Beograd, paralajmëron Jelena Miliq.
Autor: Ivica Petroviq/Bahri Cani
Redaktoi: Aida Cama